Atentati ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump mobilizon përkrahësit e tij

atentati ndaj ish presidentit amerikan donald trump mobilizon perkrahesit e tij
atentati ndaj ish presidentit amerikan donald trump mobilizon perkrahesit e tij

Ish-presidenti Donald Trump merr pjesë në Kuvendin e Partisë Republikane, disa ditë pasi i mbijetoi një atentati. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti njofton nga Miluoki i shtetit Viskonsin, ku mbahet ky kuvend, se si mbështetësit e tij, pas tronditjes të së shtunës, janë tani plot energji për fushatën e zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit.

“Të lutemi”, thotë një nga mbështetësit e ish-Presidentit. “Zoti i tha që të bëhet i fortë dhe të ketë kurajo”, vazhdon më tej ai. Pasi i mbijetoi një atentati të shtunën zoti Trump tani ka arritur në Miluoki ku po mbahet Kuvendi kombëtar i Partisë Republikane. “E gjithë fushata dhe mesazhi politik ka ndryshuar. Dikush tentoi të vriste kandidatin tonë”, thotë Hilario Deleon, kryetar i republikanëve në Miluoki.

Zoti Trump shkroi në rrjetin social ‘Truth Social’ se ai nuk mund të lejojë një “vrasës të mundshëm” ta detyrojë të ndryshojë programin e tij. “Sa herë që i ndodh diçka, më duket sikur e forcon fitoren e tij. Ai ka arritur statusin e njeriut legjendar”, thotë Emmy Declue, delegate republikane nga Misuri.

Në një hotel në anën tjetër të qytetit, delegacioni nga Karolina e Jugut po diskutonte se si ngjarja e të shtunës i bëri ata më të vendosur. Pas tronditjes nga goditja me plumb në vesh, zoti Trump qëndroi me grushtin lart dhe iu tha mbështetësve, “luftoni”.

“Ngritja në këmbë dhe thirrja që bëri, imazhi me gjakun që i rrjedh në fytyrë, flamuri amerikan prapa tij do të jetojë përgjithmonë”, thotë Yvonne Julian, Kryetarja e Republikanëve e qarkut Greenville.

Personi i armatosur përdori një pushkë automatike, që përdoret shpesh nga ata që kryejnë sulme masive. Megjithatë delegatët thonë se sulmi me këtë armë ndaj kandidatit të tyre nuk e ndryshon qëndrimin e Partisë Republikane për kontrollin e armëve. “Rreziku nuk vjen nga arma, por kur një armë bie në duart e personit të gabuar”, thotë Becky McLaughlin delegate republikane nga Karolina e Jugut.

Presidenti Joe Biden u kujtoi amerikanëve të dielën se vendi i zgjidh mosmarrëveshjet duke votuar dhe se dhuna nuk është kurrë zgjidhja. Ai gjithashtu urdhëroi Shërbimin Sekret të rishikonte masat e sigurisë në kuvendin e republikanëve, tashmë nën masa të rrepta sigurie.

“Ne duhet t’i kthehemi arsyes dhe të ndalojmë këtë situatë që po ndodh”, thotë Deborah Manning delegate kombëtare republikane.

Për shkak të sulmit ndaj ish Presidentit, një delegat i tha Zërit të Amerikës se ndoshta tema e kuvendit këtë vit duhet të jetë “Ta Bëjmë Amerikën të Sigurt Sërish”./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →