Shqipëria ka barazuar pa gola kundër Çekisë në Air Albania, 0-0. Një ndeshje e qetë dhe pa shumë emocione për tifozët në Air Albania, që prisnin një Shqipëri ndryshe dhe që do të luftonte për të fituar. Por në fund 1 pikë e marrë dhe që na lë ende në lojë deri në fund sa i përket vendit të parë. Më poshtë gjeni vlerësimet për disa prej lojtarëve të Shqipërisë sipas “Sport Ekspres”.
Strakosha (6): “Një ndeshje e mirë për Thomas Strakoshën. Në dy momente bëhet shpëtimtar i Kombëtares duke treguar gatishmërinë për të ndërhyrë dhe vëmendjen sa i përket trajektores së topit. Këtë herë duket edhe i bekuar pasi traversa në dy raste e shpëtoi topin nga rrjeta. Kur ka këtë kombinim me fatin, askush nuk e kalon Strakoshën”.
Mitaj (7): “Një prej lojtarëve më të mirë në fushë. Kur sheh mënyrën sesi e trajton topin ky lojtar dhe faktin se nuk ka asnjë lloj inferioriteti ndaj kundërshtarit, ndërsa më pas hedh një vështrim te disa futbollistë të tjerë, një ndjenjë keqardhje të përshkron trupin për mbrojtësin e Al Ittihad. Në pjesën e parë kur topi ishte i ndaluar që të prekej nga Shqipëria, Mitaj ishte i vetmi që i tregonte të tjerëve që po, topi mund të prekej edhe nga ne. 2-3 dhe 4 lojtarë çekë e rrethonin në disa raste, por Mitaj ka gjithmonë një rrugë për të dalë. Mëkat i madh që të tjerët nuk janë në nivelin e tij, vetëm atëherë mund të kuptohej fuqia e vërtetë e këtij lojtari. Për fat të keq, pranvera nuk vjen me një lule”.
Ajeti (7.5): “Dëshmi e qartë se Kombëtarja nuk është gazetari dhe statistikë. Dëshmi e qartë se në Kombëtare nuk luan vetëm me emër klubi dhe me çfarë ke bërë në skuadrën tënde. Kombëtarja do personalitet dhe karakter, nuk është e lehtë të formohet as nëse luan në top 5 kampionatet e Europës. E mbizotëron kundërshtarin në çdo drejtim, vetëm në një moment i shpëton situata nga duart dhe aty fati i buzëqesh. Shumë më ndryshe nga ai çakordim total i ndeshjes së parë me çekët në mbrojtjen tonë, Arlind Ajeti mbi të gjithë”.
Ardian Ismajli (7): “Super ndeshje edhe nga Ardian Ismajli. Fut këmbën dhe kokën aty ku pakkush do të guxonin. Që në momentin kur ka veshur fanellën e Shqipërisë dhe deri tani, Kombëtarja nuk e ka pësuar ende një gol për fajin e Ismajlit. Madje edhe Gjimshiti ka gabuar dhe na ka kushtuar një gol të pësuar, Ismajli ende jo. Tani jo vetëm kaq, por është bërë një lider i madh në mbrojtjen kuqezi që nuk bën vetëm shtyllën mbështetëse për mbrojtësin tjetër, por merr detyrat kryesore”.
Kristjan Asllani (6.5): “Në pjesën e parë fiket totalisht, merr shumë pak përsipër në momentin kur Shqipëria po vuante dhe nuk po shihte topin as me sy, pasi për ta kontrolluar ishte edhe më e pamundur. Në pjesën e dytë, fut një marsh tjetër që ngre nivelin e tij dhe të Kombëtares. E kuptueshme, minutat e pakta të Interit shkaktojnë luhatje të tilla. Por në një ekip të tillë si Shqipëria, është luks të kesh këmbët e Kristjan Asllanit. Lëvizjet me trup, mënyra sesi i shmanget kundërshtarëve, Shqipëria nuk ka lojtarë të tillë. Tifozët shfryjnë me të drejtë pasi presin më shumë prej tij, por Kristjani nuk është i kritikueshëm në këtë Kombëtare”.
