ADRI NURELLARI
Kryeministri në Asamblenë e PS-së deklaroi se në zgjedhjet e ardhshme “PD nuk do marrë më shumë mandate se 1997”, pra vetëm 26 mandate. E vërteta e hidhur është se kjo nuk është deklaratë boshe triumfaliste mobilizuese, por është një gjë shumë e mundur falë reformës së re zgjedhore. Kjo reformë u bë në mes të verës, në një nga seancat e fundit të parlamentit, larg vëmendjes së publikut kur mediat kishin ndërprerë emisionet kryesore dhe shumica e qytetarëve e kishin mendjen tek pushimet. Edhe kësaj radhe reforma erdhi si ujdi e negociatave me dyer të mbyllura që u qëndis shpejt e shpejt sipas masës trupore dhe interesit të dy partive kryesore pa debate e konsulta publike.
Vëmendja kryesore, çuditërisht shkoi te mbyllja e pjesshme e listave të kandidatëve, ndërkohë që ndryshimi radikal që ende nuk ka marrë vëmendjen e duhur është votimi me postë i emigrantëve. Me votat me postë të emigrantëve ky rezultat dramatik i PS-së është më se i mundur. Në botë ka diku tek 100 shtete e territore që organizojnë rregullisht zgjedhje shumëpartiake, të cilat nuk lejojnë votimin e diasporës. Arsyet pse shumë shtete nuk lejojnë votën nga jashtë janë të ndryshme e variojnë nga argumente teorike në praktike. Në aspektin teorik shtrohet pyetja kryesore: a duhet që qytetarët që jetojnë jashtë vendit të kenë të drejtën të ndikojnë në përbërjen e organeve që marrin vendime vetëm për ata që jetojnë brenda territorit të shtetit?
Sipas teorisë së përfaqësimit politik, mund të thuhet se vetëm ata që përjetojnë pasojat e vendimeve të tyre zgjedhore duhet të kenë të drejtën për të votuar. Ky problem përfaqësimi është veçanërisht i rëndësishëm në vendet që kanë një numër tepër të madh qytetarësh që jetojnë jashtë (sikurse është Shqipëria apo vende si El Salvadori e Meksika), ku votat e emigrantëve mund të bëhen vendimtare për rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve. Në aspektin teknik është e kuptueshme që rregullsia, liria dhe siguria e votave të qytetarëve të tyre që votojnë jashtë nuk mund të garantohet në të njëjtën masë si ato që votojnë brenda vendit dhe se KQZ-ja dhe hallkat e tjera të administrimit të procesit elektoral nuk mund të kryejnë funksionet e tyre autonomisht në vendet pritëse të huaja ku janë emigrantët.
Thënë ndryshe, është shumë e vështirë që të garantohen principet e votës universale, të barabartë dhe të fshehtë, akoma më e vështira të mbahen të barabarta mundësitë për konkurrencë ndershme të të gjitha partive që garojnë dhe pothuaj e pamundur që të parandalohet shkelja e ligjit zgjedhor e shkelësit të çohen para gjyqit. Për të gjitha këto arsye, studiuesit e demokracisë nuk e rekomandojnë votën nga jashtë as për vendet me numër të madh emigrantësh dhe as për vendet me demokraci të pakonsoliduar që kanë probleme të shumta me parregullsi e mashtrimeve zgjedhore. Të dy këto janë probleme thelbësore që vlejnë për Shqipërinë dhe këtu kthehemi te deklarata e kryeministrit për një fitore plebishitare në zgjedhjet që vijnë.
Vetëbesimi bazohet te kutia e porta e re që sapo është hapur për manipulim me votat me postë të diasporës. Le t’i marrim me radhë problemet që kanë pasur tradicionalisht zgjedhjet në Shqipëri për të kuptuar se si ato probleme bëhen disa herë më të pakontrollueshme më të mëdha me votën me postë në diasporës. Blerja e votës është një nga problemet më të mëdha në procesin zgjedhor shqiptar. Ka raste të dokumentuara ku votuesve u janë ofruar para, mallra ose përfitime të tjera materiale në këmbim të votës së tyre. Kjo gjë e dëmton rëndë procesin demokratik dhe krijon një sistem të pandershëm që favorizon ata me burime financiare. Në këtë rast bëhet fjalë për qeveritarët e korruptuar, bizneset afër tyre ose trafikantët e lidhur me ta. Si mund të monitorohen apo ndëshkohen nga ligji shqiptar ata që blejnë votat e votuesve emigrantë në vende të tjera ku nuk ka juridiksion? Aq më tepër kur aferat e nxjerra në publik prej SPAK-ut dhe prej përgjimeve të ‘Sky’ dhe ‘EncroChat’ kanë demonstruar se këta aktorë qarkullojnë dhjetëra në mos qindra miliona dollarë në vit.
Një tjetër problem thelbësor është presioni mbi votuesit. Dihet mirë që në disa zona, veçanërisht në qyteza periferike e zonat rurale, votuesit vihen nën presion nga individë të fuqishëm lokalë, kriminelë, qeveritarë, biznesmenë me lidhje politike, përfaqësues të partive politike apo grupe të tjera për të votuar në një mënyrë të caktuar. Ky presion shpesh përfshin kërcënime me dhunë, shantazh për humbjen e vendeve të punës apo të përfitimeve sociale dhe detyron votuesit dhe familjarët e tyre që të votojnë për partinë me pushtet.
Çfarë do ta pengojë, për shembull, patronazhistin që ta shantazhojë me vendin e punës rrogëtarin në një qytet ose fshat për t’i garantuar jo vetëm votën e familjarëve në Shqipëri, por edhe të fëmijëve që mund të ketë në Greqi apo Itali? Aq më tepër kur vota e këtyre të fundit për partinë në pushtet mund të garantohet më lehtë me një video të procesit të mbushjes së fletës, mbylljes dhe postimit të zarfit, ndërkohë që fotografimi i votës në kuti të votimit është më i vështirë dhe mbart përgjegjësi ligjore. Këtu lidhet elementi tjetër i fshehtësisë së votës, i cili nuk po arrihet siç duhet as në kushtet e pranisë në qendra votimi të komisionerëve të partive të ndryshme e vëzhguesve të brendshëm e të huaj brenda territorit të Shqipërisë.
Çfarë do i pengojë rrjetet kriminale ndërkombëtare shqiptare ose patronazhistët që blejnë vota, që të shkojnë nëpër vendbanime emigrantësh dhe të sigurohen që ata i mbushin votat për pushtet dhe i fusin në zarf para syve të tyre? Për më tepër që vetë zarfi i dërguar nga diaspora ka një dërgues pra lë gjurmë shtesë për burimin e votës. Manipulimi i kutive të votimit ose “mbushja” e tyre është një tjetër shqetësim në zgjedhjet shqiptare. Kjo gjë përfshin shtimin e fletëve të votimit në kutitë pas mbylljes së qendrave të votimit, për të favorizuar një kandidat ose parti të caktuar. Në Shqipëri ndodh shpesh të shikosh sesi nga qendrat e votimit në fshatra periferikë, ku vetëm tri-katër shtëpi kanë mbetur të banuara me drita të ndezura, vijnë kutitë përplot me pjesëmarrje mbi 90% të listave të këtyre fshatrave të zbrazura.
Si të garantojmë që këto fletë votimi në një shtet të huaj të mbushen nga aktivistë apo patronazhistë e jo nga votuesit individualë, kur nuk ia dalim dot ta garantojmë as brenda territorit tonë. Këtu nxjerr krye një tjetër problem i përhapur në Shqipëri që është votimi në grup (dhe që është faktikisht problemi kryesor i votave me postë që dërgohen në Kosovë). Bëhet fjalë për faktin që një anëtar i familjes voton për të tjerët, veçanërisht në zonat periferike.
Kjo praktikë sfidon parimin e fshehtësisë së votës dhe dëmton të drejtën e individëve për të zgjedhur në mënyrë të lirë dhe të pavarur. Ky problem është tërësisht i paadresueshëm në diasporë, sikurse ndodh dendur në Kosovë, një familjar aktivist i një partie politike mund të marrë fletëvotimet dhe dokumentet personale të të gjithë familjarëve ose rrethit shoqëror dhe ta fusë në zarf e postojë vetë votat në vend të tyre. Me pak fjalë, ndërkohë që neve ende kemi probleme thelbësore me parregullsitë në proces zgjedhor brenda territorit shqiptar, vazhdojmë të eksperimentojmë me teknologji të votimit elektronik apo identifikimit tektonik dhe ende nuk kemi adresuar rekomandimet bazike të partnerëve ndërkombëtarë për procesin elektoral, befas, si “një makth të një nate vere” është hapur kutia e Pandorës për mashtrime të reja elektorale të organizuara në shkallë të gjerë nëpërmjet votave me postë të diasporës.
Kur Partia Socialiste me strukturat e saj të konsoliduara në diasporë ia ka dalë tradicionalisht të sjellë nga vendet fqinje mijëra votues me autobusë të organizuar për zgjedhje parlamentare gjatë së kaluarës, kuptohet që e ka dhjetëra herë më të lehtë që të organizojë dërgimin e votave me zarfe. Si përfundim, duhet thënë me keqardhje, se ne nuk ia kemi dalë që të zgjidhim problemet e përhapura të blerjes së votave, presionit mbi votuesit, mbushjes së fletëvotimeve nga militantët në vend të mbushjes nga votuesit, votimeve në grup dhe fshehtësisë së votës brenda territorit të Shqipërisë, kuptohet që do e kemi të pamundur për ta kontrolluar procesin dhe ndëshkuar shkelësit kur bëhet fjalë për jashtë juridiksionit shtetëror.
Prandaj votimi me postë i diasporës, në kontekstin e sistemit zgjedhor shqiptar, paraqet një rrezik dramatik për minimin e integritetit të procesit zgjedhor dhe për vetë demokracinë në vend. Për pasojë, me të gjitha gjasat, kryeministri ka të drejtë në deklaratën e tij, kjo reformë ka për ta rreshtuar Shqipërinë përkrah republikave ish-sovjetike të Kaukazit e Azisë Qendrore si një shtet, ku opozita do të jetë e pranishme në parlament formalisht si një garniturë për të ushqyer iluzionin se jemi ende pluralizëm.Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co