Daniele De Rosi nga dita e djeshme nuk është më trajneri i Romës, pasi klubi verdhekuq vendosi ta shkarkonte nga drejtimi i skuadrës si pasojë e një starti jo të mirë të kampionatit. Një vendim që nuk është pritur mirë nga ish-futbollisti i Romës, i cili raportohet se është larguar shumë i trishtuar dhe nuk ka fshehur lotët teksa përshëndetej me punonjësit e klubit.
Sipas “Corriere dello Sport”, atij i është komunikuar vendimi që në orën 8 të mëngjesit, kur në fakt De Rosi dhe stafi i tij po bënin gati planin për seancën stërvitore që duhej të zhvillohej gjatë paradites. Trajneri e kishte kuptuar që ishte në diskutim, por nuk mendonte se do të shkarkohej kaq shpejt nga drejtimi i ekipit.
Gjithsesi, ai kishte mbledhur me shpejtësi gjërat e tij në ambientet e klubit dhe më pas kishte përqafuar me shumë ngrohtësi të gjithë punonjësit e pranishëm atje, si dhe drejtorin sportiv Gisolfi, i cili nuk kishte gisht në këtë vendimmarrje. “Këtë herë nuk kthehem më”, ka thënë ai i përlotur para se të dilte nga ambientet e klubit ku mendonte se mund të bënte emër edhe si trajner, pasi e kishte bërë për shumë vite si futbollist.
PANORAMASPORT.AL