Zjarri i rënë që prej mëngjesit të së hënës në Malin e Tomorit në Skrapar vijon edhe sot, kur shënohet dita e pestë që zjarrfikësit dhe forcat e ushtrisë po punojnë për fikjen e tij.
Gazetarja Eneida Petova raporton për Balkanweb se ndërkohë që në të gjithë territorin situata është drejt mbylljes dhe në zonë mbizotëron ngado tymi, që vijon në trungjet e tharë, vatra e zjarrit e shfaqur mesditën e djeshme vijon ende të jetë aktive, por pa asnjë rrezik përhapjeje drejt Parkut Kombëtar dhe territorit me pisha përreth Çukës.
Zona ku zjarri po vijon me intensitet që prej ditës së djeshme, nisi fillimisht nga shkurret e thara në zonën e pllakave dhe i favorizuar nga era dhe temperaturat e larta, zjarri u përhap në zonën me dëllinja të rrafshit të pllakave, në vendin e quajtur “Shtegu i Jahupit”. Zona ku vijon zjarri është një zonë shkëmbore në pikën më të lartë të malit të Tomorit dhe në këtë zonë është e pamundur ndërhyrja, edhe në këmbë.
[embedded content]
Për këtë arsye zjarrfikësit dhe Agjencia Rajonale e Zonave të Mbrojtura kanë kërkuar ndihmën e helikopterëve me ujë të forcave ushtarake. Që prej orës 09:00 të mëngjesit të sotëm, në territorin e zjarrit ka filluar ndërhyrja me ujë nga ajri nga 2 helikopterë të ushtrisë.
Ndërkohë që konfirmohet se ndërhyrja nga ajri do të vazhdojë deri nga darka, terriori ku vijon të jetë aktiv zjarri nuk rrezikon përhapjen drejt Parkut Kombëtar apo territorit me pisha përreth Çukës, pasi është një zonë e izoluar dhe ndodhet shumë larg tyre dhe në lartësi.
Për këtë situatë të rënduar zjarri, në Malin e Tomorrit janë angazhuar prej 5-ditësh 18 punonjës të Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura,27 efektivë zjarrfikës nga Skrapari, Berati e Poliçani, 30 forca të ushtrisë dhe banorë të zonës.
Sipas përllogaritjeve të bëra, zjarri ka përshkruar një sipërfaqe rreth 22 hektarësh, ndërkohë që raportohet e djegur një sipërfaqe prej 9 hektarësh, pjesa më e madhe me dru të thatë e boçe pishash të rrëzuara, ndërkohë që shifrat zyrtare të dëmeve të shkaktuara nga ky zjarr do të dalin në mbylljen e tij të plotë.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co