Virxhil van Dajk këmbëngul se ai nuk është aspak i befasuar nga paraqitjet e Liverpulit këtë sezon, me skuadrën e Arne Slotit katër pikë më shumë në krye të Premier Ligës dhe me një ndeshje më pak.
I pyetur nëse lojtarët ishin të befasuar me fillimin e tyre të jashtëzakonshëm nën drejtimin e Slotit, pasi mposhtën Totenhemin 6- 3, kapiteni i Liverpulit tha: “Jo. Ne kemi pasur vetëm një shtesë në skuadër (Kiezën). Ky grup lojtarësh kanë luajtur së bashku për një kohë të gjatë. Përvoja dhe cilësia janë atje. E shoh çdo ditë. Është padyshim një surprizë kur ndodh një ndryshim kaq i madh me Klopit që zëvendësohet nga trajneri i ri dhe gjithmonë do të kishte pikëpyetje, por unë sërish kisha besim te skuadra ime se ne mund të konkurrojmë për të paktën kreun e Premier Ligës”.
“Reds”-t do të kryesojnë në Krishtlindje. Në 16 sezone nga 32, kryesuesit e Premier Ligës në datë 25 dhjetor kanë fituar titullin, por mbrojtësi thotë: “Ne kemi qenë atje. Ne e kemi bërë më parë. Ne kemi humbur dy herë me diferencë të vogël. Çelësi është ta marrim ndeshje pas ndeshje. Ne fituam, por tani fokusi është te Lestëri dhe më pas skuadra tjetër. Kryesimi i ligës në Krishtlindje është i këndshëm për ne dhe të gjithë ‘Reds’-at anembanë botës, por ne duam të jemi atje edhe në maj”.
I pyetur për potencialin për të fituar katër trofetë këtë sezon, holandezi shtoi: “Ne nuk mendojmë për atë mund të fitojmë në maj. Ne duam të jemi atje në maj, por e kemi parë se sa e vështirë është”. Për Salahun, i cili u bë golashënuesi i katërt më i mirë i Liverpulit dhe lojtari i parë i Premier Ligës që arrin shifrat e dyfishta në gola e asiste para Krishtlindjeve, kapiteni tha: “Numrat flasin vetë. Ai është një sportist shumë i veçantë”.
Por për të ardhmen e tij, kontrata e të cilit skadon në fund të sezonit 33-vjeçari tha se nuk ka një afat për rinovimin: “Nuk ka asnjë afat. Do të shohim se çfarë na pret e ardhmja. Fokusi im është te Lestëri tani”.
PANORAMASPORT.AL