Mançester Siti tani do t’i shtojë përpjekjet e veta për të bindur Erling Halandin që të ndjekë Pep Guardiolën në nënshkrimin e një marrëveshjeje të re në “Etihad”.
Kampionët e Premier Ligës shpresojnë se vendimi i trajnerit katalanas për të qëndruar për të paktën një vit më shumë në Mançester, mund të ndihmojë që superylli Haland të bjerë dakord për një mega ofertë prej 100 milionë paundësh. Guardiola i ka thënë “po” në parim një kontrate të re 12-mujore, me opsionin e zgjatjes deri në verën e vitit 2027.
Marrëveshja e re e Guardiolës nuk besohet të përfshijë ndonjë klauzolë lirimi nëse Siti shpallet fajtor për 115 akuzat e Premier Ligës për shkelje të mundshme të rregullave financiare dhe si rezultat zbret nga kategoria. Sulmuesi norvegjez, i cili krenohet me 105 gola me Sitin është përfolur për një transferim te Barcelona. 24-vjeçari u bashkua me skuadrën në vitin 2022 dhe ka ende dy vjet e gjysmë të mbetur në kontratën me vlerë 375,000 £ në javë, pa përfshirë bonuset.
Paga e tij javore do të thotë se ai do të arkëtojë më shumë se 20 milionë paund në sezon. Zgjatja e kontratës do të bënte që Haland të qëndronte në Mançester për katër ose pesë vjet të tjera, gjë që do ta lejonte atë të fitonte rreth 100 milionë paund pa llogaritur bonuset. Guardiola dhe shefat në “Etihad” do të donin ta blindonin sulmuesin me një kontratë afatgjate.
Dhe duke folur gjatë grumbullimit me Norvegjinë javën e kaluar, Haland tha: “Shpresoj që Pep të nënshkruajë një kontratë të re. Ai ka qenë i rëndësishëm për mua në dy vitet e gjysmë deri tani. Shpresoj që ai të qëndrojë më gjatë. Më pëlqen shumë Pep dhe shpresoj që ai të më pëlqejë gjithashtu”. Por Mançester Siti ka një tjetër vendim të rëndësishëm për të marrë, pasi një kampioni si Kevin De Bryjne, i skadon kontrata në verë. Mesfushori 33-vjeçar ka vuajtur dëmtimet sezonet e fundit dhe është përfolur edhe për një transferim të tij në Arabinë Saudite.
Belgu do të jetë i lirë të hapë bisedimet me klubet e huaja në janar dhe mund të pranojë të firmosë me një rrogë më të ulët nëse vendos të qëndrojë përtej kufirit 10-vjeçar në “Etihad”. Edhe fituesit të “Topit të Artë”, Rodrit, i cili do të marrë trofeun në ndeshjen e Sitit kundër Totenhemit të shtunën, pritet që t’i ofrohet një marrëveshje e re.
PANORAMASPORT.AL