Udhëheqësi i sulmit fatal ndaj policisë së Kosovës është urdhëruar të paraqitet rregullisht tek autoritetet serbe, por ato nuk kanë ngritur akuza kundër tij, thanë zyrtarët të martën.
Pikërisht një vit më parë, Millan Radoiçiç udhëhoqi rreth 30 persona të armatosur që i zunë pritë një patrulle të policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, raporton AFP.
Në atë sulm mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku. Kosova e akuzoi Radoiçiçin në mungesë, por autoritetet serbe, të cilët e ndaluan për një kohë të shkurtër dhe më pas e liruan atë, nuk kanë ngritur akuza.
Qeveria e Kosovës, e cila ka kërkuar ekstradimin e tij, akuzoi Beogradin se po përpiqet të mbrojë Radoiçiçin nga ndjekja penale.
Zyrtarët serbë thonë se rasti duhet të shqyrtohet në “gjykatat serbe”.
“Radoiçiçi u mor në pyetje në Beograd më 3 tetor, kur iu konfiskua pasaporta”, tha një përfaqësues i Gjykatës së Lartë të Beogradit për AFP të martën. Në vijim thuhet se “ai është urdhëruar që të mos largohet nga Serbia apo të udhëtojë në Kosovë… dhe të paraqitet në polici në datën 1 dhe 15 të çdo muaji”.
Prokurori publik serb shtoi se hetimi ndaj Radoiçiçit ishte “në vazhdim”.
Pas pritës më 24 shtator 2023, grupi i Radoiçiçit u pozicionua në një manastir ortodoks afër Banjskës, nga ku, pas shkëmbimit të zjarrit mes tyre dhe njësive speciale të Policisë së Kosovës, ku mbetën tre prej agresorëve të vrarë, grupi i mbetur u arratis në Serbi.
Në fillim të këtij muaji, autoritetet e Kosovës paditën Radoiçiçin dhe 44 persona të tjerë për sulmin fatal.
Gjyqi i tyre do të fillojë të mërkurën në Kosovë, por vetëm tre nga 45 të akuzuarit do të jenë të pranishëm. Pjesa tjetër do të gjykohet në mungesë.
Siç raporton AFP, Beogradi dhe Prishtina kanë refuzuar të bashkëpunojnë për këtë rast.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co