Anketat tregojnë për një garë të ngushtë mes kandidates demokrate Kamala Harris dhe republikanit Donald Trump. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Dora Mekouar, Nënpresidentja Harris gëzon një epërsi të konsiderueshme ndaj kundërshtarit të saj mes grave, të cilat kanë një përqindje më të lartë të pjesëmarrjes në votime se burrat.
Që nga viti 1984, gratë kanë patur një pjesëmarrje më të madhe se burrat në votimet për Shtëpinë e Bardhë. Të dhënat tregojnë se gratë zakonisht votojnë për demokratët. Tërheqja në korrik e Presidentit Biden nga gara bëri që zonja Harris të marrë drejtimin, duke zgjuar edhe më tej interesin e votueseve gra.
Zëri i Amerikës bisedoi me Erin Convey, të organizatës së pavarur “The Cook Political Report”, e cila analizon tendencat politike, zgjedhjet dhe fushatat politike në Shtetet e Bashkuara.
“Kemi vënë re një ndryshim mjaft domethënës në shumë demografi të ndryshme. Por në veçanti tek gratë, të cilat tani kanë më shumë gjasa të votojnë për kandidaten demokrate sesa kur kandidonte zoti Biden”.
Afërsisht një në pesë gra thotë se të drejtat e abortit përbëjnë çështjet kryesore për to. Në vitin 2022, anëtarët e Gjykatës së Lartë të emëruar gjatë kohës së Presidentit Donald Trump ndihmuan në eliminimin e të drejtave kushtetuese për abort. Kandidati Trump thotë se shtetet amerikane duhet të kenë ligjet e veta për abortin. Nga ana tjetër, demokratja Harris thotë se ligjet federale duhet të mbrojnë të drejtën për abort në të gjithë vendin.
“Ajo po përpiqet të krijojë një botë ku të gjithë njerëzit kanë lirinë të vendosin për veten dhe trupin e tyre. Të bëjnë zgjedhjet e tyre. Të drejtat e grave”, thotë Chloe Longmire nga shteti Uiskonsin.
Leticia Guillen është votuese në shtetin e Arizonës.
“Më pëlqen mesazhi se ajo është për njerëzit, për klasën e mesme ku përfshihem edhe unë. Dhe ligjet për të drejtat e grave.”
Anketat e fundit tregojnë se zonja Harris kryeson mes votueseve gra me rreth 9 deri 13 pikë më shumë se zoti Trump. Paul Maslin është anketues.
“Ajo ka fituar mbështetjen grave nën moshën 50 vjeç që nuk i përkasin asnjërës parti. Shumë nga gratë nën 40 vjeç janë impresionuar nga kandidatura e saj.”
Erin Covey me organizatën “The Cook Political Report” pajtohet.
“Gratë me ngjyrë kanë më shumë gjasa të votojnë tani për zonjën Harris. Kemi vënë re se ajo ka mbështetje më të mirë mes grupe specifike racore ose të arsimuarve. Kryesisht kjo shihet tek gratë, ky ndryshim po vjen nga ky grup.”
“Së pari, kandidimi i saj është diçka e palogjikshme sepse para së gjithash, ajo nuk ka përgatitje që të jetë presidente”, thotë T. Stanley, mbështetës i kandidatit Trump në Xhorxhia.
“Papritur, Kamala Harris është e emëruara e Partisë Demokrate, pasi në radhë të parë ajo kurrë nuk do ta fitonte këtë emërim dhe kjo ndodhi papritur”, thotë Alex Lustig, votues në shtetin Montana.
Hendeku gjinor vihet re mes votuesve të rinj, ku shumica e burrave nën moshën 27 vjeç e mbështesin zotin Trump, sipas anketuesit David McLennan.
“Ka pasur një rritje në aspektin e admirimit mes të rinjve të asaj që njihet si gjenerata Z.”
Zoti McLennan thotë se të rinjtë i marrin të dhënat nga burimet në internet, ku shpesh shohin dhe dëgjojnë opinione jo të këndshme për gratë udhëheqëse.
“Ata besojnë se gratë nuk mund të marrin vendime të vështira nëse Shtetet e Bashkuara do të përfshiheshin në luftë ose përballeshin me një krizë ndërkombëtare. Ata nuk besojnë se gratë kanë aftësinë për të qenë të ashpra, për të marrë një vendim të vështirë”.
Gratë e bardha ishin çelësi i fitores së zotit Trump në vitin 2016. Ai gjithashtu fitoi shumicën e votave të tyre në vitin 2020. Sondazhet e fundit tregojnë se demokratja Harris dhe republikani Trump gëzojnë mbështetje të barabartë mes grave të bardha./ VOA
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co