UVIL ZAJMI/
SHKOLLA 8-VJEÇARE”AVNI RUSTEMI”
E ndërtuar në fillim të viteve 60-të si shkollë 8-vjeçare ishte me tri kate, shtrirje lindje -perëndim, me dy hyrje për në sheshet e saj, nga veriu dhe tjetra anësore nga perëndimi, me dy fusha basketbolli, volejbolli, një palestër në katin e parë në fund të korridorit majtas, dhe nga ana tjetër, dhomat e punës me metal, e me dru, përballë njëra-tjetrës. Hyrja kryesore në shkollë ishte nga ana ballore saj, disa shkallë, një strehë e gjatë majtas-djathtas, dhe një shesh i vogël sapo futeshe, dhe muret ku vendosej orari, stenda e të dalluarve, njoftimet.
Pastaj korridoret majtas e djathtas me klasat. Disa shkallë për t’u ngjitur, në dy katet e tjera me të njëjtën strukturë. Në të dytin ishte drejtoria, salla e mësuesve. Njëra nga pastrueset, një mësues dezhurni, o një nxënës, në çdo fillim, fund 45-minutëshi, të pushimit të madh, përdorte zilen, një manuale dore. Shkolla ishte nga e hëna në të shtunë. Në start të ditës shkollore ishte gjimnastika e mëngjesit, që zhvillohej në oborr. Mbyllej dera, e nëse dikush vinte me vonesë, qëndronte jashtë dhe pas një vërejtje, e lejonin të futej në mësim. Hyrja fillonte nga e pesta A. Në orën 8, binte zilja, të gjithë në banka, të ulur në pritje të mësuesit, zyshës, që kur futej përshëndeste, dhe nxënësit të ngritur në këmbë e falënderonin. Orët ishin 45 minuta, pushimi i vogël 5 dhe i madhi 30 minuta. Në mesditë në orën 13.
1 SHTATORI, DITA E PARË
Shkolla fillonte me 1 shtator, dhe kishte tri semestra, siç quheshin. I pari deri me 24 dhjetor. Pushim deri me 11 janar, Dita e Shpalljes së Republikës, pas të cilit niste semestri i dytë, deri në mars, dhe i treti deri në mbyllje të vitit shkollor, fundi i majit. Një javë para se të niste shkolla, pasi ishin kthyer nga pushimet, plazhi, kampet ditore, ato verore, me prindërit shkonim te “Dyqani i librit shkollor” në fillim të Rrugës së Elbasanit, për të marrë e blerë librat, dhe kinkalerinë e duhur, që nuk kushtonin. Librat që nuk ishin aty na i jepnin kur niste mësimi (Ata që i kishin mbajtur mirë librin në fund të vitit, e dorëzonin, dhe drejtoria e shkollës ia shpërndante nxënësve të vitit tjetër). Kështu edhe me ato të gjuhës angleze, që pas rusishtes ishte viti i parë që aplikohej në disa shkolla. Ne të “Avni Rustemit” ishim me fat në këtë drejtim. Ndërsa, deri në klasën e tretë, konsideroheshim fatosa, në të katërtën, pas betimit, marrjes së shallit, ishim pionierë. Kështu, shkonim te “Dyqani i pionierit”, që ndodhej në fillim të bulevardit, pas reklamave te ish-Komitetit Ekzekutiv, për të blerë veshjen.
Me përparësen e zezë, jakën e bardhë shallin, pantallona të shkurtra, me një tufë lule, kjo ishte paraqitja me 1 shtator, ditën e parë të shkollës. Ndërkohë ishte bërë regjistrimi, ishte caktuar zysha apo mësuesi kujdestar, nxënësit, jo më shumë se 35 për çdo klasë. Në të pestën takoheshin ata që vinin nga cikli i ulët i asaj shkolle, por edhe nga shkollat e tjera përreth. Ndërsa deri në të katërtën një mësuese jepte të gjitha lëndët, në të pestën e në vijim ato ndryshonin, sipas lëndëve. Te ajo shkollë kam kryer tetëvjeçaren nga viti 1966 deri më 1970. Nga dita e parë e saj deri në të fundit, nga e pesta C që shkruhej sipër derës, në katin e parë, djathtas me dritare nga fusha e volejbollit deri në të fundit, e teta C edhe kjo në atë vendosje. Më pas në bankat e asaj shkolle janë ulur fëmijë nga familje, vëllezër, motra të afërm.
