Sipas dokumentacionit të paraqitur nga prokuroria në gjykatë, ish-Presidenti Donald Trump akuzohet se kishte përgatitur terrenin për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020, përpara se të bëheshin zgjedhjet, dhe se “kishte bërë vepra penale” në përpjekjen e tij të pasuksesshme për të qëndruar në pushtet. Gjykata i bëri provat e reja publike të mërkurën, duke ofruar kështu një pamje më të plotë të padisë së ngritur ndaj ish-presidentit.
Dokumentacioni i paraqitur nga prokurori i posaçëm Jack Smith jep një pamje të asaj që synojnë të provojnë prokurorët, në rast se çështja ndaj ish-presidentit Trump do të arrijë deri në gjyq. Këtij procesi i ka paraprirë një hetim disamujor i Kongresit që paraqiti një historik të detajuar të përpjekjeve të ish-Presidentit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve. Por në dokumentacionin e prokurorisë paraqiten rrëfime të reja nga ndihmësit e tij më të afërt, të cilët paraqesin pamjen e një presidenti “gjithnjë e më të dëshpëruar”, i cili ndërsa po humbiste Shtëpinë e Bardhë, “përdori mashtrimin për të goditur çdo fazë të procesit elektoral”.
Në dokumentacionin e prokurorisë thuhet se ish-Presidenti Trump i tha një ndihmësit “E çfarë pastaj?”, kur u informua se Nënpresidenti Mike Pence ishte dërguar në një vendndodhje të sigurt, pasi turma e dhunshme e mbështetësve të Presidentit Trump sulmoi Kapitolin më 6 janar 2021, në përpjekje për të ndaluar certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.
“Detajet nuk kanë rëndësi”, ishte shprehu Presidenti Trump, kur një prej këshilltarëve e informoi se avokati, që po punonte për paditë ligjore, nuk do të ishte në gjendje të provonte akuzat false në gjykatë, thuhet në materialin e prokurorisë.
Ekipi ligjor i ish-Presidentit Trump paraqiti sfida ligjore në muajin e fundit të zgjedhjeve që përfunduan me rezultat të ngushtë, ndërsa demokratët janë përpjekur ta paraqesin refuzimin e tij për të pranuar rezultatin si një element qendror të pretendimit të tyre se ish-presidenti nuk është i përshtatshëm për t’u rizgjedhur. Çështja u rishfaq rishtazi edhe gjatë debatit të kandidatëve për nënpresident, kur kandidati demokrat, guvernatori i Minesotas, Tim Walz, dënoi dhunën në Kapitol, ndërsa kandidati republikan, senatori i Ohajos JD Vance, nuk pranoi të jepte përgjigje të drejtpërdrejtë kur u pyet nëse ish-Presidenti Trump i kishte humbur zgjedhjet e vitit 2020.
Padia e prokurorit të posaçëm nuk ishte bërë publike, pasi një vendim i Gjykatës së Lartë u dha imunitet të gjerë presidentëve për veprimet e tyre gjatë ushtrimit të detyrës. Vendimi i Gjykatës së Lartë detyroi rishqyrtimin dhe kufizimin e gamës së akuzave që mund të ngrinte prokurori, duke e bërë të pamundur zhvillimin e gjyqit përpara zgjedhjeve presidenciale që mbahen muajin e ardhshëm.
Materiali i paraqitur nga prokurori i posaçëm synon ta bindë gjykatësen Tanya Chutkan se shkeljet në fjalë u bënë në cilësinë private të zotit Trump dhe jo në funksionin e presidentit, duke argumentuar kështu se mund të vazhdohet me shqyrtimin e padisë. Gjykatësja Chutkan lejoi bërjen publike të një versioni të redaktuar të padisë, megjithëse avokatët e zotit Trump argumentuan se ishte i padrejtë publikimi i saj kaq pranë datës së zgjedhjeve.
Mbetet e paqartë perspektiva e zhvillimit të gjyqit, në veçanti nëse zoti Trump fiton zgjedhjet presidenciale dhe një prokuror i ri i përgjithshëm mund të kërkojë pushimin e çështjes. Materialet e prokurorisë ofrojnë megjithatë një pamje të procesit që mund të ndjekin prokurorët për të thirrur dëshmitarët dhe për të paraqitur provat përpara një jurie të madhe. Është tashmë në dorën e gjykatëses Chutkan për të vendosur nëse veprimet e zotit Trump kanë qenë të natyrës zyrtare, për të cilat ai gëzon imunitet nga hetimi, apo nëse disa prej veprimeve të tij janë, sipas ekipit të prokurorëve, “shkelje private” për të cilat mund të vazhdojë procesi gjyqësor.
“Megjithëse i akuzuari ishte në postin e presidentit gjatë komplotit për të cilin akuzohet, skema e tij ishte në thelb private”, thuhet në materialet e prokurorisë. “Kur i akuzuari humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ai bëri vepra penale në përpjekje për të qëndruar në detyrë”.
Steven Cheung, zëdhënësi i fushatës elektorale të ish-Presidentit Trump, e quajti aktpadinë “të bazuar në falsitete” dhe “antikushtetuese” dhe përsëriti akuzat e bëra shpesh më parë se prokurori i posaçëm Smith dhe demokratët po përdornin politikisht Departamentin e Drejtësisë. Në një postim në rrjetin social Truth Social, ish-Presidenti Trump u shpreh se kjo çështje gjyqësore do të përfundojë me “fitoren e tij të plotë”.
Ish-Presidenti Trump akuzohet se “përgatiti terrenin” për refuzimin e rezultatit të zgjedhjeve përpara se të mbaronte procesi zgjedhor, duke u thënë ndihmësave të tij se në rast do të dilte herët në avantazh, ai do ta “shpallte fitoren përpara se të numëroheshin votat dhe përpara se të përllogaritej fituesi”.
