Një ngjarje kriminale është parandaluar në Vlorë, ku policia ka vënë në pranga një 51-vjeçar, i cili kishte kërcënuar se do të vriste me armë fqinjin e tij.
Blutë e Vlorës thonë se mes dy fqinjëve kishte një konflikt, i cili kishte arritur deri në kërcënimin serioz për jetën.
I arrestuari është 51-vjeçari me iniciale E.B, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri kallashnikov, të fshehur në një fuçi, së bashku me dy krehëra dhe 75 fishekë.
Njoftimi:
Falë ndërhyrjes në kohë dhe veprimeve profesionale të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, u parandalua një krim që mund të kishte pasoja të rënda për jetën.
Arrestohet 51-vjeçari që kërcënoi të vriste fqinjin me armë zjarri.
Sekuestrohet një armë zjarri kallashnikov dhe fishekë në banesën e të dyshuarit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, pas informacionit të marrë se një shtetas posedonte armë zjarri dhe kishte konflikt me fqinjin e tij, konflikt ky që kishte arritur në kërcënime serioze për jetën, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Strike 21”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
E. B., 51 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri kallashnikov, të fshehur në një fuçi, së bashku me dy krehëra dhe 75 fishekë.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co