NGA NDUE DEDAJ
Ka kombe që e kanë kaluar rilindjen e tyre, por ne shqiptarët jo. Se përndryshe postulatet atdhetare e poetike të Rilindjes nuk do të ishin kaq aktuale. Mund të qëmtojmë vargje sa të duam nga letërsia e njëqind e ca viteve më parë, por po shkëpusim vetëm katër të tilla nga poezia “Gjuha shqipe” të Gjergj Fishtës:
“edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t’enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali”.
Por, a po e gëzojnë shqiptarët Shqipërinë, djali mbas djali e kohë mbas kohe? Shqiptarët po “gëzojnë” vendet e tjera të rruzullit, por jo atdheun e tyre, pasi atë e kanë uzurpuar hajnat e shtetit, të papërgjegjshmit e gubernës, njerëzit e kotësisë dhe të krimit. Nuk flitet më për ideale e idealizëm, atdhedashuri, por për atdhezhvatje. Është e frikshme të thuash këtë, por realiteti ky është. Dosjet e SPAK dhe kolonat e gazetave mbushën përditë me bisedat kriminale të përgjimeve, për hakmarrje të shqiptarëve ndaj shqiptarëve. Kryeministri na thotë se drejtësia është arritja më e madhe që nga viti 1912 e këndej. Sigurisht kjo është e vërtetë për në Europë e Amerikë, ku ligji nuk kursen as kryeministrat e presidentët, le pastaj McGonigal-ët, por ende jo në vendin tonë. Shqipëria po na rrëshqet nga duart dhe nga sytë. Prandaj do të donim që jo vetëm mësuesit dhe profesorët e letërsisë në shkolla e auditorë universitare, por edhe vetë kreu i shtetit, qeveritarët, drejtuesit e tjerë ta nisnin ditën duke shqiptuar fort këto vargje të Fishtës, poemat e De Radës, Naimit etj. dhe në radhë të parë, Himnin e Flamurit. Me të drejtë një poete kishte përzgjedhur katër vargje të rilindasit Prend Doçi për të fshikulluar marrëzinë e fundit në tarracën e Bashkisë së Tiranës, ku u “çiftëzuan” në martesë dy gra fatkeqe:
“Erz ma s’kemi, na marruen
Varza e gra kan shkue n’robni
Të tan vllazënt na i faruen,
Kush mbet nesh, mbet faqezi…”
2-Bash për këtë bjerrje të përgjithshme të vlerave kombëtare e morale na duhet një rilindje e dytë. Për të ruajtur identitetin shqiptar, siç kishte qenë dhe qëllimi i Rilindjes Kombëtare të 900-ës. Atëherë identiteti kërcënohej nga sundimi i gjatë otoman, copëtimi i kufijve ndër fqinjë etj., kurse sot nga të tjerë faktorë. Shqiptarët, në vend që të përbashkohen në kohë moderne, po i braktisin përditë e më shumë trojet e tyre amtare, çka e bën të domosdoshme një “Bibël” të tyre përreth mëmëdheut. Nëse udhëheqësit e Shqipërisë, por edhe të Kosovës, në demokraci herë-herë kanë pasur qasje “sulltanore” ndaj të qeverisurve të vet, si dhe servilizëm apo karshillëk ndaj ndërkombëtarëve, sa i përket gjeopolitikës rajonale, ka pasur ngjarje që mund të quhen të jashtëzakonshme, ku në tri vitet e fundit kemi dy kryeministra shqiptarë, Dritan Abazoviç në Mal të Zi dhe Telat Xhaferi në Maqedoninë e Veriut, ky i fundit më parë kryetar i Kuvendit.
Kemi deputetë shqiptarë të Preshevës në Parlamentin e Serbisë. Pesë vite më parë shqiptarja Arba Kokalari (Suedi) u bë deputete e Parlamentit Europian. Kjo është një meritë që duhet t’ia njohim politikës. Ashtu siç është pazotësia e saj që zëri shqiptar, teksa rritet në Europë, po meket (mpaket) në trojet e veta. Është një kontradiktë, që mund ta zgjidhë vetëm një rilindje e dytë kombëtare, pas njëqind e pesëdhjetë vjetësh nga fillimet e së parës. E nëse Rilindja e parë i kishte vatrat jo pak jashtë vendit, kjo e dytë lipset t’i ketë pikë së pari brenda trojeve.
