Sa më rreptë godet policia, aq më shpejt bandat përshtaten me metodat e reja.
Kur policia spanjolle përndoqi një bandë nga Ishujt Kanarie vitin e kaluar, ata zbuluan rastësisht diçka të madhe, shkruan The Economist.
Në një shtëpi të thjeshtë në qytetin Galicia, në Spanjën Veriperëndimore, disa ekipe të posaçme punonin pa pushim për të prodhuar deri në 200 kg kokainë në ditë.
Dy banda droge, njëra kolumbiane dhe tjetra meksikane, kishin paguar rreth 2 milionë euro (2.1 milionë dollarë) për të ngritur këtë laborator, të cilin spanjollët e furnizonin me bazën e produkteve të nevojshme për prodhimin e kokainës.
Ky ishte laboratori i dytë i kokainës i gjetur në Spanjë. Deri tani, është më i madhi i zbuluar ndonjëherë në Europë.
Deri në vitin 2018, kokaina prodhohej rrallëherë në Europë. Rritja e prodhimit të kokainës në Amerikën Latine dhe mbikëqyrja më e rreptë policore, i kanë shtyrë disa kriminelë që të ndryshojnë taktikat.
Edhe pse shumica ende e importojnë produktin e përfunduar, ka disa mashtrues që marrin lëndë më të lira si bazë për prodhimin e kokainës, dhe më pas i kthejnë ato në hidroklorur kokaine (një pluhur i bardhë), duke përdorur kimikate në laboratorë.
Të tjerë e fshehin kokainën brenda dërgesave të qymyrit, drurit, veshjeve dhe sheqerit. Në vitin 2022, në Bashkimin Europian u çmontuan 39 laboratorë kokaine, nga 15 në vitin 2019.
Prodhimi i paligjshëm i drogës në Europë, nuk është asgjë e re. Belgjika dhe Holanda kanë eksportuar amfetaminë dhe tableta MBMA (që shkaktojnë ekstazi) në mbarë botën, të paktën që nga vitet 1990. Kanabisi është rritur prej kohësh në të gjithë kontinentin.
Por në dekadën e fundit, prodhimi i drogës në Europë është rritur me shpejtësi, dhe jo vetëm ai i kokainës. Vitin e kaluar, në Poloni, Belgjikë dhe Holandë, u çmontuan një numër rekord laboratorësh, shumica e të cilëve përdoreshin për prodhimin e drogave sintetike.
Dhe madhësia dhe sofistikimi i laboratorëve është rritur, thotë Rita Jorge nga Qendra Europiane e Vëzhgimit për Drogën dhe Varësinë nga Droga (EMCDDA), një agjenci e BE-së.
Marrim si shembull metamfetaminën europiane. Para vitit 2017, ajo prodhohej kryesisht në laboratorët çekë për tregjet lokale.
Që atëherë, rrjetet kriminale kanë ngritur laboratorë të tjerë në shkallë industriale, në Belgjikë dhe Holandë. Pjesa më e madhe e drogës së prodhuar, është eksportuar.
Ekspertiza e Amerikës Latine ka nxitur prodhimin e paligjshëm të drogës në Europë. Kriminelët holandezë mësuan si të prodhonin metamfetaminë në masë, duke përdorur benzil metil ketoni (BMK), të prodhuar nga meksikanët, thotë eksperti belg Arthur Debruyne.
Bandat europiane po përdorin një metodë kolumbiane ku kokaina rioksidohet. Kimikatet e ndryshme me cilësi më të lartë në Europë rrisin efikasitetin dhe pastërtinë e drogave.
Disa laboratorë holandezë kanë ndjekur metodat kolumbiane, por me standarde më të larta.
Laboratorët europianë janë më të personalizuar sesa ata kanadezë ose amerikanë, sipas Bordit Ndërkombëtar të Kontrollit të Lëndëve Narkotike, me seli në Vjenë. Tani më shumë laboratorë mund të prodhojnë lloje të ndryshme drogash sipas kërkesës.
Numri i laboratorëve holandezë të drogës që u zbulua, u rrit nga 9 në vitin 2022, në 21 vitin e kaluar.
Bandat e drogës janë të afta për të shmangur zbulimin. Si me çdo biznes tjetër të mirë, ekipe të ndryshme kujdesen për faza të ndryshme në procesin e prodhimit të drogës.
Ata përdorin gjithnjë e më shumë lëndë bazë imituese (shih grafikun), të cilat nga ana kimike, janë shumë të ngjashme me lëndët e ndaluara të drogës, por shumë më të vështira për t’u zbuluar nga autoritetet.
Për shembull, kur substanca APAA u ndalua ndërkombëtarisht në vitin 2015, disa javë më vonë u shfaq në treg alternativa e ngjashme me emrin MAPA.
“Duke qenë se kimia mundëson shumë alternativa, është relativisht e lehtë të gjesh substanca që mund të përdoren si zëvendësuese”, thotë Alexis Goosdeel, një belg që drejton qendrën EMCDDA.
Ndërkohë, po rritet gjithnjë e më shumë rreziku që në treg të dalin droga më të fuqishme. Produktet e reja MDMA, në formë të ngurtë ose të lëngshme, po bëhen gjithnjë e më popullore.
Prodhimi i katinonit po rritet në Poloni. Produkti Captagon tani prodhohet gjerësisht në Holandë. Disa meksikanë që janë të aftë në prodhimin e fentanilit janë zhvendosur në Europë.
Fushatat për ndërgjegjësimin e publikut mund të ndihmojnë për të frenuar valën e drogave të paligjshme. Denoncimet në polici çuan në zbulimin e një laboratori të paligjshëm droge në Holandë vitin e kaluar.
Shkëmbimi i informacionit është thelbësor, pasi kriminelët importojnë kimikate nga vendet e zonës Shengen, ku licencimi është më pak i rreptë.
Muajin e ardhshëm, qendra EMCDDA (që së shpejti do të riemërohet Agjencia e Drogave e Bashkimit Europian), do të fillojë të vëzhgojë kimikatet bazë për prodhimin e drogave.
Sfida është e madhe. “Ne duhet të evoluojmë po aq shpejt sa ata”, thotë Dr. Jorge. Kjo mund të jetë një garë e vështirë.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co