Prokurorët thonë se menjëherë pas zgjedhjeve, këshilltarët e ish-presidentit u përpoqën të mbjellin kaos për numërimin e votave. Në një rast, një punonjës i ekipit të tij elektoral, i përshkruar në aktpadi si bashkëpunëtor në konspiracion, ishte informuar se rezultatet që favorizonin kandidatin demokrat Joe Biden në një qendër votimi në Miçigan ishin të sakta. Aktpadia thotë se personi ishte përgjigjur: “gjeni një arsye se përse nuk janë të sakta” dhe “më jepni opsione për ta ankimuar” rezultatin.
Prokurorët gjithashtu e akuzojnë ish-Presidenti Trump se vazhdoi të bënte pretendime për manipulim, megjithëse e dinte se ato ishin false. Padia tregon se si ish-presidenti pranoi në komunikime me të tjerë se akuzat për parregullsi zgjedhore të bëra nga avokatja Sidney Powell ishin një “çmenduri” dhe përmendi serialin televiziv fantastiko-shkencor “Star Trek”. Sidoqoftë, pak ditë më vonë, ai mbështeti në rrjetin social Twitter një aktpadi që Sidney Powell po përgatitej të paraqiste.
Për të provuar indiferencën e tij ndaj vërtetësisë së pretendimeve për manipulim zgjedhor, prokurorët përmendin rrëfimin e një punonjësi të Shtëpisë së Bardhë, që pati dëgjuar ish-Presidentin Trump t’i thotë bashkëshortes, vajzës dhe dhëndrit të tij, ndërsa udhëtonin së bashku me helikopterin presidencial se: “Nuk ka rëndësi nëse i ke fituar, apo humbur zgjedhjet. Duhet të vazhdosh luftën deri në fund”.
Aktpadia përmban edhe detaje të bisedave mes Presidentit Trump dhe Nënpresidentit Pence, përfshirë atë gjatë një dreke private në 12 nëntor 2020, gjatë së cilës Nënpresidenti Pence i ofroi “një opsion rrugëdaljeje” ish-Presidentit Trump, duke i thënë: “Mos e prano humbjen, por prano se procesi ka përfunduar”.
Në një tjetër drekë disa ditë më vonë, Nënpresidenti Pence i bëri thirrje Presidentit Trump të pranojë rezultatin e zgjedhjeve dhe të rikandidojë në vitin 2024.
Sipas padisë, ish-Presidenti Trump iu përgjigj: “Nuk e di. 2024 është shumë larg”.
Prokurorët thonë se deri më 5 dhjetor, ish-presidenti kishte filluar tashmë të mendonte për rolin e Kongresit në këtë proces.
Gjatë një telefonate, “për herë të parë, ai i përmendi Pence-it mundësinë e kundërshtimit të rezultatit të zgjedhjeve në Dhomën e Përfaqësuesve”, thuhet në padi.
Por, prokurorët thonë se ish-Presidenti Trump “nuk përfilli” mendimin e nënpresidentit “ashtu siç shpërfilli dhjetëra vendime të gjykatave që refuzuan unanimisht pretendimet e tij dhe të aleatëve të tij dhe se shpërfilli zyrtarët në shtetet në fjalë – përfshirë ata të partisë së tij – të cilët deklaruan publikisht se i humbi zgjedhjet dhe se akuzat e tij specifike për manipulim ishin false”.
Ish-Nënpresidenti Pence i ka paraqitur disa nga ndërveprimet e tij me ish-Presidentin Trump dhe ftohjen që pasoi, në librin e botuar në vitin 2022 “Zoti më Ndihmoftë”. Atij i ishte dërguar gjithashtu një fletëthirrje gjykate për t’u paraqitur përpara një jurie të madhe që po hetonte ish-Presidentin Trump pasi gjykata pati refuzuar pretendimin e tij për imunitet ekzekutiv.
Prokurorët gjithashtu argumentojnë se ish-Presidenti Trump përdori llogarinë e tij në Twitter për të përhapur akuza false për manipulime zgjedhore, duke sulmuar “ata që thonin të vërtetën” për humbjen e tij dhe duke i nxitur mbështetësit që të udhëtonin drejt Uashingtonit, ku më 6 janar 2021 do të bëhej certifikimi i rezultatit zgjedhor.
Prokurorët synojnë të paraqesin si evidencë komunikimet nga telefoni i ish-Presidentit Trump, për të ofruar një pamje të veprimeve të tij pas sulmit ndaj Kapitolit.
Prokurorët thonë se nga mbi 1200 mesazhe në Twitter, që ish-Presidenti Trump postoi gjatë disa javëve të përmbledhura në aktpadi, shumica ishin për zgjedhjet e vitit 2020, ndër to edhe pretendimi se Nënpresidenti Pence mund t’i refuzonte elektorët, megjithëse nënpresidenti i pati thënë ish-Presidentit Trump se nuk e kishte këtë kompetencë.
Prokurorët thonë se “kjo rrjedhë e vazhdueshme dezinformimi” kulmoi me fjalimin e tij përpara Shtëpisë së Bardhë në mëngjesin e 6 janarit 2021, ku ish-Presidenti Trump “përdori këto të pavërteta për të provokuar dhe motivuar turmën e madhe të mbështetësve të tij të zemëruar, që të marshonin drejt Kapitolit dhe të ndërprisnin procesin e certifikimit të zgjedhjeve”, sipas aktpadisë.
“Dëshpërimi i tij personal ishte në kulm” atë mëngjes ndërsa gjendej “pak orë pranë certifikimit që do të përcaktonte fundin”, shkruhet në padinë e prokurorisë./VOA