ZYSHAT, MËSUESIT DHE REGJISTRI
Nostalgji, respekt, vlerësim i madh kur i kujtoj, ndonëse pjesa më e madhe e tyre nuk jetojnë. Banues në afërsi të shkollës, nga Petraq Kosova, mësuesin e paharruar të gjeografisë, tejet korrekt, në orën e tij ishte qetësi absolute, me një zë karakteristik, tipik mësues. Përdorte një çantë lëkure dhe në shpjegim mbante në dorë një shkop të gjatë. “Nuk mbahet shtëpia me miell hua”-thoshte kur dikush tentonte t’i tregonte atij që ishte ngritur në tabelë. Vizhdan Demirin, zysha e paharruar ka Dino, Diana Turkeshi, Hatixhe Agalliu. Për herë të parë një lëndë e re, gjuha e huaj, anglisht.”What i’ts your name?” Ndaheshim në dy grupe. Pak kohë qëndroi Lirika, pasi u largua në një ambasadë. Erdhi Tatjana Klosi, e gjatë me një bishtalec të veçantë. Eleni Buda, gruaja e profesorit Aleks Budës në Gjuhë.
Në letërsi, zysh Marta, trupgjatë. Vangjeli Çomora, gruaja e Spiro Çomorës në vizatim, lëndë që praktikoje vetëm në të pestën. Një grua, një mësuese e traditës, e mrekullueshmet. Violeta Avdiu, ajo e historisë, shumë serioze, banonte pranë shkollës. Një mësues, emri i të cilit nuk më kujtohet, që e kritikuan se shkonte fshehurazi në kishë. Violeta Avdiu e historisë, Gjinovefa, zysha e “Punë shtëpiake”, Merushe Cami, një bionde, Agim Gjakova, pastaj Meti, Aliu, Riza Lofca të punës me dru e metal. Pastaj ato të fizkulturës: Pal Mirashi, Uran Alite, Donika Parapani (Konomi). Pa harruar drejtorët legjendarë: Shefqet Tirana, i pari, Stefan Poga, Sadete Cuci, njerëzor të respektuar, të dashur, komunikues, kështu i kujtoj edhe sot kur dilnin para shkollës, për të komunikuar diçka, përshëndetjen e 1 shtatorit, etj. Me to edhe nëndrejtoreshat. Në vitet që vijuan të tjerë mësues, iu shtuan shkollës, emra, të njohur, Violeta Cami, Drita Mula, Liri Shala, Flutura Thaçi, Dhurata Hakani, Dhurata Laze, Adelina Mullisi, Bukuroshe Shtiza, Liza Mema, Arben Alimemeti me gruan e tij, etj.
Violeta Gjergji, gruaja e këngëtarit Nikolin Gjergji, ishte ajo që organizonte çdo eveniment artistik. Drejtonte korin e shkollës, përgatitjet, përzgjedhjen e nxënësve. Pastaj regjistri: E “8-C”. Sa emocion, kishte kur mësuesi, zyshat futeshin në klasë me atë në dorë, ashtu i kujtoj. Ishte ai dokument zyrtar që lidhte mësues-nxënës. E vendosnin mbi tryezë, e hapnin në lëndën e tyre, apeli dhe në thirrja e nxënësit në dërrasë të zezë. Kishte raste kur dërgonin një nga nxënësit për ta marrë apo për ta lënë në sallën e mësuesit. E paharruar, gjithashtu, germa “m”, që vihej nga mësuesi gjatë apelit në një katror të faqes së lëndës së tij. Kjo në raste kur nxënësi, mungonte. Me tre “m”, bëhej problem, ku ato ishin të pajustifikuara.
