Bislimi: Raporti i Borrellit pritet të rekomandojë heqjen e masave për Kosovën

bislimi raporti i borrellit pritet te rekomandoje heqjen e masave per kosoven

































Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të enjten se raporti i shefit të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, për hapat që ka bërë Kosova në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave të BE-së “do të rekomandohet heqja e masave” ndëshkuese për Kosovën.

bislimi

Borrellit i ishte kërkuar një raport i tillë nga vendet anëtare në mënyrë që të vlerësohet nëse janë pjekur kushtet që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese.

Duke raportuar para Komisionit për Integrime Evropiane të enjten në Prishtinë, Bislimi theksoi se raporti i Borrellit ka qenë “i gatshëm prej prillit, por ka pasur disa hezitime” për dorëzimin e tij.

“Ka pasur hezitime të dërgohet [raporti] në komision, për shkak se, si duket, ka disa individë që kanë interes ta shtyjnë heqjen e masave ndaj Kosovës dhe si rezultat ta dëmtojnë Kosovën”, tha ai, pa shpjeguar.

Bislimi ka thënë se ky raport, përmbajtja e të cilit ende nuk dihet, pritet të dorëzohet gjatë javës së ardhshme.

“Raporti është dashur të dorëzohet pardje, mirëpo një pjesë e komisionit kanë kërkuar të shtyhej dhe besoj që do të dorëzohet për aprovim në Këshill gjatë javës së ardhshme, përmbajta e raportit mesa e di unë është pozitive dhe aty do të rekomandohet heqja e masave”, theksoi Bislimi.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur Kosova dërgoi në ndërtesat e komunave kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët.

Ndër masat e BE-së janë suspendimi i përkohësisht i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat tjera janë suspendimi i programimit të fondeve për Kosovën në kuadër të IPA 2024 (Fondet e Para-Anëtarësimit).

Propozimet e dorëzuara nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimorë (WBIF) nuk janë paraqitur për shqyrtim në bordin e këtij fondi. Kontratat e reja ku autoritetet e Kosovës janë përfituese tash për tash janë të ndalura.

Qeveria e Kosovës ka insistuar disa herë se ajo i ka përmbushur kërkesat, dhe se situata në veri të Kosovës është shtensionuar, serbët e Kosovës kanë pasur mundësi të votojnë për shkarkimin e kryetarëve të komunave dhe tash, sipas tyre, nuk ka më arsye që të mbahen këto masa.

Ky raport ishte planifikuar të dorëzohej më herët, sepse vendet e BE-së kishin kërkuar që kjo të bëhet “sa më parë që të jetë e mundur”, por ishte shtyrë për shkak të veprimeve të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e objekteve të Bankës Kursimore postare të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →