Bllokimi i pikave kufitare, Osmani akuzon Serbinë se po tenton të krijojë tensione përmes “bandave kriminale”

bllokimi i pikave kufitare osmani akuzon serbine se po tenton te krijoje tensione permes bandave kriminale
bllokimi i pikave kufitare osmani akuzon serbine se po tenton te krijoje tensione permes bandave kriminale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka akuzuar Serbinë të shtunën se po përpiqet të krijojë tensione dhe përshkallëzim në Kosovë dhe në rajon “përmes bandave kriminale të lidhura me shtetin”, pas bllokadave të vendosura në pjesën serbe të pikëkalimeve kufitare mes dy vendeve.

Autoritetet kosovare i mbyllën mbrëmjen e kaluar dy prej pikave kufitare me Serbinë, Bërnjak dhe Merdare, pasi qytetarë serbë vendosën bllokada në pjesën serbe të këtyre dy pikave dhe atë të Jarinjës, duke protestuar kundër vendimeve të kohëve të fundit të autoriteteve kosovare në veriun e banuar me shumicë serbe.

“Serbia edhe njëherë tregon se nuk i intereson lëvizja e lirë, nuk i intereson fqinjësia e mirë. Këto bllokada, të cilat janë krijuar kohëve të fundit, në mënyrë të veçantë kanë për qëllim të terrorizojnë qytetarët shqiptarë donin t’i shfrytëzonin këto pika kufitare”, tha Osmani të shtunën në Podujevë, ku mori pjesë në një ngjarje.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të premten se këto dy pikëkalime janë mbyllur për pasi persona të maskuar në pjesën serbe të kufirit po i “ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste” qytetarët që duan të kalojnë transit përmes Serbisë.

Sveçla tha se e gjithë kjo ka ndodhur “para syve të policisë serbe”.

Ekipi i REL-it ka parë persona të maskuar afër bllokadës të vendosur në pjesën serbe të kufirit në Bërnjak natën e së premtes.

“Bllokadat kanë vetëm një qëllim, të krijojnë tensione, të destabilizojnë Kosovën dhe gjithë rajonin tonë. Por, në të njëjtën kohë e tregojnë lidhshmërinë e drejtpërdrejt ndërmjet shtetit serb dhe bandave kriminale që i kanë organizuar këto bllokada, sepse siç e dini policia serbe ka qenë atje dhe këto kanë ndodhur para syve të tyre”, tha Osmani.

Derisa pikat kufitare në Bërnjak dhe Merdare vazhdojnë të jenë të mbyllura, ajo në Jarinjë është e hapur për qarkullim pa pengesa, tha Policia e Kosovës të shtunën më herët.

Osmani kërkoi nga aleatët e Kosovës “të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë, të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve tanë dhe kanë tendencë ta destabilizojnë paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë por në tërë rajonin tonë”.

Shoqatat serbe i vendosën këto bllokada në anën serbe të kufirit me Kosovën si shenjë proteste ndaj mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës nga autoritetet kosovare më 30 gusht.

Mbylljes së këtyre institucioneve paralele i parapriu ndalimi i dinarit serbë dhe mbyllja e disa degëve të Postës së Serbisë në veri më herët këtë vit.

Vendimet e Qeverisë së Kurtit janë kritikuar ashpër si të “njëanshme dhe të pakoordinuara” nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se ato rrezikojnë rritjen e tensioneve.

Organizatorët e bllokadave duan që Kosova ta tërheqë policinë nga komunat me shumicë serbë në veri, ta lejojë përdorimin e valutës së dinarit serb, i cili u ndalua në fillim të këtij viti, si dhe ta lejojë punën e komunave paralele serbe./ REL

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →