Dita e 100-të ka një kuptim simbolik kur bëhet vlerësimi i parë i mandatit presidencial. Një kornizë kohore që është konsideruar si një pikë referimi për të bërë vlerësimin e parë të një autoriteti në hyrje. “Qeveria Mbape” në Madrid ka arritur pikën e parë të vlerësimit jo më larg se dje. Dhe në Madrid e kanë të qartë: “Ne jemi të qetë, e dimë se ai është një lojtar i shkëlqyer”
Nga jashtë gjërat duken ndryshe. Ndryshe duken dhe nga brenda. Sepse ata që punojnë me të në baza ditore nuk dyshojnë në potencialin spektakolar që ai zotëron. Tjetër gjë është se në skenë nuk është shfaqur Mbape më i mire. Por në intimitetin e provave në Valdebebas nuk ka dyshim, ai është një lojtar i madh, thonë ata. Një pjesë e fajit për ndjesinë e çuditshme që rrethon francezin në muajt e tij të parë si lojtar i Realit i atribuohet pritshmërisë spektakolare që krijoi ardhja e tij.
Një iluzion i nxitur nga “premiera e filmit” të tij: gol dhe titull. Mbape shkaktoi eufori në debutimin e tij si lojtar i Realit të Madridit në Superkupën e Europës më 14 gusht. Vetëm një javë pasi u shfaq në Valdebebas për të filluar fazën përgatitore, Ançeloti i dha debutimin në Europë. “Galaktiku” i fundit i Florentino Perez u përgjigj, duke shënuar golin e 2-0 kundër Atalantës, duke regjistruar një debutim ëndrrash: ndeshja e parë, goli i parë dhe titulli i parë.
ULJE-NGRITJET
Por euforia e Superkupës së Europës nuk zgjati shumë. Këtë herë faji ishte diku gjetkë. Ishte te fillimi zhgënjyes i Realit të Madridit në La Liga, me Mbapenë në qendër të vëmendjes, sepse ai nuk mundi të gjente rrjetën! Francezi mbeti në kuotën zero në tre javët e para, që përkoi me dy barazime ndaj Majorkës dhe Las Palmasit, të dyja jashtë fushe. Shtatori do të niste në mënyrë spektakolare për francezin.
Në javën e katërt në Spanjë ai ishte sharmi dhe kundër Betisit bëri debutimin e tij si golashënues në “Bernabeu”. Një dygolësh për t’i dhënë fund dinamikës jo pozitive. Pas ndalesës së kampionatit, në shtator, Mbape vijoi me momentin e mirë dhe pati serinë e tij më të mirë të realizimeve: pesë ndeshje radhazi duke shënuar gjashtë gola. Mbape udhëhoqi sulmin e bardhë dhe ishte golashënuesi më i mirë i Madridit.
Por në momentin më të mirë erdhi frenimi në formën e një dëmtimi muskulor që e detyroi të humbiste derbin kundër Atletikos. Rishfaqja e tij në stol në Francë para ndeshjes kundër Lilës në Champions (2 tetor) krijoi dyshime për rikuperimin e tij dhe ai nuk mundi të shmangë humbjen e parë të sezonit të Realit. Kjo çoi në vendimin e tij për të hequr dorë nga kombëtarja franceze për ndeshjet e tetorit. Ai zgjodhi të ndalej që të ishte i qetë dhe të riaftësohej plotësisht. Por ai nuk kishte paqe mendore, pasi në Francë mungesa e tij krijoi polemika, për më shumë që situata u ndërlikua me “arratisjen” e tij e diskutueshme në Stokholm, që do të përfundonte me përfshirjen e lojtarit në një hetim për një përdhunim të dyshuar (sipas shtypit suedez).
NJË GOL, DISFATA DHE POLEMIKA
Kritikat e para nga Spanja i mori pas humb jeve të dhimbshme kundër Barcelonës (0-4) dhe Milanit (1- 3). Reagimi i skuadrës ndaj Osasunës erdhi gjithashtu pa gola nga francezi, i cili pa Vinicius të shënonte një trigolësh (sikurse ndaj Dortmundit), me brazilianin që u konsolidua si golashënuesi më i mirë i skuadrës.
Në këtë mes, tronditja e Madridit në mbrëmjen festive të “Topit të Artë” u shoqërua me polemika nga Franca për mungesën e Mbapesë në ceremoni. Goditja përfundimtare ishte mungesa e papritur në grumbullimin e fundit të Francës për shkak të një vendimi teknik të trajnerit Deshamp. Mbape është “ngujuar” në Valdebebas për të vazhduar punën në kërkim të rikuperimit të shkëndijës së humbur. Ançeloti e pret krahëhapur, sepse tani më shumë se kurrë i duhet ylli i tij për të kapërcyer “finalet” deri në fund të vitit.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL