VOA: Opozita në Kosovë kërkon hetime rreth bisedave telefonike të pushtetit me Listën Serbe

voa opozita ne kosove kerkon hetime rreth bisedave telefonike te pushtetit me listen serbe

Deputetët e partive opozitare në parlamentin e Kosovës, bënë thirrje të premten për hapjen e hetimeve rreth një bisede telefonike ndërmjet shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe ish nënkryetarit të Listës Serbe Milan Radoiçiç.

kuvendi i kosoves

Opozita thirri të premten seancë të jashtëzakonshme të parlamentit për të diskutuar mbi atë bisedë telefonike e cila u publikua nga gazeta në internet “Paparaci”. Seanca u bojkotua nga shumica parlamentare.

Biseda, përmbajtjen e së cilës e ka hedhur poshtë zonja Kusari Lila duke e cilësuar si të fabrikuar, sipas portalit “Paparaci” është zhvilluar në qershor të vitit 2022. Në të dëgjohet zonja Kusari Lila duke u bashkërenduar me Milan Radoiçiçin rreth votimit të ligjit për pagën minimale në Kosovë, i cili atë kohë kishte nxitur përplasje mes pushtetit dhe opozitës që e kundërshtonte përjashtimin e kategorive të luftës nga ligji.

Ligji për pagën minimale u miratua në parlament në korrik të vitit 2023 dhe pak ditë më pas u dërgua nga opozita për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Në qershor të këtij viti Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin në të cilin nuk gjeti shkelje në ligj. Në vendim thuhet se “ndërlidhja e lartësisë së pensioneve të veteranëve të UÇK-së me lartësinë e pagës minimale në Republikën e Kosovës, nuk është ndryshuar përmes ligjit të kontestuar, por që në vitin 2017, përmes ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit të Veteranëve”.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, akuzoi lëvizjen Vetëvendosje se ka shtyrë përpara interesat serbe në këmbim të mbështetjes së përfaqësuesve serbë në parlament për këtë ligj.

“Milan Radoiçiç së bashku me Mimoza Kusari Lilën dhe lëvizjen Vetëvendosje i kanë lënë jashtë pagës minimale kategoritë më të ndjeshme të vendit tonë”, tha zoti Tahiri duke theksuar se bashkëpunimi me përfaqësues të komunitetit serb në parlament është i pranueshëm, por jo kur ata janë të përfshirë në veprimtari kriminale.

“Unë i kërkoj sot prokurorit të shtetit që të ketë një hetim penal mbi këtë çështje. Është cenuar siguria jonë kombëtare. BIA (Agjencia e zbulimit) serbe na e ka imponuar votimin në parlamentin e Kosovës, ka depërtuar deri në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është e patolerueshme. Nuk jemi cenuar asnjëherë më shumë sesa sot”, tha zoti Tahiri.

“Ju që kriminelit ju gjunjëzuat duke i thënë aman ejani e na shpëtoni e keni poshtëruar këtë parlament, e keni rrënuar dinjitetin e çdo qytetari, na keni turpëruar. I drejtohem zonjës Kusari Lila, më besoni se më dhimbseni sepse fajtori kryesor nuk jeni ju por është udhëheqësi juaj, kryeministri Albin Kurti. Nuk e di se si ju ka detyruar që të aranzhoni marrëveshje me kriminelin”, tha Anton Çuni nga radhës e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“E shihni dallimin, 2018 i ndjekur nga qeveria Haradinaj, në këtë rast nga drejtësia e asaj kohe, tani Radoiçiç u kthye në faktor të marrëveshjeve me Kurtin”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke theksuar se partia e tij “e mbështet kërkesën për llogaridhënie të zonjës Kusari Lila, por llogaritë duhet t’i japë edhe shefi i saj Albin Kurti”.

Një ditë më parë gjatë mbledhjes së parlamentit të Kosovës, zonja Kusari Lila tha se biseda është e fabrikuar dhe paraqet nxitje të urrejtjes.

“Ju i keni dy halle të mëdha, e para është se në asnjë formë nuk po mund ta pasqyroni bashkëpunimin që e keni pasur ju me Listën Serbe, prandaj duhet të shkoni me shpifje e falsifikime. E dyta ka të bëjë me faktin se aq shumë po iu mungojnë që nuk janë këtu të pranishëm tash e 28 muaj, 28 muaj me qeverinë Kurti e me këtë pozitë, Lista Serbe nuk është në Kuvend. Kuvendi po funksionon, ndërsa ju, në pamundësi t’i keni ata që të iu ndihmojnë, duhet të fabrikoni. Fatkeqësia juaj është që veç po ia shtoni besueshmërinë qeverisë edhe mundësisë për fitoren tjetër. Ajo çfarë po bëni, linçimi, sulmet e ulëta, do të shkojnë bashkë me juve në zgjedhjet e 9 shkurtit”, tha ajo.

Milan Radoiçiç, një ish politikan dhe afarist i pasur me lidhje te fuqishme me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës një vit më parë në fshatin Banjskë në veri, ku mbeti i vrarë një oficer policie. Ai është i akuzuari kryesor nga Prokuroria Posaçme të Kosovës lidhur me këtë sulm.

Milan Radoiçiç është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për shkak të veprimtarive të tij kriminale financiare. Diplomatët evropianë dhe amerikanë i kanë kërkuar Serbisë vënien para drejtësisë të autorëve të sulmit në Banjskë, i cili nxiti tensione të larta dhe shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon

The post VOA: Opozita në Kosovë kërkon hetime rreth bisedave telefonike të pushtetit me Listën Serbe appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Burimi informacionit @Gazeta Shqiptare Online: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →