Një debat për zërin e lartë të muzikës duket se ka qenë shkak për vrasjen e 65-vjeçarit Gëzim Bizgjon, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së dielës (6 Tetor) në fshatin Gjashtë të Sarandës.
Mësohet se viktimës i kishte vdekur vajza e tij rreth 3 javë më parë nga një sëmundje e rëndë dhe i kishte kërkuar autorit të krimit, Admir Beqiri që të ulte muzikën për të respektuar zinë.
Por, 42-vjeçari ka refuzuar dhe mes tyre ka nisur një përplasje fizike që dyshohet se degradoi në përdorimin e shishes së qelqit. Admir Beqiri mësohet se gjatë sherrit e ka goditur me grushte Gëzim Bizgjonin dhe më pas me shishe qelqi duke i shkaktuar vdekjen.
Në vendngjarje, në momentin ndodhej edhe partnerja e autorit, e cila është larguar nga vendi i krimit.
Nuk dihet arsyeja se pse Gëzim Bizgjoni strehonte në banesën e tij, Admir Beqirin, pasi ky i fundit ishte banor i fshatit Gjashtë dhe ka shumë familjarë të tij në këtë zonë.