Arbëreshët, edhe pse përherë e më të paktë, vijnë përherë e më shumë këndej Adriatikut. Ka filluar të vijë dhe diaspora në ditë festive kombëtare, shkojnë dhe qeveritarët për t’i takuar emigrantët. Atje vihen buste të Skënderbeut dhe hapen shkolla shqipe, bëhen mbrëmje për 28 Nëntor dhe i këndohet atdheut me dashuri, pa kurrfarë pompoziteti, grimasash dhe “aktrimi” patriotik, siç ndodh shpesh këndej për të fituar zemrat e vorfnuara të votuesve. Rilindja, për të cilën po flasim, do ta bënte këtë klasë politike të rrjedhur e të tredhur t’ia linte vendin një elite të re. Teksa Kosova, edhe prej rrethanave të krijuara, qarkullimin e elitave politike e ka realizuar.
Gjithë çfarë (s’)është bërë në këto tridhjetë vjet nuk kanë mjaftuar që shqiptarët të jenë një zë në Europë, edhe pa qenë një shtet. Vetëm me këtë shpjegohet fakti që Shqipërisë i ofrohet, por nuk i jepet anëtarësimi në BE, sikur në këtë forum nuk do të hyjnë shqiptarët, por qeveritarët e korruptuar. Po ashtu, kurrfarë drejtësie nuk ka nga ana e politikës dhe diplomacisë europiane, që Kosovës i ofrohet në prill, por nuk i jepet në maj, anëtarësimi në Këshillin e Europës. Po ashtu, si mundet që një vend i BE si Greqia bën politikë provinciale, duke kandiduar për në Parlamentin Europian një të dënuar për manipulim zgjedhjesh të një vendi tjetër!? Kjo do të thotë se të ashtuquajturat murana të Ballkanit nuk bien dhe aty ku besohet se demokracia është e konsoliduar. Por, edhe disa zhvillime përtej gadishullit, shpesh nuk janë të duhurat për shqiptarët. Vite më parë Shqipërisë i kërkohej të bëhej vendi i shkatërrimit të armëve kimike, tani që të bëhet strehë për refugjatët afrikanë të Italisë, duke vënë në dispozicion Shëngjinin dhe Gjadrin.
Sigurisht që të gjitha këto duan përgjigje politike nga ana e shqiptarëve, por të atilla që të ishin në frymën e një rilindjeje moderne dhe jo të “rilindjes” qeverisëse, që mendon se mjeti më i mirë për të ndenjur pushtet është oratoria kryeministrore para emigrantëve në një stadium të Greqisë. Çfarë kuptimi ku turi i Kryeministrit në Athinë, Milano, Londër, Dyseldorf për t’u takuar me emigrantët shqiptarë kur atyre nuk mundësohet votimi në atdhe? Nga ana tjetër është hipokrizi të shtiresh i dashur me njerëzit e thjeshtë me flamuj në duar dhe të mos ngrihesh në këmbë për t’i dhënë dorën homologut tënd të të Kosovës, por të sillesh me të si “shefi” i tij!? Të mbahesh me të madh, edhe pse nuk të ecën puna, kjo është prirje e sundimtarëve. Vetëmburremi me arritje të qena e të paqena, kurse ata jashtë na thonë se nuk i keni punët mirë. Vërejtje nga BE në tërësi për mosbërjen e “detyrave të shtëpisë”, plotësimin e rekomandimeve, kryerjen e reformave, keqpërdorimin e grandeve për bujqësinë, vlerësimet negative të Piza-s për arsimin, kritikat e “Reporterëve pa Kufi” për lirinë e medias etj.. Pas këtyre, a kanë kuptim batutat ‘ne s’jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka’!? Po, po, gjithmonë ka më të mirë se shpërdoruesit e pushtetit.
3-Nuk janë vetëm problematikat e rëndësishme në rrafshin gjeopolitik e gjeostrategjik, por dhe përditshmëritë e “vogla”, të “padukshme”, tronditëse kur i analizon. Po ndalemi në një dukuri, sa të vjetër, aq dhe të re. Martesat mes njerëzve të kombësive të ndryshme, në vend që të jenë dashuri, lumturi, diversitet kulturor e gjuhësor, shpesh kanë qenë e kundërta, bjerrje e vlerave të shqiptarisë. Bisedonim kohë më parë me një grua në një kryeqytet të rajonit. Ajo ishte nga një fshat i Shqipërisë së Mesme, martuar në një burrë të një kombësie tjetër në një shtet fqinj. Me mblesëri të kohëve moderne. Kishin bërë si kishin bërë për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin, por nuk do të merreshin vesh që fëmijët të mësonin dhe gjuhën e nënës. Asnjëri nga katër fëmijët, tri vajza dhe një djalë. I shoqi nuk kishte dashur, me argumentin se fëmijët do të ngatërroheshin e nuk do të mësonin dot gjuhën e etnisë të cilës i përkisnin nga i ati. Dhe ky është vetëm një brez, i njëzet e pesë vjetëve të fundit. Të jetë ky globalizmi? Apo kjo është më së pari një dukuri ballkanike e asimilimit shqiptar, përfshi dhe familjen. Doemos që nuk do të ndalohen martesat e kombësive të ndryshme, por e drejta e gjuhës duhet të njihet me ligj. Dihet dhuna ndaj gruas në Ballkan në forma të ndryshme, fizike, psikologjike etj., por dhuna ndaj gjuhës është e paimagjinueshme. “Fëmija yt si grua nuk do të flasë shqip, për shkak se është fëmija im, që jam burrë serb, malazez, boshnjak, maqedonas, grek etj.”. Na rroftë që i tubojmë bashkëkombësit rreth përmendoreve të Skënderbeut në Tiranë, Prishtinë, Dibër të Madhe, Shkup e Ulqin, kur fëmijët e etnisë sonë nuk dinë gjuhën e tyre!…
Rilindja e parë në të vërtetë u pasua nga një e dytë, paçka se nuk pati ndonjë emërtim të tillë, në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur në Kosovë dhe troje të tjera shqiptare jashtë kufijve të 1913-ës u hapën shkollat shqipe dhe u vendos administrata e shtetit shqiptar, ndonëse nën pushtim, që u udhëhoq nga rilindas si Mustafa Kruja e Ernest Koliqi, çka individualisht ishte bërë dhe më parë nga rilindas si Shtjefën Gjeçovi etj.. Por, ky projekt kombëtar perëndimor mbeti pa u përfunduar, për shkak të krijimit të federatës komuniste jugosllave të pas Luftës së Dytë Botërore. Autonomia e Kosovës së vitit 1968 është një përpjekje, sërish nën pushtim, për të botuar libra shqip, hapur universitet shqiptar, shkëmbime kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës etj..
Por, gjithsesi, rilindja shqiptare në këtë periudhë historike nuk ndodhi, pasi shqiptarët nuk kishin shtetin e tyre, siç e kanë sot në Kosovë, apo ku janë në pushtet në vendet e tjera dhe gjuha shqipe është gjuhë e dytë zyrtare. Shqiptarët në Kosovë, Shkup apo Tetovë, në këto tridhjetë vjet krijuan liderët e vet shpirtërorë dhe politikë, si Ibrahim Rugova, Ukshin Hoti, Anton Çeta, Dritan Abazoviç, Arbër Xhaferi etj. dhe kjo nuk është pak. Rilindjen e sjellin njerëzit me shpirt rilindës, ringjallës. Shqiptarët e kanë vetëdijen kombëtare, por tash është koha për ta ridëshmuar edhe njëherë, me qëllim që vonesa e integrimit europian, shpopullimi masiv i trojeve shqiptare, apo dhe globalizmi “përmbytës” i vlerave lokale të mos na shndërrohet në një krizë ekzistenciale! Pa lënë mënjanë asnjë çast strategjinë shkombëtarizuese serbe ndaj shqiptarëve në Mitrovicën veriore etj.
Shqiptarët kanë elitën e vet filozofike, letrare, shkencore, kulturore, politike, por nuk dimë sa ajo është dhe akademike, në kuptimin sa mendimi shqiptar zë vend në agjendat e akademive të shkencave etj.. Shoqëritë, atdhetarë kulturorë të Rilindjes Kombëtare u quajtën akademi, pasi u përpoqën të luanin një rol ndriçues ndër shqiptarë. Roli “ndriçues” është dhe sot dhe fanarët janë, por ai i shohim ata. Përballë krekosjes së qeveritarëve janë artistët e mëdhenj, ta pabujshëm të kombit. Vetëm pak ditë më parë sopranoja e shquar Ermonela Jaho u vlerësua nga Mbreti i Anglisë dhe fotoja e saj “mbretërore” ishte kopërtina më e mirë shqiptare e kësaj stine.
* * *
Rilindja Kombëtare u frymëzua nga vlerat europiane të lirisë, pavarësisë, humanizmit, diturisë, emancipimit social-kulturor dhe u mor kthesa historike për kah Perëndimit. Shinat europiane janë sërish orientimi i shqiptarëve, por trenin tonë për atje e pengojnë “gurët në rrota”, që janë krimi, korrupsioni, antishteti i vetë shtetarëve e qytetarëve. Shqiptarët nuk besojnë më tek partitë, ndaj një Rilindje e Dytë do të ishte mbase i vetmi shpëtim.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co