Rodri ka përshëndetur vendimin e Pep Guardiolës për të zgjatur qëndrimin e tij te Mançester Siti, ndërkohë që e ftohu pistën për një transferim të ardhshëm te Reali i Madridit, ndërsa tha se ai ka humbur respektin për klubin.
Mesfushori i Sitit u kurorëzua si lojtari më i mirë në botë në ceremoninë e “Topit të Artë” në tetor, në një vendim që shkaktoi befasi, veçanërisht për Realin, që priste që Vinicius të fitonte çmimin. Vlerësimi i tij si lojtari më i mirë në botë u festua nga Siti, por mungesa e tij nuk është ndjerë kurrë më e madhe, me kampionët e Premier Ligës që po vuajnë në mungesë të tij, pasi Rodri rikuperohet nga një dëmtim i gjatë. 28-vjeçari pësoi një dëmtim të rëndë në gju vetëm disa ndeshje pasi nisi sezoni i ri dhe një operacion në ligament, rrezikon që ta mbajë larg fushe këtë sezon.
Ndërkohë, Siti aktualisht është në serinë e tij më të dobët të rezultateve nën drejtimin e Guardiolës, duke humbur 5 ndeshje radhazi, që e kanë vënë mbrojtjen e titullit në dyshim serioz. Në mesjavë ata panë të shpërdoronin një avantazh 3-0 kundër Fejnordit që mund ta vështirësojë rrugëtimin e tyre të mëtejshëm në Champions. Guardiola dukej se do të largohej nga “Etihad” në fund të sezonit, përpara se të rinovonte kontratën edhe për 2 vite dhe Rodri e quajti trajnerin si të pabesueshëm dhe e lavdëroi atë si shumë ndikues në karrierën e tij. “Pep ka dëshirë të jetë më i mirë çdo ditë. Ai ka fituar shumë, nuk ka nevojë ta bëjë këtë.
Ai e ka këtë uri për të shkuar përsëri, prandaj jam kaq i emocionuar që ka vendosur të qëndrojë”, tha Rodri për programin “Rest Is Football”. “Ai ju kap në dhomën e tij dhe ju tregon taktika, ai është gjithmonë aty me seanca. Ai është kërkues ndaj jush dhe nëse dikush nuk ju shtyn çdo ditë, ti nuk rritesh. Ai është një punëtor i pabesueshëm. Sigurisht që ai është më i miri. Titujt flasin vetë, por edhe Spanja, Gjermania dhe Anglia. Ai ka qenë me ndikim kudo”. E ardhmja e Rodrit në klub ka qenë gjithashtu temë spekulimesh, pasi fituesi i “Euro 2024” pranoi hapur se do të konsideronte një transferim në “Bernabeu” në të ardhmen. Ai është aktualisht nën kontratë me Sitin deri në vitin 2027, ndërsa i etiketoi gjigantët spanjollë si klubin më të mirë në histori, pasi u pyet për interesimin e tyre.
Megjithatë, Reali e kontestoi fort ceremoninë e “Topit të Artë”, në të cilën Rodri u shpall fitues, madje e bojkotoi atë, pasi mësoi se ylli i Sitit do të mposhtte sulmuesin e tyre brazilian. Rodri nuk e kupton ende vendimin e tyre: “Nuk mund ta përshkruaj emocionin e fitimit të ‘Topit të Artë’. Në brezin tim ne kemi parë vetëm dy djem që fitojnë trofeun (Mesi dhe Ronaldo). Nuk mund ta respektoj vendimin për të mos marrë pjesë në ceremoni. Në sport dhe në jetë, është e rëndësishme të fitosh. Por unë mendoj se ka edhe rëndësi si humbet. Ishte momenti im, nuk doja të flisja për të tjerët. Ata nuk donin të ishin atje. Unë doja të isha me klubin tim, me familjen time, me njerëzit që ishin atje dhe më duartrokitën, dhe ky ishte një moment fantastik”.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL
The post “Guardiola është i pabesueshëm”, Rodri: “Topi i Artë”, nuk mund ta respektoj Realin. S’e kuptoj mungesën në ceremoni appeared first on Gazeta Shqiptare Online.