Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë të enjten se Marrëveshja e Ohrit “nuk nënkupton njohje, por normalizim të marrëdhënieve” mes Kosovës dhe Serbisë.
Marrëveshja e Ohrit, e cila u arrit vitin e kaluar, parasheh që Serbia t’i njohë simbolet shtetërore të Kosovës, të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dhe që palët ta respektojnë reciprokisht integritetin territorial dhe sovranitetin e njëra-tjetrës.
Hill tha për portalin Bujanovacke se Serbia e ka përmbushur “një pjesë të mirë” të asaj marrëveshjeje dhe se gjëja më e rëndësishme që ka mbetur është gjetja e mënyrës që Kosova të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare.Ai ka theksuar se “kuptimi i Marrëveshjes së Ohrit është normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Që njerëzit duke kaluar nëpër pikat kufitare nuk mendojnë për politikë, por për rritjen e cilësisë së jetës së tyre”, shtoi ai.
Ambasadori amerikan po ashtu ka theksuar se Serbia ka të drejtë për një Asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Në Kosovë, ata e shohin Asociacionin si një lloj Republika Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, por Asociacioni nuk ka ngjashmëri me Bosnjë e Hercegovinën,” tha Hill.
Ai gjithashtu vlerësoi se “Serbia dhe serbët në Kosovë para së gjithash kujdesen për arsimin dhe kujdesin shëndetësor”, dhe se “përmes Asociacionit ata kanë të drejtë për këtë”.Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, ndër të tjera, e obligon Kosovën ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili do t’u mundësonte serbëve në Kosovë një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit.
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve u pranua nga Kosova dhe Serbia në fund të shkurtit të vitit të kaluar, ndërsa aneksi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje u dakordua në mes të marsit në Ohër.
Serbia nuk pranoi ta nënshkruajë atë marrëveshje dhe vendosi vija të kuqe, pra se nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe as anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.
Megjithatë, BE-ja tha se kjo marrëveshje është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët./REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co