Nedim Bajrami (6): “Në ndeshjen kundër Gjeorgjisë, dy raste të pastra goli u shpërdoruan prej tij. Kur u pyet nga gazetari, tha me batutë: “Herën tjetër”. Kjo është panorama e Nedim Bajramit te Shqipëria. Pyetja është…po sikur të mos ketë një herë tjetër? Sa i përket cilësive, është një prej lojtarëve më teknik që ka Kombëtarja jonë, këtë nuk ka njeri që e mohon. Por që Bajrami nuk jep as 70% të potencialit të tij, që e tepron në shumë momente dhe i zgjidh disa situata aq lehtë i shkujdesur sikur të jetë në një miqësore te Rangersi dhe jo ndeshje zyrtare te Shqipëria, edhe kjo është e pamohueshme. Me një Arbër Hoxha dhe Ernest Muçi që rrinë në stol, Nedim Bajrami është kthyer në një lojtar të përkedhelur që e ka vendin gjithmonë të sigurt, pavarësisht mënyrës sesi do të luajë. Ky është gabimi i madh i Silvinjos që luan me 11 lojtarë dhe të tjerët i ka për numër, nuk i llogarit realisht. Nedim Bajramit i duhet një dush i ftohtë në stol dhe më pas do ta kuptoni se çfarë lojtari është realisht, pasi tani po kursen shumë nga vetja me sigurinë e të paprekshmit. Premtoi se golat i kishte ruajtur për Cekinë, por këtë as nuk e gjeti portën. Herën tjetër, ndoshta me Ukrainën ose në të kundërt…herën tjetër, në kualifikueset e Europianit, njëherë topi do të hyjë në atë portë”.
Ernest Muçi (7): “Silvinjo ka ngrënë shumë dreka dhe darka me të, në Poloni dhe në Turqi, por nuk duhen shumë vakte të konsumuara dhe para të harxhuara në udhëtime për të kuptuar vlerat e këtij futbollisti. Kur ndeshja ishte 0-0, të gjithë ishin të ndërgjegjshëm që Shqipëria nuk do të fitonte, barazimi ishte maksimumi që mund të merrnim. Por sapo hyri Ernest Muci në fushë, të gjithë nisën të besojnë se fitorja mund të arrihej, kishte vetëm një mënyrë, nga këmbët e Ernest Mucit. Është një lojtar elegant, me talent të madh dhe një klas që e kanë pak futbollistë te Shqipëria. E habitshme sesi ky njeri nuk preferohet nga Silvinjo. Mund të kuptohej ky minutazh i pakët vetëm nëse në vendin e tij te Shqipëria do të luante ndonjë lojtar i Real Madridit, por për fat të keq, askush prej nesh nuk luan me madrilenët”.
Silvinjo (5.5): “Objektivi ishte fitorja, me barazimin e marrë jemi thuajse jashtë gare për vendin e parë. Për më tepër, trajneri ishte i kënaqur me barazimin pas ndeshjes. Nuk kishte ndërtuar një plan për mënyrën sesi do të godisnim portën kundërshtare, ia kishte lënë rastësisë. Të mbrohesh është e thjeshtë, mjafton një rreshtim në prapavijë, ndërtimi i sulmit është arti i vështirë për t’u realizuar. Njëherë të befason për mirë dhe herën tjetër për keq, Silvinjo është mes luhatjeve po ashtu si rezultatet e Shqipërisë. Por ajo që nuk falet është fakti se ka një 11 titullare dhe të tjerët janë si numër, nuk i llogarit në asnjë rast. Disa të vetkënaqur te Kombëtarja e kanë ulur shumë nivelin e tyre dhe luajnë vetëm në momentin që dëshirojnë, stoli duhet t’i pres këta futbollistë që meritojnë shkundjen”.
Burimi informacionit @Gazeta Sport Ekspres: Lexo me shume ne : Gazeta Sport News gazeta sport news