Xhiroja e katërt e Albi Mall Superligës së Kosovës solli dy ndeshje të jashtëzakonshme të dielën, ku Malisheva dhe Suhareka shënuan fitore dramatike kundër rivalëve të tyre, Ballkanit, përkatësisht Gjilanit.
Në stadiumin “Liman Gegaj”, Malisheva arriti të triumfojë ndaj ndaj kampionit në fuqi, Ballkanit, me rezultat 3:2. Ndeshja filloi me intensitet të lartë dhe Malisheva ishte e para që kaloi në epërsi në minutën e 14-të, kur Arbër Prekazi shënoi me kokë pas një goditjeje të saktë. Megjithatë, Ballkani barazoi rezultatin në minutën e 28-të, kur sulmuesi Sunday Adetunji, pas një asistimi nga Queven Inacio, realizoi gjithashtu me kokë.
Në fund të pjesës së parë, kur Malisheva mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Etnik Brrutit për shkak të dy kartonëve të verdhë. Pavarësisht kësaj, në pjesën e dytë, Malisheva tregoi një karakter të jashtëzakonshëm. Drilon Hazrollaj shënoi në minutën e 61-të, duke rikthyer epërsinë e vendasve, ndërsa Fatjon Bunjaku thelloi rezultatin në 3:1 në minutën e 73-të. Ballkani arriti të ngushtonte diferencën në minutën e 91-të me golin e Queven Inacios, por nuk arriti ta shmangte humbjen.
Ndërkohë, Suhareka arriti që me një përmbysje dramatike të fitojë ndaj Gjilanit, po ashtu me shifrat 3:2. Ndeshja filloi me dy gola të shpejtë, ku Robert Rrahmani i dha epërsinë Gjilanit në minutën e 15-të, por Mevlan Zeka barazoi vetëm dy minuta më vonë. Gjilani rifitoi avantazhin në minutën e 38-të me golin e Senad Jaroviqit, por mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Kushtrim Shabanit në minutën e 42-të.
Në pjesën e dytë, Suhareka shfrytëzoi hendekun numerik të mysafirëve dhe barazoi rezultatin në minutën e 80-të me një gol nga Nikola Stepoviq. Ndërkaq, epilogu i ndeshjes erdhi në minutën e 86-të kur Arvanit Rexhaj shënoi golin e fitores, duke i siguruar tri pikë të rëndësishme ekipit të Suharekës.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co