Piktori i përmasave europiane, Omer Kaleshi i dhuroi Kryegjyshatës Botërore Bektashiane 20 tablo të tij mistike për dervishët

piktori i permasave europiane omer kaleshi i dhuroi kryegjyshates boterore bektashiane 20 tablo te tij mistike per dervishet





































ENVER KUSHI/ Më 17 prill të vitit 2022, u nda nga jeta Omer Kaleshi, një nga piktorët më të mëdhenj të hapësirave shqiptare, i cili prej dekadash jetonte dhe krijonte në Paris. Kam pasur fatin ta takoj nga afër këtë piktor të përmasave europiane e botërore. Mbaj mend, disa vite më parë, kur në Paris xhironim filmin dokumentar për Marko Boçarin (me regjisoren Donika Muçi, operator Spartak Papadhimitri dhe skenar të Luan Ramës), ky i fundit, më foli për Omer Kaleshin dhe miqësinë e tij me një emër tjetër shumë të njohur në Francë e më gjerë, Abedin Dinon (i riu). Pastaj lexova një nga librat më të bukur të Luan Ramës, kushtuar jetës dhe veprës së piktorit të madh Omer Kaleshi, “Shtërgu nga Ballkani”, si dhe së fundi edhe një libër tjetër po të Luan Ramës “Omer Kaleshi”, një botim shumë cilësor i Shtëpisë Botuese “Albas” (2021).

MixCollage-03-Sep-2024-12-58-PM-1480

Shkrimtari dhe kulturologu Luan Rama është jo vetëm një nga njohësit më të mirë të pikturës së Kaleshit, por edhe mik i tij, duke i qëndruar pranë. Shumë nga miqtë e tij, piktorë e artistë, kanë thënë se, Omeri është martuar me pikturën. Vetë piktori i madh, duke folur për këtë vetmi, i ka thënë mikut të tij Luan Rama: “Për të pikturuar në këtë liri absolute dhe të fshehtë unë nuk mund të mendoja të martohesha… Kur mendoj për këtë vetmi, për këtë liri totale dhe të plotë, më kujtohet gjithnjë një frazë e Leonardo Da Vinçit: “Nëse dikush është i vetëm në atelier, është plotësisht ai. Nëse pranë tij është dikush tjetër, ai është gjysma e vetvetes; nëse janë dy njerëz pranë tij, ai mbetet veçse një çerek i vetvetes dhe nëse janë katër persona, ai atëherë nuk ekziston më!”

Dhe në këtë vetmi ai, siç shkruan Luan Rama: “Në tablotë e Omer Kaleshit është ngjizur diçka nga historia e drama ballkanike, imazhe të mjegullta, prerje dramatike mes qiellit dhe tokës, kokës së njeriut dhe sfondit, ndarje që ndjellin tragjedi, botë e trazuar, llavë e ngurtësuar mbi penel, dalë s’dihet nga ku. Që në pikëtakimin me tablotë e Kaleshit shumë vite më parë, kisha ndjerë thellë vetvetes një dramë njerëzore që përcillnin ato portrete të shumtë barinjsh, dervishësh, grash apo fëmijësh. Në ato pllaja, përgjatë kufijve, portretet e tij mbartin derte të mëdha. Rrallëherë fytyrat e personazheve të tij qenë të gëzuara. Shpesh mbi ballin e tyre kishte dëborë të përzhitur me pluhur, baltë ose me të zezë, që ka të bëjë me zinë…”

Omer Kaleshi ka lindur në vitin 1932, në Sërbicë të Kërçovës. Familja e tij shpërngulet më 1956 në Turqi dhe pas tre vitesh, Omer Kaleshi regjistrohet në Akademinë e Arteve të Bukura në Stamboll. Pas kryerjes së Akademisë, ai bëri shumë vizita në Muzetë dhe Galeritë e mëdha të Europës, si në Francë, Itali, Angli, Austri, Spanjë etj. Parisi i pëlqeu jashtë mase dhe e tërhoqi për vlerat dhe kulturën e madhe, që ky kryeqytet i kulturës botërore, rrezamarrë me pikturën e Kaleshit, kanë nënvizuar, se në krijimtarinë e tij, janë të njohura ciklet: “Kokat”, “Drama Ballkanike”, “Barinjtë”, “Dervishët”.

Lidhur me krijimtarinë e Omer Kaleshit, shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare ka shkruar: “Këta njerëz, këto koka, që në përsëritjen e tyre kanë diçka nga turmat biblike që lëvizin, nga vargjet e të mërguarve me po ato fytyra të tjetërsuara nga brenda është vështirë të përcaktosh se ç’populli i përkasin. Është ndoshta tmerri i vjetër prej përkatësisë etnike që e ka bërë piktorin të vij te ky vizion paraprak. Këta njerëz, këto koka, janë banorë të Anadollit, po aq sa të luginave ballkanasve, ose janë turq, shqiptarë, maqedonas, epirotë, hebrenj, trojanë, babilonas, pellazgë.”

MER KALESHI NË KRYEGJYSHATËN BOTËRORE BEKTASHIANE

Është data 18 maj 2018. Një ditë e bukur dhe e paqtë me shumë diell, që sidomos këtu në Kryegjyshatë merr një dimension dhe kuptim tjetër. Pikërisht në këtë ditë, erdhi për vizitë në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane Omer Kaleshi, piktori i madh me origjinë shqiptare.

E pashë nga larg siluetën e tij, duke ecur ngadalë. Ishte i veshur me të zeza. Vështrimi i tij kapte gjelbërimin e përhershëm të Kryegjyshatës dhe kodrat e buta në horizont. Këtu ai u njoh nga afër, me punën e bërë për ndërtimin e Qendrës Fetaro-Kulturore, ide e kahershme e Dede Ahmetit, kësaj figure të madhe të Bektashizmit, hedhjen e themeleve dhe ngritjen e këtij objekti madhështor nga Dede Reshati, Ai që e ringriti bektashizmin pas viteve ’90, si dhe përkushtimin dhe punën e palodhur të Baba Mondit, Kryegjyshit të sotëm Botëror, për përfundimin e këtij institucioni dhe për përurimin e tij më 7 shtator 2015.

Omer Kaleshi u befasua nga Muzeu i Bektashizmit, ku nëpërmjet stendave, dokumenteve, fotove, objekteve të shumta, shpaloset historia e Bektashizmit, që nga themeluesi, Haxhi Bektash Veliu e deri në ditët tona. Ai ndalet para stendës së Malit të Shenjtë Tomor, apo stendave ku jepet kontributi i madh i bektashinjve për Çështjen Kombëtare Shqiptare, veçmas në Teqenë e Frashërit dhe Vëllezërit Frashëri. Lexon vargjet e pavdekshme të engjëllit mbrojtës të shqiptarëve, Naim Frashërit, kushtuar Qerbelasë dhe Abaz Aliut. Gjithashtu, i bën përshtypje, manekini i personalizuar me portretin dhe veshjen e ishKryegjyshit Botëror Dede Reshat Bardhi. E kam pasur mik, thotë dhe e kam takuar disa herë, Dede Reshatin.

Më pas, ai viziton Arkivin e Kryegjyshatës, interesohet për dokumentet, si dhe në ç’gjuhë janë ato. Në shoqërinë e Kryegjyshit Botëror, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, vazhdon vizitën në bibliotekë, fonotekë dhe fototekë. Befasohet për punën e madhe, që është bërë dhe i shpreh Kryegjyshit mirënjohjen për rolin që luan Ai, për harmoninë fetare. Kur Kryegjyshi e njeh me vendimin e fundit, të Gjykatës së Strasburgut, ku Komunitetit Bektashian në Maqedoni i njihen të gjitha të drejtat, si gjithë komunitetet e tjera fetare, gëzohet pa masë dhe e përgëzon Baba Mondin. Në fondin e muzeut, unë dhe kolegia ime Sotirulla Hoxha, e njohim me punën shkencore, që bën Muzeu i Bektashizmit, që nga pasurimi me objekte e dokumente të reja, pajisjen e tyre me pasaporta personale, botimin e disa albumeve, si dhe ekspozitave të shumta, siç ishin ato të fundit, për Teqenë e Harabati Baba, në Tetovë dhe Dede Reshatin. Baba Mondi i tregon pikturën “Dervishi”, që ai ia ka dhuruar dhe që ndodhet në këtë fond.

Pastaj bëjmë një foto, pranë kësaj pikture. Omer Kaleshi, pyet më pas për librat e vjetër të Fondit tonë, si janë ruajtur e në ç’gjuhë janë. Baba Mondi i thotë, se ato janë një pasuri e madhe dhe ruajtur nga besimtarët bektashinj, kur pas vitit 1967 Shqipëria u shpall vend ateist. Unë i them, se jam njohur me veprën e tij nga një botim i Luan Ramës, ku kam mësuar shumë. Pastaj i them, se jam nga viset nga është me origjinë Abedin Dino(i riu). Omer Kaleshi, pasi më shtrëngon dorën, më thotë, se e ka pasur mik Dinon, se është piktor i madh e se është nipi i Abedin Pashë Dinos.

