Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, ka reaguar pasi Sekretariati i Etikës e përjashtoi me 40 ditë nga Kuvendi, pas kaosit që u krijua në seancën e fundit, ndërsa disa kolegë të tjerë me 10 deri në 60 ditë.
Në një reagim në Facebook, Çupi shkruan se përjashtimi i deputetëve për 40-60 ditë mund të ndodhë vetëm në rastet kur deputeti përdor lëndë apo mjete piroteknike, tymuese, bojëra dhe materiale apo mjete të tjerë të ngjashme brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit/mbledhjes së komisionit /brenda mjediseve të Kuvendit.
Sipas saj, veprimet e 24 deputetëve janë publike dhe askush prej tyre nuk është në këto rrethana.
“Dënimi pa ligj i deputetëve të opozitës është një akt i rëndë që minon demokracinë”, thotë deputetja demokrate, ndërsa shton se pengimi i tyre pa ligj në ushtrimin e misionit të tyre është krim, që nuk mund të mbetet pa ndëshkuar.
Reagimi i plotë
Rregullorja e Kuvendit parashikon se masa disiplinore “perjashtim nga pjesemarrja ne komisione dhe/ose ne seance plenare DERI ne 60 dite” jepet VETËM ne rastet: kur deputeti perdor lende apo mjete piroteknike, tymuese, bojera dhe materiale apo mjete te tjera te ngjashme brenda salles se zhvillimit te punimeve te Kuvendit/mbledhjes se komisionit /brenda mjediseve te Kuvendit. Pra përjashtimi i deputetëve për 40-60 ditë mund të ndodhë vetëm në këto rrethana.
Veprimet e 24 deputetëve janë publike dhe askush prej tyre nuk është në këto rrethana. Dënimi pa ligj i deputetëve të opozitës është një akt i rëndë që minon demokracinë. Pengimi i tyre pa ligj në ushtrimin e misionit të tyre është krim, që nuk mund të mbetet pa ndëshkuar!