Reali i Madridit ka mundur me lehtësi Seviljen 4-2 në ndeshjen e fundit të vitit të dielën pasdite në “Bernabeu”.
Kjo ka bërë që tifozët e klubit të bardhë të largohen me një shije të mirë. Një shije disafish më e mirë. Fitorja u shoqërua me parakalimin e Barcelonës në La Liga, ndërsa tifozët shijuan dhe një nga versionet më të mira të Kilië Mbape. E nëse Mbape nuk ishte perfekt, ai ishte shumë pranë të qenit i tillë. Ndeshja e francezit kundër Seviljes ishte më e mira e sezonit, me një gol të mrekullueshëm dhe, mbi të gjitha, një paraqitje që kufizohej me të jashtëzakonshmen në të gjitha aspektet e lojës.
Në fakt paraqitjeve të tij të deritanishme i mungonin golat, por për herë të parë këtë sezon tifozët e Realit kanë mundur të shohin vërtet se çfarë mund të bëjë Mbape në Madrid. Mbape e nisi ndeshjen duke dërguar një top në këndin e sipërm të portës së Seviljes, duke i dhënë epërsinë Realit dhe shtruar rrugën e suksesit. Ai nuk kishte nevojë të zhvendosej në krahun e majtë për të shkëlqyer, duke treguar se talenti i tij është mbi pozicionet. Ai gjithmonë i jepte fillim skuadrës kur merrte topin nga shpina e mbrojtësve të Seviljes, ishte preciz në lojë me prekjen e parë dhe tregoi potencialin e tij në duelet një kundër një. Ai e mbylli ndeshjen e tij të mrekullueshme me një asist të madh për Brahimin Diaz në golin e katërt të Realit, një mik që ka qenë pranë tij në kohë të vështira. Mbape ia ka kthyer kështu borxhin. Sepse Mbape, të gjithë e dinë, ka kaluar një periudhë jo fort pozitive.
Netët në “Anfield” dhe “San Mamés” e vendosën atë në qendër të vëmendjes, por ishte atëherë që francezi e kuptoi vërtet se çfarë ishte Reali i Madridit. Ançeloti dhe shokët e tij i erdhën në ndihmë dhe Mbape, siç e ka pranuar, ishte vetëkritik.
“Ndeshja e Bilbaos ishte pika e kthesës për mua, preka fundin duke humbur penalltinë dhe ishte koha për të kuptuar se duhet të jepja gjithçka për këtë fanellë dhe të luaja me personalitet”, tha sulmuesi pas ndeshjes kundër Seviljes, nga ku doli si lojtari më i mirë i takimit. Falë tij dhe suksesit të Realit, skuadra e Ançelotit e mbylli vitin përpara Barcelonës në renditje dhe një pikë prapa kryesuesve, Atletiko. Ndëkrohë, që në planin personal, Mbape arrin shifrën e 14 golave, duke barazuar Viniciusin si dy golashënuesit më të mirë të ekipit në këtë sezon. Mbape, si pothuajse të gjithë lojtarët, e kishte të vështirë nisjen në Madrid. Ançeloti kërkoi qetësi në shtator, i vetëdijshëm se edhe më i madhi ka nevojë për kohë. Kështu e shpjegon Mbape. “Mendoj se tani e njohim më mirë njëri-tjetrin, jam bashkuar me ekipin dhe kjo ndryshon shumë gjëra dhe tani përshtatja, siç thotë trajneri”. Reali ka boll arsye për të qenë i kënaqur, Mbape është kthyer në versionin bishë.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL