Policia e Kosovës ka njoftuar se, gjatë mbrëmjes së 21 shtatorit, hetuesit e njësitit të anti-drogës kanë shkatërruar një laborator të kokainës dhe heroinës në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Policisë, ky aksion erdhi pas një hetimi dhjetëmujor të një laboratori në rrugën “Hyzri Talla” në Prishtinë.
“Dyshohet që ky ‘laborator’ për përpunimin e substancave narkotike të llojit heroinë dhe kokainë është përdorur nga të dyshuarit për një periudhë kohore, ku pas përpunimit të substancave, të njëjtat i paketojnë në doza të vogla për shitje në rajone të ndryshme të vendit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Për këtë aksion reagoi edhe Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili tha se ky është laboratori i 19-të i tillë i shkatërruar në tre vjetët e fundit, periudhë gjatë të cilës u tha se janë sekuestruar mbi 2.500 kilogramë të llojeve të ndryshme të drogave.
“Kjo betejë do të vazhdojë dhe askush nuk do të jetë i paprekshëm e i fuqishëm para ligjit. Ky fenomen që rrezikon jetën e fëmijëve e rinisë sonë dhe që shkatërron harmoninë në familjet e vendit tonë, do të goditet në vazhdimësi dhe pa mëshirë nga ana jonë”, shkroi Sveçla në Facebook.
Burimi informacionit @Gazeta Shqiptare Online: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co