“As Reali nuk shkëlqen çdo ndeshje”, Slot: Liverpulin e presin tri finale

as reali nuk shkelqen cdo ndeshje slot liverpulin e presin tri finale

Arne Slot mund të jetë ende duke pyetur veten se si skuadra e tij e Liverpulit u largua me një fitore 1-0 ndaj PSG-së të mërkurën mbrëma nga Parisi, por fokusi kryesor i tij tashmë është Premier Liga. “Reds” presin Sauthemptonin sot, në atë që do të jetë ndeshja e tyre e vetme e kampionatit gjatë muajit mars.



Një fitore do ta dërgonte Liverpulin 16 pikë përpara Arsenalit në krye të Premier Ligës, dhe do ta spostonte të gjithë presionin ndaj Arsenalit të vendit të dytë për të fituar dy ndeshjet e tyre më pak, kundër Mançester Junajtidit të dielën dhe Çelsit një javë më vonë.

Sot, holandezi do të shlyejë edhe ndeshjen e dytë të pezullimit, pas kartonit të kuq të mori në barazimin ndaj Evertonit, që do të thotë se ai do të kthehet në pankinë për finalen e Kupës Karabao kundër Njukasëllit më 16 mars.

Por përpara temës së kampionatit, ai u ndal edhe njëherë të vlerësonte portierin Alison për pritjet e tij në “Parc des Princes”:

“Mendoj se për t’u bërë portieri më i mirë në botë, ndonjëherë duhet të bësh pritje që të tjerët nuk mund t’i bëjnë. Mendoj se ai bëri dy pritje të klasit botëror ndaj PSG-së. Për mua, ndeshja kundër Sauthemptonit është shumë më e rëndësishme për momentin. Është një javë që mezi e presin të gjithë tifozët e Liverpulit. Të gjithë po flasin për atmosferën që do të jetë në ndeshjen e kthimit në Champions, por unë shpresoj që tifozët të jenë më të zhurmshëm në ndeshjen kundër Sauthemptonit dhe jo në finalen e Kupës Karabao apo kundër PSG-së.

Më duhet t’i bind lojtarët që ne luajmë tre finale. Shpresoj që të mos vijnë në stadium përpara nisjes së ndeshjes, por i gjithë stadiumi të jetë i mbushur gjysmë ore përpara, që lojtarët të marrin shpërblimin për atë që bënë në Paris dhe punën e madhe. Nëse do të fitosh një trofe, qoftë Premier Liga, Kupa, apo Liga e Kampioneve apo FA, njëherë në kaq kohë, të duhet të bësh një ndeshje ku nuk luan futbollin më të mirë dhe je me fat, që ndoshta nuk është fat nëse punon aq shumë sa punojmë ne për të marrë rezultatin.

Nuk ka skuadra që luajnë 38 ndeshje futboll të mirë. Reali është një shembujt më të mirë të kësaj. Ata e gjejnë gjithnjë një mënyrë për ta fituar ndeshjen edhe nëse rivali është më i mirë sesa ata”. Kodi Gakpo, mungoi kundër PSG-së pas një problemi në kavilje, por mbetet në dyshim edhe për “Shenjtorët”: “Ai nuk u stërvit dje, kështu që le të shohim nëse mund të stërvitet me ne sot. Do jetë përsëri një vendim i momenteve të fundit. Nuk është një dëmtim afatgjatë, por ai ende kishte pak dhimbje dje, kështu që nuk ishte në gjendje të stërvitej”.

Screenshot 2025-03-08 104348

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

dsaadmin

Learn More →