Posti i Kreut të Policisë së Shtetit, shpallet thirrja për aplikim/ Kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët

posti i kreut te policise se shtetit shpallet thirrja per aplikim kriteret qe duhet te plotesojne aplikantet
posti i kreut te policise se shtetit shpallet thirrja per aplikim kriteret qe duhet te plotesojne aplikantet

Ministria e Brendshme ka shpallur sot thirrjen për aplikim pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit

Thirrja përmban kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët për pozicionin e lartë drejtues, dokumentacionin, mënyrën, afatin e dorëzimit dhe vlerësimit.

Kandidatët e interesuar kanë 7 ditë afat për aplikim, duke dorëzuar dokumentacionin e plotë të përcaktuar në Udhëzimin nr. 160, datë 2.9.2024.

APLIKANTI DUHET TË PLOTËSOJË KËTO KRITERE

Kritere të përgjithshme:

a) mban njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues;

b) të ketë shtetësi shqiptare;

c) të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë;

ç) të mos ketë marrë masat disiplinore të përcaktuara në shkronjat “c”, “ç” dhe “d” të pikës 1 të nenit 123 të ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, brenda 5 (pesë) vjetëve të fundit;

d) të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse.

dh) të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit.

DOKUMENTACIONI, MËNYRA, AFATI I DORËZIMIT DHE VLERËSIMI

Kërkesë me shkrim e aplikantit drejtuar Ministrit të Brendshëm për të shprehur interesin për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Kërkesa me shkrim shoqërohet nga dokumentet e mëposhtme:

a) një jetëshkrim i përditësuar;

b) një platformë personale e qëllimeve dhe objektivave që kandidati propozon të ndjekë. Ky dokument duhet të jetë punë origjinale e kandidatit dhe nuk duhet të kalojë 20 faqe, në llojin e shkrimit Times New Roman, madhësia 12, me një njësi hapësirë mes rreshtave;

c) një vetëdeklarim sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave të zgjedhur, emëruar ose që marrin funksione publike”;

ç) dëshmi të gjendjes gjyqësore lëshuar nga organi kompetent shtetëror, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;

d) vërtetimin/dokumentacionin e përshtatshëm që provon përvojën e punës së kandidatit për pozicionin për të cilin konkurron;

dh) rezultatet e vlerësimit profesional dhe etik të kandidatëve në punët që kanë bërë në të shkuarën, nëse ka, apo rezultatet e arritura gjatë përvojave të tyre të punës, që lidhen me ushtrimin e funksioneve në fushën e rendit dhe sigurisë;

e) rezultatet e arritura gjatë studimeve të larta dhe në trajnime dhe kurse të certifikuara, brenda dhe jashtë vendit;

ë) rezultatet e arritura gjatë studimeve pasuniversitare në fushën e rendit ose sigurisë;

f) kopje të noterizuara të dëshmive të gjuhëve të huaja, nëse ka;

g) kopje të noterizuara të gradës shkencore ose titujve akademikë, nëse ka;

gj) kopje të vërtetimit të besueshmërisë, të marrë nga komisariati përkatës, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;

h) dokumentin shëndetësor që dëshmon aftësinë për punë, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;

i) një vetëdeklarim që kandidati nuk është në konflikt interesi në ushtrimin e detyrës;

j) një vetëdeklarim që kandidati nuk është larguar nga puna më parë për shkaqe disiplinor dhe që nuk ka masë disiplinore në fuqi në momentin e kandidimit.

VLERËSIMI

Kandidatët, brenda 7 ditëve nga shpallja e thirrjes për aplikim, duhet të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të përcaktuar në Udhëzimin nr. 160, datë 2.9.2024 (shkarko Udhëzimin)

Pas përfundimit të afatit 7-ditor për paraqitjen e shprehjes së interesit, Ministria e Brendshme publikon në faqen zyrtare emrat e kandidatëve.

Brenda 10 ditëve pune nga përfundimi i afatit të dorëzimit të shprehjeve të interesit, Komisioni i Posaçëm kryen vlerësimin paraprak, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore.

Në përfundim të vlerësimit paraprak, Komisioni harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore dhe të kandidatëve që nuk i plotësojnë këto kushte, bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga kandidati dhe dokumentacionin shtesë të mbledhur nga Komisioni.

Komisioni merr vendim për përjashtimin e kandidatëve që nuk plotësojnë kushtet ligjore dhe i njofton me shkrim kandidatët e përjashtuar, në mënyrë të arsyetuar për shkaqet e përjashtimit.

Komisioni organizon seancë dëgjimore me kandidatët dhe i njofton ata të paktën 3 ditë para seancës dëgjimore.

Anëtarët e Komisionit vlerësojnë të gjithë informacionin e vënë në dispozicion prej kandidatëve, dokumentacionin e mbledhur dhe informacionin e marrë gjatë seancës dëgjimore dhe i dorëzojnë Ministrit renditjen e kandidatëve, së bashku me vlerësimet me shkrim.

Shprehja e interesit dhe të gjitha dokumentet e kërkuara duhet të dorëzohen në adresën postare, ose në adresën elektronike

Adresa postare: Ministria e Brendshme, Bulevardi Dëshmorët e Kombit Nd. 1, Tiranë 1001 Tiranë, Shqipëri

Adresa elektronike: [email protected]

Afati i dorëzimit të aplikimit: Deri në 18 shtator 2024

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →