Finte e Lautaros për Dimarkon dhe ky i fundit që e hedh topin rrezikshëm në qendër të zonës ku vjen një devijim vendimtar i Turamit dhe e çon topin në rrjetë. Ky është goli që vendosi transfertën në Champions League në një fushë delikate si ajo e Jang Bojs.
Goli u ndërtua nga 3 lojtarët e ardhur nga stoli. Por çfarë do të thotë kjo? Dy gjëra. E para, të besuarit e trajnerit nuk zhgënjejnë kurrë dhe janë gjithmonë vendimtarë. E dyta, që linjat e dyta të skuadrës së Interit nuk mund të jenë gjithmonë në lartësinë e duhur për të zgjidhur edhe ndeshjet që në letër konsiderohen të lehta dhe që duhen fituar patjetër.
Në fakt me Cervena Zvezdën e zgjidhën. Por ku qëndron e vërteta? Si gjithmonë, në mes… Dilemat- Reflektimi i bërë pas ndeshjes kundër Jang Bojs tregon se paraqitjet e Karlos Augustos, Zielinskit, Taremit dhe Arnautoviç nuk ishin në lartësinë e duhur. Duket shumë e vështirë që trajneri Inzagi të imagjinojë një Inter pa titullarët e tij për 90 minuta, qoftë edhe kur rivali është një zviceran pa shumë pretendime në Champions.
Dimarko, Lautaro dhe Turam ndryshuan fytyrën e një skuadre që po merrte një rezultat zhgënjyes dhe aksioni i golit e manifeston këtë. Të tre të përfshirë. Përpara dëmtimit, Karlos Augusto u shfaq shumë pak në fushë, nuk shtyu fare në sulm, luajti i bllokuar në gjysmëfushën e tij. Fotografia e ndeshjes për Arnautoviçin është fytyra e tij e zhgënjyer në momentin kur përfundoi ndeshja pas penalltisë së gabuar.
I përhumbur dhe i trishtuar. Momenti i austriakut është negativ, pavarësisht se një ndeshje më parë në Cervena Zvezdën bëri mirë. Taremi është si gjithmonë i njëjti, por përpara portës nuk sjell rrezikshmëri. Inzagi duhet të ndihet me fat që ka në përbërje dy sulmues të fortë si Turam dhe Lautaro Martinez, por edhe një si Dimarko që është duke i mahnitur të gjithë për formën e tij.
PANORAMASPORT.AL