Rruga në afërsi të pikëkalimit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës, Merdar, është bllokuar në pjesën serbe pasditen e së premtes.
Dy vetura, njëra me një flamur serb në dritaren e pasagjerit, dhe disa persona pranë tyre shihen të vendosur në mes të rrugës që çon në pikën kufitare drejt Kosovës.
Siç është paralajmëruar, rrugët do të bllokohen edhe në dy pikat e tjera kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës Jarinje dhe Bërnjak si dhe afër pikëkalimit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, në Kula.
Ndryshe. policia e Kosovës është duke i kryer në vazhdimësi detyrat e saj në pikën kufitare në Jarinje, ndërkohë që serbët kanë paralajmëruar bllokimin e kësaj pike kufitare.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë parë të veshur me antiplumb, ndërkohë që prezentë janë edhe forcat e KFOR-it dhe EULEX-it, të cilat janë duke vëzhguar situatën.
Raportohet se një numër i vogël serbësh janë mbledhur 500 metra në largësi nga pika kufitare në pjesën e territorit të Serbisë, të cilët po qëndrojnë në një kafene aty pranë.
Policia e Kosovës po i rekomandon veturat me mërgimtarë që të mos e kalojnë kufirin drejt Serbisë.
Rasha Rojeviq, kryetar i Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut Kosovë-Mitrovicë, një nga tetë shoqatat që organizojnë bllokadat, tha më herët për Radion Evropa e Lirë se kjo është “bllokadë selektive”, që nënkupton se ata do t’i lejojnë ta kalojnë kufirin nga ana serbe vetëm udhëtarët me dokumente serbe.
Rojeviq tha se bllokadat janë “reciprocitet i asaj që Kurti po ua bën serbëve” në Kosovë.
Bllokimi i pikëkalimeve kufitare në anën serbe mes Serbisë dhe Kosovës u paralajmërua ditë më parë nga njerëz Serbi, si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co