Projektligji në Kuvend/ Gratë kandidate të kenë akses në fondet e partive, të përfitojnë 10% të financimit publik!

projektligji ne kuvend grate kandidate te kene akses ne fondet e partive te perfitojne 10 te financimit publik





































Një projektligj i propozuar nga deputetja Monika Kryemadhi kërkon ndryshime në ligjin për “Partitë Politike” për të garantuar aksesin e kandidateve gra në fondet financiare publike në kuotën e 10% të totalit.

Seanca-plenare-1140x760

Nisma e publikuar të hënën në faqen zyrtare të Kuvendit parashikon që “Të paktën 10% e financimit publik që përfitojnë partitë politike, u kalon në mënyrë të drejtpërdrejtë strukturave të grave brenda partisë politike dhe është i dedikuar për fuqizimin e vajzave dhe grave brenda partisë përkatëse.”

Në relacionin shoqërues, propozuesja Kryemadhi, një deputete prej disa legjislaturash në parlamentin shqiptar, argumenton se qëllimi i tij është vendosja e një kuote në financat publike të partive politike, për të garantuar aksesin e grave dhe vajzave dhe për të rritur përfaqësimin e tyre në politikë.

Sipas Kryemadhit, pavarësisht se të dhënat sugjerojnë se përfaqësimi i grave dhe vajzave është rritur në numër që prej vendosjes së kuotës gjinore të detyruar në Kodin Zgjedhor për listat e kandidatëve, sërish ato vijojnë të kenë vështirësi financiare në fushatat zgjedhore.

“Ende vijon të ketë pengesa socio-ekonomike dhe mungesë të mbështetjes së qenësishme për gratë nga ana e partive politike dhe veçanërisht me mungesen e qasjes në financa,” argumenton Kryemadhi.

Ajo i referohet në relacion Barometrit Gjinor të Partive Politike (2023) sipas të cilit rezulton se 4 janë barrierat më penguese për gratë në politikë: mungesa e aksesit në financat politike; dhuna me bazë gjinore në politikë; mungesa e aksesit në nedia dhe mungesa e meritokracisë dhe demokracisë së brendshme brenda partive politike.

Ky barometër u realizua nga Rrjeti për Barazi në Vendimmarrje në bashkëpunim me Fondacionin Westminster për Demokraci në Shqipëri dhe u u bazua në 204 intervista gra të moshës 20-60 vjeçe.

Të dhënat e mbledhura tregojnë se 58% e grave të intervistuara e shohin përfaqësimin aktual të grave në struktura të ndryshme të partisë si të pamjaftueshëm.

Studimi sugjeron se barriera që pengojnë fuqizimin real dhe shanset e barabarta të grave në politikë janë të tilla si mungesa e një aksesi të balancuar në media midis grave dhe burrave politikanë, dhuna me bazë gjinore në politikë, si edhe aksesi i pabalancuar në financat politike.

Partitë politike marrin çdo vit ndihmë financiare nga shteti nëpërmjet një formule ligjore që zbatohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku përparësi kanë partitë parlamentare sipas numrit të deputetëve që kanë fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe një përqindje e këtij buxheti shkon për partitë joparlamentare por që kanë marrë pjesë në zgjedhje./BIRN

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →