Artikulli special i “Marca”/ Rei Manaj, në kërkim të kurorës së “mbretit”

artikulli special i marca rei manaj ne kerkim te kurores se mbretit

































Prestigjiozja spanjolle “Marca” ia ka kushtuar një artikull të gjatë sulmuesit kuqezi, Rei Manaj.

manaj

Pasi përshkruhet me detaje gjithë karriera e futbollistit, në artikull theksohet se Manaj, ende në kohë për t’u bërë “mbret”, vjen në momentin e tij më të mirë. Golashënuesi i tretë më i mirë në Turqi, pas Ikardit dhe Xhekos, sipas “Marca”- s, është një kërcënim për Spanjën, Italinë dhe Kroacinë në Europian. Ja dhe artikulli i plotë: Deri sot Rei Manaj nuk arriti kurrë të mbante kurorën e mbretit, ashtu siç ka emrin (Rey). Ishte tërësisht jashtë vëmendjes dhe kishte humbur shkëlqimin e tij.

Por ndonjëherë mjafton një moment për t’u rikthyer. Këtë e tregojnë 22 golat që ka shënuar në këtë sezon me Sivasporin në Turqi dhe e bëjnë atë një nga rreziqet më të mëdha të Shqipërisë së Silvinjos në prag të Europianit. Rivali i Italisë, Kroacisë dhe… Spanjës. E vërteta është që Shqipëria nuk ka pasur ndonjë traditë të madhe në turnetë e rëndësishëm të futbollit. Kjo do të jetë hera e dytë që merr pjesë në një Europian, pasi nuk arriti dot në vitin 2016 të bënte më mirë sesa faza e grupeve. Manaj në atë kohë ishte vetëm 19 vjeç, por shumë flitej për të…

NË KËRKIM TË LAVDISË Që kur ishte fëmijë e kuptoi që për të triumfuar në botën e futbollit, duhej të kërkonte diku jashtë territorit të Shqipërisë dhe u zhvendos me familjen në Itali. Një vend që ka prodhuar sulmues të fortë në historinë e futbollit. Pas një periudhe të shkurtër në kategoritë inferiore të Piaçencës, Rei Manaj zbarkoi te Kremoneze në vitin 2012 dhe 4 vite më vonë u transferua tek Interi për 500 mijë euro. Pasi fitoi titullin kampion me të rinjtë, Manaj konsiderohej si një nga yjet e akademisë zikaltër. Pavarësisht se debutoi dhe zhvilloi 6 ndeshje me skuadrën e parë, kurrë nuk mori vëmendje maksimale dhe nisi që të huazohej te Peskara, Piza apo Granada dhe në fund te Albasete, që bleu kartonin e tij për 2 milionë euro. Pas 10 golash të shënuar në 41 ndeshje, Barcelona pagoi 2 milionë euro të tjera në vitin 2020 për ta marrë në ekipin B, ku shënoi 16 gola në 31 ndeshje, nën urdhrat e Garsia Pimientas. “Shpresoj që të sjell shumë gjëra me eksperiencën dhe lojën time. Jam i vetëdijshëm që puna e një sulmuesi matet me gola”, tha ai në prezantimin si katalanas.

SHUMË ILUZION Në atë kohë ishte 23 vjeç dhe për krizën ekonomike që po kalonte Barcelona, trajneri Kuman u detyrua ta merrte me vete edhe në ekipin e parë në fazën përgatitore. Në ndeshjen e parë miqësore shënoi 3 gola kundër Nastik dhe u mendua si një nga lojtarët që mund të jepte kontribut për atë sezon. Xherard Pike uli rrogën që sulmuesi i Kombëtares shqiptare të federohej në La Liga. Një lëvizje që në fakt rezultoi e pavend. Në ditët e fundit të merkatos, Rei Manaj u largua drejt Serisë A për të luajtur me Specian, për 1 milion euro. “Kuman kishte besim tek unë, por vendosa të largohesha, sepse kisha nevojë për të luajtur dhe për minuta”, tha Manaj pas largimit.

NË FERR Ishte një lëvizje logjike për Rei Manajn, që për më tepër do të vendosej nën urdhrat e një trajneri si Tiago Mota. Por Manaj e humbi shkëlqimin. Nga ai moment, e gjithë bota e humbi nga shikimi dhe sulmuesi që bëri të dashurohej edhe tifozëria katalanase po vuante. Vetëm pas një viti në Itali, Manaj firmosi me Uotfordin, por pak muaj më vonë e prishi kontratën, për shkak të një dëmtimi të rëndë. Luajti vetëm 7 ndeshje dhe mbeti pa ekip. Nuk pati vazhdimësi dhe karriera e tij në moshën 26-vjeçare ishte drejt shkatërrimit. Por ja ku erdhi një telefonatë nga Turqia dhe i ndryshoi jetën. Sivaspori u shfaq si një burim në shkretëtirë. As më pak dhe as më shumë, por një klub në ligën kryesore të futbollit turk. Në fakt, çdo skuadër tjetër do t’i bënte punë Manajt. “Dua të falënderoj këtë klub për mundësinë që më ka dhënë. Tani dua të flas në fushën e lojës”, tha Manaj në prezantim. E nisi si i panjohur për t’u bërë ylli i skuadrës. Mbylli sezonin më të mirë të karrierës së tij me 22 gola në 36 ndeshje, 18 prej tyre në kampionat, që e renditën atë të tretin në listën e golashënuesve, pas Ikardit dhe Xhekos. Këta të fundit kanë luajtur për 2 ekipe gjigante, si Gallatasaraji dhe Fenerbahçe, ndërsa Rei me një ekip të vogël. U bë lojtari që i sfidoi të gjithë, duke u renditur i dyti për goditje drejt portave kundërshtare 114. Sa herë afrohet në zonë është i tmerrshëm dhe duket sikur kërkon hakmarrje në çdo goditje.

LIDER Rendimenti i tij nuk mbeti pa vënë re nga trajneri Silvinjo, që e ka përfshirë në listën e Kombëtares, ku ka shënuar 6 gola në 31 ndeshje. Nga një i harruar mund të shndërrohet në një kërcënim për Spanjën. Nuk është i vetmi te Shqipëria, pasi do të ketë mbështetjen e lojtarëve si, Kumbulla, Gjimshiti, Hysaj, Asllani, Bajrami dhe Broja. Nuk është kurrë vonë për t’u bërë “mbret” (Rei).

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →