Grupi ekstremist, The Tehrik-e Taliban Pakistan (TTP), ka rifituar terren në veriperëndim të Pakistanit, duke imponuar sundimin e tij brutal mbi qindra mijëra njerëz.
Ata që jetojnë nën sundimin e TTP-së thanë se grupi islamist i linjës së ashpër ka kufizuar liritë dhe të drejtat e tyre, përfshirë të drejtat e grave. Vrasjet, rrëmbimet, zhvatjet dhe ngacmimet dominojnë jetën e përditshme në disa zona, thanë ata.
TTP-ja u dëbua nga bazat e saj pas një ofensive të madhe ushtarake pakistaneze në vitin 2014. Por, në vitet e fundit grupi ka rivendosur kontrollin e tij në disa pjesë në provincës veriperëndimore pakistaneze të Kiber Paktunkva, ku aktualisht është aktiv në 10 nga 34 qarqet e provincës.
TTP-ja shpesh sundon gjatë natës. Pasi të bjerë terri, forcat qeveritare tërhiqen në postet dhe bazat e tyre dhe shumë civilë refuzojnë të dalin jashtë nga frika e militantëve.
Rikthimi i TTP-së në rajon ka nxitur largimin nga rajoni të mijëra profesionistëve, biznesmenëve dhe pronarëve të mëdhenj të tokave.
“Askush nuk është i sigurt, asnjë vend nuk është imun nga prania e tyre”, tha Humayun Mehsud, i cili së fundi është larguar nga një qark i Vazistanit Jugor. “Ata janë kthyer me forcë”.
Mehsud tha se ai u largua nga fshati i tij pasi TTP-ja, që njihet edhe si talibanët pakistanezë, rrëmbyen dhe vranë vëllain e tij, një punëtor qeveritar.
Mehsud, që tani jeton në kryeqytetin pakistanez, Islamabad, tha se TTP-ja ka themeluar qeverinë e saj në Vaziristanin Jugor, që është shtëpi e afër 900.000 njerëzve. Militantët, tha ai, kontrollojnë ekonominë lokale dhe kanë krijuar gjykatat e tyre për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes banorëve lokalë.
“Atmosferë frike”
TTP-ja ka imponuar versionin e saj ekstremist të islamit në zonat që kontrollon, sipas banorëve lokalë.
Dëgjimi apo luajtja e muzikës është e ndaluar. Berberëve u ndalohet që të rruajnë apo shkurtojnë mjekrat e burrave. Disa shkolla të vajzave janë mbyllur apo shkatërruar dhe në disa zona, grave u është kufizuar dalja nga shtëpitë e tyre.
“Ata duan të na e kufizojnë jetën tonë këtu njësojë sikurse talibanët afganë kanë bërë në shtetin e tyre”, tha Saleem, një banor i qarkut Laki Marvat.
TTP-ja dhe talibanët afganë kanë lidhje të ngushta ideologjike dhe organizative. Pakistani i ka akuzuar talibanët afganë, që morën pushtetin më 2021, për strehim të militantëve pakistanezë.
Saleem, emri i të cilit është ndryshuar për shkaqe sigurie, tha se TTP-ja ka zëvendësuar autoritetet lokale në Laki Marvat, që është shtëpi e afër 1 milion personave.
Policia, tha ai, kanë braktisur postet e tyre pasi kanë qenë nën sulme të vazhdueshme të TTP-së dhe mijëra banorë po largohen nga zona.
Mohsin Tabeer Khan, aktivist politik dhe ish-ligjërues universitar, është në mesin e atyre që kanë qëndruar në Laki Marvat. Një kritik i TTP-së, ai ka marrë kërcënime nga grupi militant.
“Atmosfera e frikës është përhapur”, tha Khan. “Të gjithë mbyllen [në shtëpitë e tyre] pas perëndimit të diellit”.
Khan tha se TTP-ja ka shënjestruar punëtorët e Qeverisë lokale dhe personelin e sigurisë në këtë qark.
“Nëse të zënë që ke kartë identifikimi të Qeverisë, duhet të shqetësohesh për jetën tënde”, tha ai.
Abubakar Kurmiwal tha se TTP-ja së fundi ka avancuar në qarkun e Kuramit.
Ai tha se TTP-ja më 14 gusht rrëmbeu një kushëri të tij, i cili ishte akuzuar se ishte spiun i Qeverisë. Katër ditë më vonë, trupi i tij u gjet përgjatë një rruge, tha ai.
“Gratë nuk mund të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të këtyre militantëve”, tha ai. “Militantët shpesh i detyrojnë banorët lokalë që t’u japin ushqime”.
Muajin e kaluar, e vetmja shkollë në fshatin e tij u mbyll pasi të gjithë mësuesit u larguan, tha ai.
Kolapsimi i autoritetit të shtetit
Mohsin Dawar, ish-ligjvënës, tha qenë dëshmitar i rritjes së ndikimit të TTP-së në qarkun nga ku vjen ai në Vaziristanin Verior.
Fillimisht nisi me luftëtarët e TTP-së që detyronin banorët lokalë t’i ushqenin, tha Dawar. Më pas, militantët zhvatën biznesmenët dhe pronarët e pasur të tokave. Tani, militantët po shkatërrojnë shkollat për vajzat në qark, tha ai.
“Teksa talibanët [pakistanezë] po forcohen, autoriteti shtetëror po kolapsin”, tha Dawar, i cili udhëheq partinë sekulare, Lëvizja Demokratike Kombëtare.
“Ata fillimisht duan të vrasin njerëzit vdekja e të cilëve do të prodhojë lajme”, tha ai. “Të gjithë janë në rrezik, por ata që kanë pak rëndësi në shoqëri janë në radarin e tyre”, shtoi Dawar, i cili i ka shpëtuar disa tentim-vrasjeve.
Sulmet e TTP-së janë intensifikuar viteve të fundit në Pakistan. Grupi militant shpesh shënjestron ushtrinë dhe policinë dhe gjerësisht përmbahet nga sulmet që kanë në shënjestër civilët.
Abdul Sayed, hulumtues me bazë në Suedi që gjurmon TTP-në, tha se “caku kryesor” i grupit janë forcat e sigurisë, në përpjekje që t’i largojnë ata nga rajoni.
Më herët gjatë këtij viti, Pakistani tha se ushtria do të nisë një ofensivë të re për të çrrënjosur militantët nga rajoni. Operacioni i planifikuar ushtarak është kundërshtuar ashpër nga banorët e Kiber Paktunkvas, rajon që ka përjetuar disa ofensiva në të kaluarën të cilat kanë lënë të vrarë mijëra persona dhe kanë detyruar miliona civilë që të largohen.
Protesta janë mbajtur edhe kundër TTP-së dhe kthimit të grupit në këtë rajon.
Abdul Wahid, udhëheqës lokal i partisë sekulare, Avami, tha se banorët nuk kanë më frikë nga militantët apo nga ushtria pakistaneze pas vitesh konflikt.
“Ka shumë vetëdije politike”, tha Wahid, i cili është nga qarku Kiber. “Ne do të protestojmë dhe do të rezistojmë në mënyrë paqësore”./REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co