E shoqërojmë në vendin, ku është libri i përshtypjeve e pastaj e përcjellim jashtë. Ai largohet, duke ecur ngadalë. Ndjek këtë ecje të ngadaltë të tij drejt Selisë së Kryegjyshatës Bektashiane. Dhe nuk e di pse më kujtohen tablotë e piktorit të madh me koka apo dervishë bektashinj. Dhe më vijnë ndërmend rrëfimet e çuditshme mistike, bektashiane për baballarë apo dervishë, ku flitet për koka, që ata i mbanin në duar, duke ecur pa ‘to. Kështu flitet për Kuzum Babain, në Vlorë, që kur i prenë kokën, misionari dhe shenjtori i madh bektashi, u ngrit në këmbë, mori në dorë kokën e tij dhe bëri tutje, duke lënë pa gojë, ata që e shihnin. Atje ku qëndroi dhe ra bashkë me kokën e prerë në dorë, u ngrit Teqeja dhe tyrbja e Kuzum Babait. Piktori i madh vazhdon të ecë ngadalë, duke kthyer herë-herë kokën pas. Më duket sikur rreth tij janë vendosur dhjetëra koka, si në tablotë e famshme të Omer Kaleshit.

GALERIA “OMER KALESHI”

Vizitorët e shumtë që vijnë për të parë Qendrën FetaroKulturore në Kryegjyshatë, veçanërisht ata që futen në Muzeun e Bektashizmit, befasohen kur hyjnë në Galerinë “Omer Kaleshi”, e cila u përurua më 21 nëntor të vitit 2019. Është e vetmja galeri në Shqipëri, dhuratë e çmuar që piktori Kaleshi i bëri Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Atje janë ekspozuar jo pak, por 20 tablo, ku janë hedhur në telajo figurat e dervishëve, një nga temat e preferuara të piktorit të madh. Në këtë galeri përshfaqet njëra pas tjetrës, bota mistike e dervishëve, që duket sikur qëndrojnë në ca hapësira sa qiellore, aq edhe tokësore. Ato, siç shkruan kritiku turk Onder Senyapili, janë të thjeshta si jeta e një dervishi. Janë të pasura si jeta e tyre. Vlera e tablove është në thjeshtësinë e tyre, apo më tepër në faktin se paraqesin një pasuri madhështore brenda kësaj thjeshtësie. Pikturat e tij reflektojnë një qetësi të krahasueshme me atë të një dervishi.

Duke folur për këto portrete, Omer Kaleshi ka thënë se ato kanë gjendje të ndryshme dhe se janë shprehje e fytyrës, ajo çka shpreh botën e brendshme të njeriut. Ajo që më ngacmon te një portret është së pari vështrimi. Sytë qeshin, qajnë, tregojnë dhimbje ose gëzim. Syri është herë përkëdhelës, herë qortues.

Mbaj mend që në ditën e përurimit morën pjesë personalitete të artit dhe kulturës, ku mes tyre do të veçoja Moikom Zeqon, Besnik Mustafajn, Luan Ramën etj. Përurimi i ekspozitës ishte një festë e veçantë në Kryegjyshatë, sepse piktori dhuroi disa nga pikturat më të bukura të tij. Moikom Zeqo, Besnik Mustafaj, Luan Rama, që folën në këtë ceremoni i vlerësuan shumë pikturat e dhuruara nga Omer Kaleshi. Në fjalën e tij piktori i madh ishte shumë i emocionuar. Ai foli për dervishët, portretet e tyre të hedhura në telajo, si dhe botën mistike që përshfaqet në këto tablo.

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Dede Edmond Brahimaj bëri këtë vlerësim: “…është kënaqësi e veçantë të jemi sot së bashku në promovimin e galerisë që mbanë emrin e një prej piktorëve më të mëdhenj shqiptarë në këta dy shekuj të fundit. Është kënaqësi, gjithashtu, që ai iu përgjigj ftesës sonë dhe erdhi posaçërisht nga Parisi për të ndarë së bashku emocionet e kësaj dite. Ju faleminderit nga zemra profesor Omer Kaleshi dhe ju siguroj se do të keni kurdoherë urimet më të mira të gjithë bektashianëve, kudo ku ata jetojnë e punojnë nëpër botë! Galeria e sotme, ka ardhur në momentin e duhur dhe përpara se të jetë vullneti ynë, i njerëzve, është padyshim vullneti i Zotit. Tanimë, identitetit tonë të materializuar në muze, historisë, etnografisë, trashëgimisë kulturore kaq të pasur, do t’i shtohet edhe galeria me emrin e vëllait tonë Omer Kaleshi,arti i të cilit prej dekadash është bërë i njohur në gjithë Europën dhe vështrohet nga miliona dashamirës të pikturës. Nuk kam as më të voglin dyshim, se kjo galeri e mrekullueshme, nuk është thjeshtë një shtesë në objektin tonë shumëdimensional, por një vlerë më shumë, një dritë më shumë në mozaikun e trashëgimisë sonë të kulturës bektashiane universale.

