
Një ish-agjent i CIA-s amerikane në Rusi, Glen Korn, është shprehur se rusët i kanë shpallur luftë SHBA-ve, duke qenë palë në konflikte në disa rajone të botës.
Korn u shpreh se konflikti nuk është vetëm në Ukrainë, por ai zhvillohet edhe në Lindjen e Mesme, Ballkan, Kaukaz e më tej.
Ai theksoi se SHBA duhet të tregojë vëmendje të veçantë ndaj aleatëve në rajonin e Ballkanit.
Korn, profesor në Institutin Amerikan për Politika Botërore (IWP) në Uashington, u shpreh se rajoni i Ballkanit Perëndimor është “ende një fuçi baruti”.
“Unë mendoj se Putini mund të përdorë zotin Dodik dhe aleatët e tij për të destabilizuar situatën këtu dhe për të larguar vëmendjen nga rajonet e tjera”, vlerëson Korn.
Korn nënvizoi se Moska po bën luftëra hibride duke përdorur ato që ai i quan “masa aktive” që përfshijnë propagandë, ndikim politik, likuidime, sabotazhe, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë dhe SHBA.
“Moska po i bënte të gjitha këto në Ukrainë përpara se të fillonin pushtimin”, thotë Korn, i cili shërbeu si i dërguari i lartë i presidentit amerikan për inteligjencën dhe sigurinë kombëtare.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co