Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të dielën se pret hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Kosovë, më 14 ose 15 gusht, si dhe instalimin e liderëve të rinj serbë në këtë vend nga agjencitë e huaja, pa ofruar ndonjë dëshmi. Ai i ka bërë këto deklarata në kohën kur autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar se ura kryesore mbi Ibër – që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare, me Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe – duhet të hapet plotësisht për qarkullim.
Aktualisht ajo është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për makina, dhe në të patrullojnë karabinierët italianë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Vuçiç i ka bërë thirrje KFOR-it që të mos lejojë hapjen e urës. Presidenti serb ka pretenduar që figurat e reja serbe, që sipas tij, do të instalohen në Kosovë, “do t’i portretizojnë si trima edhe pse nuk janë, dhe do të përpiqen t’i ndajnë nga Beogradi” dhe që ata t’i përgjigjen kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
“Më lejoni t’ju them menjëherë se nuk do të funksionojë”, ka thënë Vuçiç në një konferencë për media, pa përmendur në mënyrë specifike ndonjë agjenci. Partia më e madhe e serbëve në Kosovë është Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it në Kosovë, kanë thënë publikisht se nuk mbështesin hapjen e urës në këtë kohë.
Vendet e QUINT-it janë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuara, Italia, Gjermania dhe Franca. Bashkimi Evropian ka thënë, po ashtu, se Prishtina zyrtare nuk duhet të marrë “vendime të njëanshme”. KFOR-i ka thënë disa herë në ditët e fundit se nuk do të hezitojë të veprojë nëse vëren veprime afër urës që mund të cenojnë sigurinë e qytetarëve.
Autoritetet e Kosovës kanë nisur të bëjnë inspektime për hapjen e urës dhe më herët gjatë javës kanë kontraktuar një kompani për të vlerësuar fuqinë mbajtëse të urës, para hapjes për qarkullim të automjeteve.
Kosova dhe Serbia janë pajtuar për hapjen e urës, fillimisht më 2015, më vonë më 2016, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian. Hapja e saj është zvarritur disa herë, dhe faktori ndërkombëtar kërkon që kjo çështje të jetë sërish temë dialogu./REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co