Vijojnë të prodhojnë polemika fjalët e mjekut të Lacios, Ivo Pulçini, për lojtarin që në vitin 2019 nuk u firmos nga klubi kryeqytetas, pasi nuk i kishte kaluar kontrollet diagnostikuese.
Ajo që shqetëson, sidomos pas asaj që i ndodhi Edoardo Bovesë, është fakti që lojtari i përmendur nga doktor Puliçini sot luan me një nga klubet më të mëdha të Serisë A. Teksa federata ka nisur hetime, natyrshëm ka kureshtje për identitetin e futbollistit.
Përgjigja për pyetjen është e thjeshtë sepse bëhet fjalë për Strahinja Pavloviç, mbrojtësi serb që mbërriti në Itali, por pesë vjet me vonesë në krahasim me atë verë negociatash, kur, pavarësisht vlerësimit të madh të Igli Tares (në atë kohë përgjegjës i transferimeve te bardhekaltrit), u refuzua për shkak të rezultateve negative të analizave të kryera nga tri nklinika të ndryshme. Marrëveshja mes Partizanit të Beogradit dhe Lacio dukej se ishte e vulosur dhe qendërmbrojtësi ishte gati të hidhte firmën në fund të kontratës, por gjithçka dështoi.
Nuk kishte asnjë gjurmë tjetër të atyre parregullsive në përvojat e mëvonshme: asnjë nga klubet në të cilat ai luajti nuk gjeti ndonjëherë parregullsi nga pikëpamja mjekësore. As Monako, që e mori në janar 2020, as Srekle Bryzh apo Bazel (ku ishte i huazuar) dhe as Salcburgu, që e bleu në 2022.
PËRSE PAVLOVIÇI? – Aventura e Pavloviçit në Serie A me Milanin filloi në fund të korrikut, por jo përpara se t’i nënshtrohej një procesi ekzaminimi mjekësor që ishte i ndryshëm nga të gjitha nënshkrimet e tjera të reja të kuqezinjve: kontrollet e tij nuk u kryen në klinikën e zakonshme “La Madonnina (në Milano), por në një institucion shëndetësor në Padova.
Ai iu nënshtrua një kontrolli më të plotë për të larguar çdo hije dyshimi. Pse? Raporti i 2019-ës kishte lënë dyshime për integritetin e tij fizik, si dhe reflektime serioze për përshtatshmërinë sportive (siç kërkohet edhe nga legjislacioni më kufizues në fuqi, i njëjti që, për shembull, bëri që Eriksen të largohej nga Interi).
Drita jeshile nga punonjësit e shëndetësisë fshiu çdo dyshim (legjitim) në këtë drejtim. Pavloviç nënshkroi një kontratë 4-vjeçare (deri në 2028, me opsion për një sezon tjetër) me një pagë neto prej 1.7 milionë euro ndërsa Salcburgu arkëtoi 18 milionë euro (plus 2 në bonus). Mbrojtësi nuk u bashkua menjëherë me skuadrën, por qëndroi në qendrën stërvitore të “Milanello”-s në pritje të kthimit të ekipit nga turneu amerikan teksa deri në këtë pikë të sezonit si kuqezi ka zbritur në fushë në 14 raste duke shënuar madje edhe një gol.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL
The post Zbulohet lojtari i sëmurë, por te Milani s’ka alarm appeared first on Gazeta Shqiptare Online.