Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përsëritur se kryeministri Albin Kurti është “spiun i Serbisë” dhe duke iu referuar bisedës së shefes së GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, me kriminelin Milan Radoiçiç, tha se Kurti po lan borxhe me Serbinë.
Ai tha se Vetëvendosje e Lista Srpska patën “marrëveshje për t’i larguar veteranët e kategoritë e lirisë dhe për të mos i përfshirë në pagën minimale e ka bërë Albin Kurti me Radoiçiqin, po unë nuk them me Radoiçiqin, por me [presidentin e Serbisë] Vuçiçin. Këtu dal te ajo që ju them çdo herë se Kurti është shpiun i Serbisë, është njeri i Serbisë nuk mundet me qenë ndryshe”.
“Nëse në vitin 2018 paska qenë gabim të takohesh me Radoiçiqin si nënkryetar i Listës Serbe, i pandjekur nga drejtësia e Kosovës, pra pa asnjë akuzë në Kosovë, i papërfshirë në listën e zezë të SHBA-së, çka është komunikimi me të pasi e ndjek drejtësia, pasi ka aktakuzë prej Kosove, pasi e shti në listë të zezë SHBA. Çka është kjo? Është larje e borxhit ndaj Serbisë, ndaj Vuçiçit, ndaj BIA-s. Kurti po i lan borxhet. A ka akt më transparent të tradhtisë sesa me u bë me armikun kundër ushtarëve të lirisë”.
“Është akuzuar secili subjekt që ka pasë bashkëpunim me Listën Serbe për të qeverisur që buron nga Kushtetuta, që s’është e jashtëligjshme. Ndërsa vetë Kurti në fund ka bërë marrëveshje me Vuçiqin kundër UÇK-së”.
“Ky po lan borxh. S’ka shqiptar tjetër që e kish bërë këtë. Ky është i nxanun i tyre. Është spiun i tyre”.
Haradinaj tha se takimi me të në vitin 2018 ishte bërë kur ai s’ishte i ndjekur nga drejtësia në Kosovë.
“Radoiçiç është i ndjekur nga drejtësia e Kosovës nga viti 2018. Pra, Policia e Kosovës në atë kohë, ka rastisur që kam qenë kryetar qeverie, por këto s’e ka bë qeveria, por drejtësia e Kosovës. E ka bastisur banesën e tij në veriun e Mitrovicës. Që atëherë Radoiçiq e ka lëshuar Kosovën, pra është i ndjekur nga Serbia dhe i ikur në Kosovë në atë kohë ishte nënkryetar i Listës Serbe. Që nga ajo kohë, që nga ajo ditë e bastisjes, kryetari i atëhershëm i Qeverisë, Ramush Haradinaj, deputeti i sotëm, kryetari i Aleancës s’ka komunikim me Radoiçiqin të çfarëdo natyre”.
Haradinaj tha se kushdo që thotë se ka bisedë me të le ta publikojë.
“Kur e ka ndjekë drejtësia jonë në atë kohë, ai i ka pasë të drejtat e veta me u përgjigj drejtësisë dhe me ardhë me u përballë me drejtësinë. Ka zgjedhur të ikë dhe si i ikur ndikimi i tij në proceset e brendshme në Kosovë u rishfaq me ardhjen në pushtet të Albin Kurtit. Një njeri i ikur nga Kosova me pamundësi të operojë në Kosovë, pafuqi të vendimmarrjes në Kosovë na u ringjall me ardhjen kryeministër të Albin Kurtit.
“Situata arriti që në atë kohë kur VV e shumë të tjerë me të drejtë kishin mendimet dhe kritikat e tyre për rolin e tij edhe të mëhershëm kur ishte ende i pandjekur nga drejtësia në Kosovë ka arritur që ai të kthehet në faktor me ardhjen e VV-së në pushtet dhe të Kurtit. Deri ku shkon ky faktorizim i tij, përkundër faktit që ishte i ndjekur nga drejtësia, ai u vendos edhe në listën e zezë të SHBA-së, gjatë kohës së qeverisjes së Albin Kurtit ai pos banesës në veri, të cilën ia bastisi Policia e Kosovës, ai ndërtoi një vilë të madhe e të bukur në liqenin atje. Ai arriti edhe si i ndjekur nga drejtësia e Kosovës bëri marrëveshje me Albin Kurti”.
“Shihni dallimin! Në vitin 2018, ai i përndjekur nga Qeveria Haradinaj, këtë rast nga drejtësia e asaj kohe, tani Radoiçiq u kthye në faktor të marrëveshjeve me Kurtin”.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co