Pagat e nëpunësve civil të Bashkisë do të unifikohen me pagat e administratës qendrore.
Ky është vendimi i fundit i Këshillit Bashkiak të Tiranës, për të cilin nënkryetari i kësaj Bashkie, Andi Seferi u shpreh se janë përfitues mbi 5 mijë punonjës.
Andi Seferi, nënkryetar i Bashkisë Tiranë: ”Janë rreth 5 mijë punonjës të Bashkisë Tiranë nga 10-23% të pagave të tyre. Që nga specialistët brenda bashkisë duke filluar nga administrata e njësive administrative tek 24 njësitë, lagjet që janë në kryeqytet, shoferë, punonjës mirëmbajtje, të pastrimeve. Është bërë një shtim në pagat e tyre i motivuar për vështirësitë e kushteve të punës prej 4 mijë lekë. Ndryshon edhe paga e edukatoreve të çerdheve, unifikohet me edukatoret e kopshteve”,-bëri të ditur Seferi.
Një tjetër vendim i rëndësishëm është edhe përllogaritja lidhur me vjetërsinë e punës.
“Krahas llogaritjes së pagave ishte edhe përllogaritja e formulës së daljes në pension dhe vjetërsisë së punës, që ishte një arritje e madhe. Për 10 vitet e para llogaritet 6%, për 10 vitet e dyta 8% dhe 10% për 20-30 vite që është një shtesë goxha e madhe. Ky vendim është pritur mjaft mirë nga të gjithë punonjësit e Bashkisë Tiranë, pasi rritja e pagave të tyre është e konsiderueshme krahasuar me pagat e mëparshme”,-përfundoi nënkryetari i Bashkisë Tiranë.
RRITJA E PAGAVE PËR ADMINISTRATËN
Këshilli i Ministrave ka miratuar më herët vendimin që i hap rrugë rritjes së pagave për punonjësit e bashkive në gjithë vendin. Me këtë vendim, pagat në 61 bashkitë e vendit do të unifikohen. Pra, një jurist do të paguhet njësoj si në Bashkinë e Tiranës ashtu edhe në bashkinë e Dibrës, apo në çdo bashki tjetër. Rritja e pagave kap nivelet nga 40% deri në dyfishim të pagës për disa profesione specifike.
Nga një skemë e cila i ndante bashkitë në 5 grupime dhe në varësi të madhësisë së bashkive kishte edhe nivele të ndryshme pagash, në nivele pagash të unifikuar të të gjitha bashkive, pavarësisht madhësisë, duke dhënë mundësinë që një jurist, një arkitekt, ekonomist etj. merr një pagë të ngjashme në të gjitha bashkitë. Edhe formula e ndarjes së transfertës së pakushtëzuar për bashkitë do të ndryshojë nga viti i ardhshëm, pasi do të përfshihen të dhënat për popullsisë sipas censit të 2023-shit. Performanca do të jetë një element për ndarjen e fondeve, por asnjë bashki s’do marrë më pak nga buxheti i shtetit se një vit më parë.
Fondet që marrin bashkitë bazohen në treguesit e numrit të popullsisë, dendësisë së popullsisë dhe numrit të nxënësve. Për këtë vit transferta e pakushtëzuar që i është shpërndarë bashkive është 36.5 miliardë lekë, dhe brenda kësaj vlere është përfshirë edhe kosto për rritjen e pagave. Kush punon në bashki do të marrë nga 20 deri në 40 për qind më tepër në pagën e tij.
Nga 93 mijë lekë aktualisht, punonjësi i pushtetit vendor do të marrë mesatarisht 111 mijë e 600 lekë në rastin më të keq dhe 130 mijë e 200 lekë në atë më të mirë. Shkalla e rritjes së pagave bruto për punonjësit e 61 bashkive u miratua në parim në mbledhjen e së hënës së Këshillit Konsultativ, Qeverisje Qendrore-Vendore. Qeveria ka paralajmëruar vijimin e reformës me rritjen e pagave për të gjithë punonjësit nga data 1 korrik për të arritur objektivin e pagës mesatare prej 900 eurosh në vend. Rritja e pagave kap nivelet nga 40% deri në dyfishim të pagës për disa profesione specifike.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co