Mesfushori i Realit të Madridit, Federiko Valverde monopolizoi fillimin e konferencës për shtyp të trajnerit Karlo Ançeloti para ndeshjes kundër Betisit.
Tekniku italian i Realit ka konfirmuar se uruguaiani nuk do të jetë as sonte kundër Betisit në Sevilje, por konfirmoi se ai do të jetë gati në derbin e së martës së ardhshme kundër Atletikos në Ligën e Kampioneve.
“Ai ka një dëmtim, ndaj nuk është një pushim i planifikuar. Ai ka ende shqetësime dhe nuk është rikuperuar 100%, ndaj nuk do të jetë në ndeshjen kundër Betisit. Por ai do të jetë në ndeshjen e ardhshme kundër Atletikos”, deklaroi Ançeloti.
GJITHÇKA PËR BETISIN – Duke qenë se mesjavën e ardhshme Reali do të kthehet në Champions me një derbi kundër Atletikos, gazetarët e kanë ngacmuar trajnerin e “Los Blancos” për këtë takim. Por Ançeloti ka zgjedhur të fokusohet vetëm te Betisi. “Jam më shumë i shqetësuar për forcën e Betisit, sesa për mungesat tona. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për La Ligën dhe ne nuk po mendojmë për Ligën e Kampionëve. Do të jetë një ndeshje shumë e ndërlikuar”. Ançeloti tha se nuk shqetësohet për mungesat, megjithëse ka një që e shqetëson veçanërisht, ai i Bellingam i pezulluar. “Për mua, pezullimi i Bellingamit është i padrejtë. E kam thënë këtë gjë dhe i qëndroj mendimit tim”.
BATUTA PËR MBAPE – Trajneri i Realit të Madridit nuk ka dashur të futet në debate me gazetarët dhe është shfaqur i buzëqeshur dhe me humor të mirë. Ata e kanë ngacmuar në lidhje me gjendjen e Kilië Mbape, i cili gjatë javës kishte bërë një operim në gojë dhe që e detyroi të mungonte në “Anoeta” kundër Sociedadit në Kupën e Mbretit. Përgjigja e tij ishte pasqyrë e gjendjes së tij plot humor. “Dhëmbi i tij është zhdukur. Nuk mendoj se do ta kthejë më, por vetë ai është mirë. Është gati të luajë”, tha trajneri madrilen duke qeshur, ndërsa përdori edhe ironinë për të folur për Modriçin. “Duhet të jem pak i sjellshëm … Modriç është një nga lojtarët e paktë që nuk ka pasur lëndime këtë sezon. Nuk e kuptoj pse ai nuk mund të luajë dy ndeshje radhazi. Të dhënat që kemi tregojnë se ai është një lojtar i përgatitur mirë”, tha ai.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL