Në Dubrovnik do të mbahet samiti Ukrainë-Evropa Juglindore, ndërsa pjesëmarrës është edhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili po viziton për herë të parë Kroacinë.
Përveç tij dhe kryeministrit kroat, në samit merr pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Presidenti i Malit të Zi, Presidentja e Kosovës dhe kryeministrat e Greqisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Gjithashtu pjesëmarrës do të jetë edhe Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, transmeton 24sata.
Kryeministri Edi Rama ka pasur një takim tejet miqësor me Presidentin ukrainas, Zelensky.
Pjesëmarrësit e samitit pritet të miratojnë një deklaratë të përbashkët të Dubrovnikut, teksti i së cilës ende është duke u negociuar. Megjithatë, parashikohet të jetë në përputhje me deklaratat e mëparshme nga samitet në Athinë dhe Tiranë.
Pikat kryesore të deklaratës, siç raportohet, pritet të përfshijnë një dënim të agresionit rus, mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës, duke përfshirë gadishullin e Krimesë, mbështetjen për planin e paqes të Presidentit Zelensky, një kërkesë për ndjekjen penale të krimeve të luftës në Ukrainë, mbështetjen për integrimin evropian të Ukrainës dhe anëtarësimin në NATO kur të plotësohen kushtet, si dhe mbështetjen për sigurinë energjetike dhe rindërtimin e Ukrainës pas luftës.
Në margjinat e samitit, Andrej Plenkoviç dhe Zelensky pritet të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi midis Kroacisë dhe Ukrainës që do të zyrtarizojë aktivitetet ekzistuese midis dy vendeve, veçanërisht në fushën e ndihmës humanitare, çminimit dhe ndjekjes penale të krimeve të luftës.
Sipas burimeve nga qeveria, marrëveshja “do të vendosë ndihmën që Kroacia tashmë i ofron Ukrainës në një bazë afatgjatë.”
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co