Xhanluka Zambrota është intervistuar nga “La Gazzetta dello Sport”. Ish-mbrojtësi i Milanit dhe Juventusit, foli për sezonin që po përjeton të dy klubet përpara përballjes së nesërme në ora 18:00 në “San Siro”.
Si e shikoni sfidën mes Milanit dhe Juves?
Renditja është padyshim më e keqe për Milanin, i cili është paksa në vështirësi. Juve është pranë kreut, në atë grup prej gjashtë skuadrash të ndarë me dy pikë. Pastaj, natyrisht, Milani ka një ndeshje për të rikuperuar ndaj Bolonjës dhe kundër Juves ka mundësinë të luajë në shtëpi me një stadium të mbushur. Megjithatë, në thelb, janë kuqezinjtë ata që duhet të japin diçka më shumë në këtë moment. Milani fitoi derbin ku nuk ishte favorit, por humbi pikë nga Parma dhe Kaljari, çka nuk duhet të ndodhë kur ke ambicie titulli.
Si ju dukeni deri tani Fonseka dhe Mota?
Milani vjen nga Pioli, i cili më pëlqente shumë dhe që për mendimin tim pati bërë një punë të madhe. Sa për Fonsekën, duhet durim për ta lënë të punojë. Edhe ai më pëlqen shumë, si për paraqitjen e tij në media, ashtu edhe për përgatitjen e ndeshjeve. Ai po bën një punë të mirë, siç e dëshmoi ndeshja kundër Realit të Madridit, për shembull. Paulo pati vështirësi në përballimin e situatave si Teo dhe Leao, por përballoi gjithçka shumë mirë. Për Juventusin, ndryshimi i trajnerit ishte një tranzicion edhe më evident sepse Mota është një trajner i ri, i ardhur nga një sezon i shkëlqyer me Bolonjën, pra në një kontekst tjetër. Ai ka një mentalitet shumë proaktiv, të hapur, nuk ka frikë të propozojë të rinjtë apo të eksperimentojë.
Cilat janë meritat e dy trajnerëve
Te Fonseka shoh një trajner të qetë që e di se çfarë po bën. Më pëlqen personaliteti me të cilin menaxhon. Edhe Mota ka një ftohtësi që e vlerësoj. Mund të kishte shkuar edhe te Milani, por besoj se është mirë aty ku është dhe se me Juven bëri zgjedhjen e duhur.
Si e gjykoni sezonin e kuqezinjve?
Milanit i mungon vazhdimësia. Një skuadër që duhet të luftojë për titullin duhet të jetë më e vazhdueshme dhe duhet të dijë të fitojë edhe ndeshjet “e pista”. Nuk shoh fajtorë individualë, por faj kolektiv, duke filluar nga faza mbrojtëse. Tani do të thoja se e kanë gjetur pak sheshin.
Si do të përfundojë lufta e titullit?
Interi dhe Napoli kanë diçka më shumë nëse bazohemi tek ajo që kanë treguar deri tani. Edhe Juvja më duket në pozicion të mirë për të tentuar rikthimin tek titulli, diçka që e shoh pak më të vështirë për kuqezinjtë.
PANORAMASPORT.AL