KLASA, NGA E PESTA TEK E TETA C
Fëmijë të sjellshëm, nga familje të mira, modeste, të dashur dhe pa xhelozi me njëri tjetrin. Të shoqërueshëm, dhe të njohur me banim pranë njëri-tjetrit. Në një bankë dërrase, që i hapej kapaku për të futur çantën, me dy nxënës, djem o vajza, pa përcaktim, detyrim, por një zgjedhje e lirë. Nga rreshti i dritares: Ardian Gazi, Ajdin Shoshi, Albert Carka, Shyqyri Cullhai, Vasil Gaqi (që me brisk, bënte një kuadrat të vogël, duke gërvishtur, hequr bojën me të cilën lyheshin xhamat, që nxënësi të mos shihte nga jashtë) Fatos Sopoti, Mimoza Dibra, Vasilika Panteqi, Ilia Coka, Dritan Korca, Ilir Zajmi Arjan Bakiri; në mes: Nazmi Bardhi, Arben Sazani, Ismail Bogdani, Enrik Laku, Ingrid Lamlika, Violeta Sina, Pranvera Misha, Elsa Karanxha, Uvil Zajmi, Sulejman Starova, Vexhie Rushiti, Vera Maloku; nga muri: Irakli Dhales, Fatmir Leli, Maks Ceku, Ilir Karanxha, Zana Lofca, Yllka Papajorgji, Violeta Elmazi, Vjollca Iftica, Tatjana Anastasi, Shkëlqim Fortuzi, Stefan Semi.
Disa prej tyre, fatkeqësisht janë ndarë nga jeta. Në klasë ishim dy Zajmi, me baballarë, me të njëjtin emër, Nexhmedin dhe që banonin afër. Po kështu edhe Karanxha, Ilir dhe Elsa. Të gjithë nxënësit na bashkonte Rruga e Durrësit, ajo e Kavajës, dhe rrugicat, rrugët që i lidhnin ato.
ORËT E MËSIMIT
Pas apelit, rituali, të gjithë me sytë si lëvizte stilolapsi i zyshës, mësuesit, në fletën e regjistrit, nga sipër poshtë regjistrit. Kur dora e tij ishte në mes, ata në krye kishin shpëtuar ngritjes në mësim, rrezikonin ata në fund. Kishte raste kur dora kthehej sërish në fillim, të tjera emocione. Pastaj me nxënësit që ngriheshin në dërrasë të zezë, ndërsa pjesa e dytë e orës, i takonte mësuesve të shpjegonte mësimin e ri. Befasi ishin provimet e papritura që zhvillonte mësuesi i lëndës. Mjafton të thoshte: “Sot kemi provim, duke na ndarë në dy grupe, A dhe B”.
Në fund të çdo semestri në mësim ngriheshin ata që kishin dy nota, pasi për notën mesatare, duhet të kishe tri nota. “5-sa ishte e mjaftë për kalim”- shkruhej në dëftesë. Pas shumë vitesh me notat nga 1 deri në 5, sistemi i ri i vlerësimit të nxënësit kishte ndryshuar nga 4 te 10-ta. Me shumë kënaqësi pritej ora e muzikës, vizatimit, punës me dru e metal, ishin pa ngarkesë. Të punës me dru dhe metal alternoheshin, një herë në javë dhe të pandara dyorëshe, ndryshe nga lëndët e tjera. Por mbi të gjitha ajo e fizkulturës, dy herë në javë, për të cilën merrnim kanotiere, atlete nga shtëpia. Ta kishe të premten, të shtunën orët e fundit, ishte mirë, pasi në orët e tjera, sidomos në të parat vishu-zhvishu, pastaj në mësim nuk preferohej. E kundërta me matematikën, fizikën, gjuhën, t’i kishe në orët e fundit dhe në fundjavë ishte lodhëse.
SKUADËR FUTBOLLI, BASKETBOLLI
Shkolla kishte edhe skuadrën e futbollit, me Adrian Gazin, Tikën në krahun e majtë si mbrojtës i majtë, Arjan Bakirin në portë, Sulejman Starvën kapiten. Ishte ai që vendoste cili do të luante: Albert Carka, Genc Shahu, Fred Noshi, Arjan Bakiri, Shkëlqim Fortuzi, ishin lojtarë formacioni. Krijuam skuadrën e basketbollit të shkollës, dhe në pushimin e madh zhvillonim ndeshje midis klasave, ku e pranishëm ishin të gjithë nxënësit, mësuesit. Çfarë rivaliteti, atmosfere, entuziazmi.
E prisnim me padurim zilen e orës së tretë dhe të gjithë me vrap, në fushën e basketbollit Për të siguruar një vend në pesëshe nuk ishte e lehtë, pasi kishte rivalitet. Luanim mirë nga Starova, Mir Leli, unë, Ilia Coka. Ose duhet të dilje në stërvitje individuale në mesditë ose pas mësimit te oborri i shkollës që të siguroje pesëshen.
ÇDV
Tri germa të paharruara, të cilat nxënësi i ngritur në dërrasën e zezë, në orën e matematikës, në përfundim të ushtrimin, shkruante ÇDV. “Çfarë deshëm vërtetuam”, ishte nënkuptimi i tyre. ÇDV konfirmonte përgatitjen e nxënësit, saktësinë në përgjigje të ekuacionit, problemit matematikor. Ishte detyrim që të vendosje ÇDV-në me germa të mëdha shtypi.
PATRULLA E PIONIERIT
Dy fëmijë të çdo klase dilnin pasdite si patrullë në orarin e studimit në zonën e banimit dhe pak më larg për të kontrolluar se kush nga nxënësit ishte duke luajtur, kur ora e studimit ishte 15.00-17.00 Ky orar për ata që zhvillonin mësimin paradite dhe 8-12, për ata që kishin mësimin në mesditë. Të nesërmen, “Patrulla e pionierit” raportonte te mësuesi kujdestar, i cili njoftonte prindërit e nxënësit i kapur nga patrulla. Kjo më shumë për ata që ishin dobët me mësime kishte kujdestari, kur një nxënës i mirë, I caktuar nga zysha kujdestare shkonte në takim me prindër. Nuk e harroj, përkundrazi. Asgjë nuk ishte më e vështirë se ajo ditë, ora 5-6 të enjteve, një herë në dy javë, kur prindërit ishin të detyruar të shkonin në shkollë, të informoheshin për ecurinë e fëmijës në mësime, mungesat, gjithashtu.
Takimi zhvillohej në klasë, në raste të veçanta, i kërkuar nga mësuesi kujdestar, nxënësi shoqërohej edhe nga prindi. Pritja, kthimi i prindërve në shtëpi, shpesh nuk kalonte lehtë, varej nga paraqitja, informacioni që kishte marrë nga mësuesit. Kritika, dhe premtimi për një angazhim maksimal në vijim. “Thyerja me notë në sjellje” nuk praktikohej në ato nivele. Në përgjithësi ishin fëmijë modestë, nga familje të mira, të qetë, me principe të qarta për moshën, të edukuar, jo xhelozë, Po kështu edhe raportet shkollë familje. Në përgjithësi fëmijët, familjet njiheshin, kishin afërsi banimi.
PROVIMET E LIRIMIT
Kështu janë njohur. Zhvilloheshin në përfundim të klasës së tetë. Në tri lëndë: Letërsi me hartim, matematikë me shkrim dhe me gojë në gjuhë. Pyetjet jepeshin kohë më parë dhe vetëm një javë përgatitje nga dita kur përfundonte shkolla. Një notë e mirë në provim të rregullonte mesataren e asaj lënde. Çdo provim një herë në tri ditë. Ditën e provimit, të gjithë nxënësit e klasave të teta, rreshtoheshin para shkolle, dhe futeshin sipas listave emërore.
Mësuesja e kujdestare shoqëronte nxënësit, ndërsa komisioni përbëhej nga tre mësues, njëri detyrimisht i lëndës. Pasi merrje tezën, ulej në bankë dhe sipas radhës nxënësi përgjigjej para komisionit. Një javë më vonë merreshin dëftesat, njëfletëshe, ku përveç lëndëve me nota, jepej edhe një karakteristikë e shkurtër për nxënësin, sjella e tij, vlerësuar me notë. Me një shkrim të vogël shkruhej: “Nota e mjaftë për kalim është 5”.
KUJTOJ
Kujtoj që zhvillohej një lëndë Ekonomi Shtëpiake, ku trajtoheshin tema interesante që nxënësit i ndiqnin më vëmendje e dëshirë, si gatime, qepje kopsash, arnime, etj. Një kapitull interesant ishte Higjiena, Edukata Qytetare, punë me dru, me metal, lëndë vetëm një herë në javë, ato konsideroheshin orare pa imenim. Klasa ndahej në dy grupe, njëri në punë me dru, tjetër me metal. Alternoheshim. Kujtoj, gjithashtu dezhurnin e klasës: Duhet të shkoje herët, kur në ditët e ftohta merrnim dru nga shtëpia për zjarrin, ndezur sobën e ngrohur klasën, të pastroje, sistemoje bankat, dërrasën e zezë, fshirësen, bashkë me dezhurnin e shkollës. Atë ditë nuk merrje pjesë në mësim dhe paradite që qëndroje te dera kryesore e shkollës, në pritje për t’i rënë ziles të fillimit dhe mbarimit të orëve të mësimit. Rivaliteti me klasat e tjera në mësime në shfaqje, në orët e muzikës, ato të fizkulturës, tabelën e të dalluarve. Pranvera Mishën, Moza Dibrën Vjollca Bibën, Ermira Gjatën, Vasilika Panteqin, e shumë të tjerë. Në një konkurs të organizuar midis shkollave 8-vjeçare, për letërsinë që u zhvillua në pallatin e pionierëve, u shpallëm fitues të Tiranës.
NE ISHIM TRE
Ka qenë 1 shtator 1966. Unë vija nga shkolla “Naim Frashëri”, dhe në ditën e parë te “Avni Rustemi” më drejtuan në klasë, e 5 “C” e fundit në katin e parë nga e djathta, me dritaret nga perëndimit. Banka e parafundit, rreshti mesit, ulem, në pritje kush do të ulej aty. Pas pak në klasë futet një djalë, dhe me drejtohet: E lirë është? Po i them. Ulet dhe pyetja e parë: Si e ke emrin? Uvil Zajmi i them, po ti, Sulejman Starova më thotë. Nga cila shkollë vjen? Nga “Naim Frashëri”, po ti? Nga “Hasan Vogli” më përgjigjet, duke vijuar: Me cilën skuadër je tifoz? Me Partizanin, po ti? Me Tiranën.
Ky ka qenë prezantimi, komunikimi njohja me Sulejman Starovën. Nga ajo kohë edhe sot na mban, na lidh nuk ndan 1 shtatori avnirustemist i 1966. Në klasën e shtatë u bashkuam me të 7-n “A”. Aty u njohëm edhe me Arjan Bakirin. U miqësuam të tre, unë Starova dhe ai. Një miqësi që vazhdoi edhe pas klasës së tetë, kur u ndamë. Ata në Mjeshtërinë Sportive, unë në Politeknikum. Fatkeqësisht Arjani, ndërroi jetë, disa vite më parë pas një ataku në zemër.
KËNGËT
Një aventurë e nisur, kur në shkollë, në orën e muzikës, përgatiteshim, mësonim këngë kineze, pa ia ditur përmbajtjen. “Lindja është e kuqe”, që kujtoj edhe sot. Provat gjenerale i bënim në pallatin e sportit “Parizani”. Pastaj Hit Parade, një ritual në katër vitet e shkollës e lidhur me këtë emision të famshëm radiofonik në Radio 2. Interesimi fillonte ditën e parë të shkollës, kur vraponim për të parë orarin e mësimeve, sa orë kishim të hënë e të premte, vetëm për të ndjekur Hit Parade, e Lelio Lutazit me zërin e tij karakteristik, të zgjatur: “Hiiiiitt Pareiiiiid”. Nxënës të klasës së pestë ishim. Të premten orë 12.40, dhe të hënën përsëritja në 13.20 me 10 disqet e shituar atë javë në Itali.
Motra e Sulejman Starovës, Didari, inxhiniere, nga Hit Parade merrte, shkruante tekstet italisht të këngëve dhe Starova na i sillte në klasë. Brenda orës së mësimit, nga një dorë, bankë tek tjetra, fshehurazi nga mësuesja, thuajse e kishim kopjuar. Fletë pa fund me tekste këngësh, të cilat i ruaj edhe sot. Kujtoj këngët “Casa Bianca” të Don Bakit, “Un’modo d’amore” e Xhani Morandit suksese të viteve 1965-66, te “Quanto t’amo” e Xhoni Hollideit, historia e dashurisë së me Silvi Varto. Kishte raste që Hit Parade e dëgjonim edhe fshehurazi në klasë, me një radio dorë që e merrte Stefan Semi, që ia kishin sjellë nga Amerika. Pastaj emisionet radiofonike të mëngjesit si “Il matiniere, “Canzoni dell mattino”, “Caffe canzioni e poche rige”, ato në mesditë: “Per voi Giovanni”,”Cara Rai”, në mbrëmje, “Supersonic”, “Alto gradimento”, “La Corrida”.