Sinqerisht, do të kisha dëshirë sot, të dëgjoja miqtë më të ngushtë, ambasadorët apo piktorët, të flisnin për veprën e Omer Kaleshit. Por më jepet e drejta sigurisht të them, se jeta njerëzore dhe ajo artistike bashkudhëtojnë në karakterin e Omer Kaleshit në një harmoni të habitshme. Personalisht ruaj mbresa të jashtëzakonshme të takimeve me të si në Paris, në ditët bektashiane për nder të Naim Frashërit, ashtu dhe në Tiranë, si miku i Selisë tonë të Shenjtë. Thjeshtësia dhe urtësia që rrethojnë këtë personaliteti, më kujton shpesh dervishët dhe baballarët tanë, të cilët në teqetë më të largëta, në vetminë e tyre kanë shpërndarë dashuri hyjnore edhe përmes heshtjes së tyre. Është pak të them se dita e sotme është historike për bektashinjtë në mbarë botën. Portretet e dala prej shpirtit të Omer Kaleshit, që në të shumtën e rasteve janë vegime dervishësh bektashianë, i shtojnë një dimension të ri, jo thjeshtë këtij muzeu, por vetë historisë sonë, të sotme dhe të nesërme. Ato do të mbeten këtu përjetësisht, falë gjestit bujar të vëllait tonë Omer Kaleshit, i cili e ka taksur këtë dhuratë gati një vit më parë, kur bisedonim në shtëpinë e tij, në Paris. Ajo bisedë e vjetshme sot është shndërruar në një realitet kaq mbresëlënës. Edhe një herë faleminderit vëllai ynë Omer Kaleshi! Zoti të ruajt dhe të paçim sa malet!”

Tashmë piktori Omer Kaleshi është larguar nga kjo jetë, duke lënë pas qindra tablo. Këto ditë, sa herë që futem në galerinë që mban emrin e mjeshtrit të madh të pikturës, ndiej vështrimet e buta të syve të dervishëve, sy të kokave të shkëputura nga trupat, koka pa vesh, sikur nuk duan të dëgjojnë mëkatet e kësaj bote. Dhe lidhur me këtë detaj shumë të rëndësishëm, piktori i madh ka dhënë këtë përgjigje: «Unë kurrë nuk kam pikturuar veshë. Ato nuk ekzistojnë, ose nuk duken. Amatorët e tablove të mia, galeristët, kritikët e artit, gjithnjë më kanë pyetur, lidhur me përdorimin e ngjyrës së kuqe, të bardhës dhe pyetje të tjera, por asnjëherë nuk më kanë pyetur, se ku janë veshët e kokave të mia. Pra, përse asnjë kritik arti, asnjë koleksionist, asnjë vizitor në ekspozitat e mia, madje edhe vetë galeristja ime nuk më kishte thënë: “Omer, na thuaj, përse kokat e tua nuk kanë veshë?”

Nëse ndonjëherë do të kisha pikturuar një sy të vetëm në telajot e mia, kush e di sa njerëz do të vinin të më thonin për këtë? Ky zbulim më shqetësoi. Vallë kokat e mia kishin veshë apo jo? Kjo çështje kërkonte përgjigje nga unë. Vallë, pa e ditur a e kisha vendosur në mënyrë të pandërgjegjshme syrin pas imazhit që shfaqej? Por sigurisht, mrekullia vjen nga ky komunikim midis piktorit dhe spektatorëve të tij, të cilët nuk shohin të njëjtën gjë.»

Këto tablo janë këtu në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ndërsa mjeshtri që u dha jetë atyre, duke i fiksuar në meditimin mistik, prej dy vitesh është në amshim. Sytë e pafajshëm e të qetë të dervishëve në këtë galeri duket sikur me vështrimin e tyre shohin shpirtin e madh të Omer Kaleshit. Ai i përjetësoi ata në këto tablo të mrekullueshme dhe i riktheu pranë shenjtorëve të mëdhenj të bektashinjve, këtu në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →