Policia e Shtetit është vënë në gatishmëri me dhjetëra efektivë, për protestën thirrur sot nga opozita, në orën 18:00.
Gazetari i News24, Osman Stafa, raporton se forca të shumta policie janë parë në institucionet kryesore shtetërore, përfshirë Kryeministrinë, ministritë, Parlamentin, Presidencën, Bashkia e Tiranës etj.
Kujtojmë se në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza” dhe në rrugët:”Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve dhe në këto akse rrugore:
- Kafe “Europa” – Segmenti “Ushtari i panjohur” deri te 9-katëshet;
- Shkolla “1 Maji” – kryqëzimi i urës së ATSH-së deri te rruga e Elbasanit;
- Kryqëzimi i Liceut Artistik deri te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja;
- Sheshi “Skenderbej”, bashkia Tiranë dhe Pallati i Kulturës;
- Kryqëzimi i Librit Universitar;
- Kryqëzimi i 21-Dhjetorit deri te shkolla “Sabaudin Gabrani”;
- Kryqëzimet në zonën ish-Bllokut, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ismail Qemali”;
- Rrethrrotullimi “Zogu i Zi”;
- Kryqëzimi te ish-stacioni i trenit;
- Kryqëzimi i urës së Taiwanit;
- Kryqëzimi i rrugës së Kavajës me hyrjen e sheshit “Skënderbej”;
- Kryqëzimi i urës së ish-hotel “Dajti”;
- Kryqëzimi i 9-katësheve me Rrugën e Barrikadave;
- Rruga “Dritan Hoxha”, përpara vendit të quajtur “Kupola”;
- Kryqëzimi i pallatit me shigjeta.