Për herë të parë si Sekretar amerikan i shtetit, Antony Blinken ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në kryeqytetin shqiptar.
Në fotot e mëposhtme, të shkrepura nga “LSA”, janë ‘memorizuar’ të gjitha momentet e kësaj vizite, që nga çasti i zbritjes nga avioni në Rinas, e të mbyllja e Konferencës.
Blinken mbërriti në Rinas rreth orës 11:00 të kësaj të enjteje ku u prit nga ministri i jashtëm Igli Hasani, ndërsa rreth orës 13:30 ai zhvilloi takimin e parë, me punonjësit e ambasadës amerikane në Tiranë dhe anëtarë të familjes së tyre.
Po ashtu ai zhvilloi një takim edhe me katër përfaqësuesit e lartë të institucioneve të drejtësisë në vend, mes tyre edhe kreu i SPAK, Altin Dumani.
Më tej ai u takua me Presidentin e vendit, Bajram Begaj, për t’u zhvendosur më pas në ambientet e ‘Piramidës’ ku u takua me të rinjtë shqiptarë që kanë përfituar nga programet arsimore amerikane.
Fill më pas, Blinken u drejtua në Kryeministri ku zhvilloi takim me kryeministrin Edi Rama. Gjatë këtij takimi, Sekretari amerikan i Shtetit dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, firmosën dy marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Konkretisht, “Memorandumin e mirëkuptimit Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi”; “Memorandumi i mirëkuptimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë (Këshilli i Ministrave) dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për programin e shkëmbimit akademik “Fulbright”.
Në fund të kësaj vizite, Edi Rama dhe Antony Blinken mbajtën një konferencë të përbashkët për gazetarët shqiptarë dhe ata të huaj.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co