
Viti 2025 u duk si i mallkuar për Shqipërinë pasi nisi në mënyrën më të keqe për legjionarët tanë. Dëmtime pas dëmtimesh, nga Mario Mitaj, te Berat Gjimshiti, te Ardian Ismajli, ndërsa vetëm Armando Broja është dëmtuar 2 herë. Por të gjithë këta futbollistë janë rikuperuar dhe janë gati teksa po afrohet gjithmonë e më shumë ndeshja kundër Anglisë në fundin e marsit. Një tjetër lajm fantastik ka ardhur për Silvinjon, teksa është Armando Broja që është rikthyer në stërvitje.
Sulmuesi shqiptar është rikthyer sot për herë të parë në stërvitje me ekipin e Everton, teksa skuadra është grumbulluar në Abu Dhabi pasi ndeshja tjetër e kësaj skuadre do të jetë në datën 8 mars. Pra Broja do të ketë 9 ditë kohë për t’u përgatitur dhe pritet të jetë në stol që për ndeshjen e radhës në Premier League.
Nga ana tjetër është i garantuar rikthimi i tij në Kombëtare për ndeshjet e marsit te Shqipëria. Ajo që është vënë re është një detaj shumë i veçantë në fotografinë që po qarkullon me Armando Brojën nga stërvitja. Duke marrë parasysh dëmtimet e shpeshta që po i penalizojnë karrierën, më në fund Broja ka ndryshuar diçka nga vetja. Sulmuesi është parë me një masë të shtuar muskulare, si nga këmbët ashtu edhe nga krahët. Broja ka punuar gjatë gjithë kësaj kohe për të stërvitur, forcuar dhe shtuar masën muskulare, në mënyrë që të evitojë sa më shumë dëmtimet e shpeshta.
Në bazë të informacioneve tona, Armando ka marrë këshillime që është kjo mënyra sesi mund të ndryshojë karrierën e tij për të mos kaluar më shumë kohë në mjekësi dhe rezultatet janë fantastike. Vetëm 1 muaj e pak ditë kanë kaluar që nga ai dëmtim i fundit i tij dhe ndryshimi nga ajo kohë te ky fizik tani, është rrënjësor. Një ndryshim që ka ndodhur me shumë futbollistë që luajnë në nivelet më të larta si Alphonso Davies që para se të shkonte te Bayern Munchen kishte një fizik shumë të dobët, por vetëm në pak muaj u kthye në një bishë fizike. Dhe në fakt kjo është pika që duhet të punojnë të gjithë lojtarët e Shqipërisë pasi në shumicën e rasteve vihet re një fizik i dobët i lojtarëve tanë që hasin pamundësi përballje kur luajnë kryesisht me Anglinë, atje ku të gjithë lojtarët janë më të fortë fizikisht. E rëndësishme është fakti që Shqipëria do të ketë gati sulmuesin e saj më të mirë, që do të jetë kërcënimi kryesor për ndeshjet e marsit. /Sport Ekspres/
Burimi informacionit @Gazeta Sport Ekspres: Lexo me shume ne : Gazeta Sport News gazeta sport news