Një lajm i mirë për të gjitha familjet e pastreha në kryeqytet! Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot kriteret e reja për përfituesit e programeve të strehimit social. Familjet e pastreha në kryeqytet do të kenë mundësi që të përfitojnë subvencionim të interesave të kredisë për blerjen e një banese. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se shumë shpejt do të hapen aplikimet për 1200 familje në nevojë, që do të përfitojnë interesa të buta për blerjen e banesës së tyre.
“Kemi pasur prej vitesh në bashkinë e Tiranës një program që ndihmonte familjet e reja që donin të blinin shtëpinë e tyre të parë. Vitin e fundit me rritjen e turistëve, e të huajve që kanë blerë shtëpi në Tiranë, sigurisht edhe tregu ka pasur ngritjen e vet. Kemi rillogaritur përfitimin, që norma e kredisë së butë të jetë më e madhe. Sepse ajo që kemi kuptuar është se duam të ruajmë hapin e tregut. Kemi dakordësuar për 1200 familje, pra do të hapim shumë shpejt aplikimet për 1200 familje. Për të gjithë ata që thonë se vlera e pronës në Tiranë është rritur, kjo është gjë e mirë për ata që kanë pronë. Për ata që nuk kanë pronë ne kemi sot këtë paketë”, tha Veliaj.
[embedded content]
Që pas ardhjes së Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, program i “Subvencionimit të interesave të kredisë”, u rihap sërish pasi u mbyll nga administrata e mëparshme. Ky program ka në fokus përmirësimin e kushteve të jetesës së familjeve dhe çifteve të reja, të cilat nuk kanë aftësi ekonomike të përballojnë ofertën e tregut të lirë të banesave ose atë të kredive hipotekore në treg. Qëllimi i këtij projekti është mbështetja e familjeve dhe çifteve të reja në blerjen e shtëpive, me synim përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co