Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, mësohet se janë nisur drejt spitalit të Traumës për të vizituar policët e lënduar gjatë protestës së sotme të opozitës.
Policia raportoi më herët se dhjetë efektivë kanë mbetur të plagosur nga hedhja e bombave molotov dhe mjeteve piroteknike.
Po ashtu, blutë thanë se janë marrë të gjitha masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në sulme mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.
Kujtojmë se opozita mbylli protestën kombëtare, në zbatim të mosbindjes civile pas rreth tre orësh. Demokratët u mblodhën fillimisht para Kryeministrisë dhe me pas kanë protestuar me mjete prioteknike para Ministrisë së Brendshme, Bashkisë së Tiranes, selisë së PS-së e në fund te Kuvendi, ku nuk u lejuan nga Policia me gaz lotsjellës, të afroheshin.
Njoftimi i policise
Shërbimet e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për mbrojtjen e institucioneve shtetërore, pronën publike dhe private, jetën e qytetarëve dhe të vetë punonjësve të Policisë.
Që prej fillimit të tubimit një pjesë e qytetarëve në tubim sulmuan e vijojnë te sulmojnë Policinë dhe godinat e institucioneve shtetërore me molotov e lëndë plasëse.
Deri në këto momente nga sulmet e qytetarëve në tubim, me molotov, lëndë piroteknike e sende të forta ndaj Policisë, janë dëmtuar 10 punonjës Policie.
Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve pjesëmarrës në tubim, të ndalojnë sulmet me molotov e lëndë piroteknike mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.
Policia ka marrë të gjitha masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në sulme mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.