Janë vite që televizori është i rrallë në Tiranë, mbizotëronte radioja. Shkurt 1970, pushim i madh, në klasë po këndonim “Chi non lavora, non fa l’amore”, te Celentanos, që sapo kishte fituar Sanremon, futet zysh Sadete Cuci, çfarë situate, na foli ashpër, një këngë që e kishte kritikuar edhe “Zëri i Popullit”. Ndiqnim Radio Pragën, me këngë sipas kërkesave të emigrantëve italianë. Çdo ditë ora 13.00-14.00, të shtunë e të diel 13.00-16.00. Pa iu ndarë emisionit “Tutto il calcio minuto për minuto”, të dielën në mesditë. Natën vonë, të paharruara: Radio Montecarlo dhe Radio Luxemburg, me këngë të kohës, muzikë rock e blues, që vazhdonte deri në orën 4 të mëngjesit. Na ndihmonte edhe anglishtja. Te shtëpia e Ajdin Shoshit, djem dhe vajza, organizonim mbrëmje, me një magnetofon me shirita, me këngë shqiptare. Në shkollë jo se nuk na lejonin. Edhe sinjali ynë, u morr nga kënga “Black dog” e Robert Plant, të Led Zepelin. Ishte Arjan Bakiri që filloi ta përdorte dhe në pak kohë u bë sinjali për ne të tre. Edhe sot e vërshëllej me kënaqësi. Apo grupi Slade, bashkë me këngëtarët, komplekset italiane të muzikës së lehtë.
NGA SPORTI, ARTI, POLITIKA, BIZNESI
Nga i pari, mësuesi i paharruar i fizkulturës, Pal Mirashi ish-futbollit kampion Ballkani 1946, që kur nuk kalonim kaluçin, hanim dorën dhe si dënim na godiste me rripin e bilbilit. I jashtëzakonshëm, ruaj kujtime të mrekullueshme. Pastaj ata që kanë përfunduar aty. Sulejman Starova, ish -futbollist i “Partizanit”, trajner, sekretar i FSHF, opinionist, njeri shumëdimensional. Igli Tare, Erion Bogdani, lojtarë të famshëm, protagonistë, të ekipit kombëtar, titullar në klubet e njohura italiane të Serisë A. Futbollistët Millan Baci, kapiteni i njohur i “17 Nëntorit”, Shpëtim Duro edhe ky lojtar i shquar i “Partizanit”, më pas trajner elite dhe i suksesshëm. Për të vijuar me legjendaren e basketbollit të “17 Nëntorit”, kombëtares, Edra dhe morën e saj Mirza Alibegaj, basketbollistin Sokol Bellova të “Dinamos” e përfaqësueses; aktorët, artistët, Ndriçim Xhepa, imazh i dhjetëra filmave artistikë të Kinostudios, Agim Bajkon me Marjana Kondin, aktorë e shquar të humorit, personazhe karizmatikë në skenat, rolet me karakter të tillë, showmen-in unik, Robert Aliaj, piktoren restauratoren Anila N. Zajmi.
Mjekët nga Ilia Coka, Silvana Celiku-Velcani, Arben Demiri, Alekandër Hoxha; Darina Siliqi, sot në Francë. Bankierët Artan Santo, Limin Caci biznesmenin e ndërtimit Luigj Paloka, Enrik Laku. Njerëz të shkencës, profesorë ish-avnirustemsa: Ardian Vehbiu, gjuhëtar i njohur, Niko Qafoku shkencëtar, sot në SHBA, Vasilika Panteqin, etj. Për të ardhur tek ata të politikës shqiptare: Genc Ruli, profesor dhe politikan nga të parët; Genc Pollo, politikan karriere; Arben Imami, aktor i njohur dhe politikan gjithashtu; Ilir Dashi, edhe ky një tjetër politikan, biznesmen e suksesshëm, i ndarë nga jeta në moshë të re duke lënë pas “My way” të Frank Sinatrës, këngën e preferuar të tij. Ka edhe të tjerë avnirustemsa të famshëm, të njohur, me kontribute që mund t’i shtohen kësaj liste.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co