Presidenti rus Vladimir Putin do të vizitojë Mongolinë javën e ardhshme, pavarësisht se vendi fqinj është anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), e cila lëshoi një urdhër arresti për të vitin e kaluar.
Vizita, e planifikuar për më 3 shtator, do të jetë udhëtimi i parë i Putinit në një shtet anëtar të ICC-së që kur gjykata me bazë në Hagë lëshoi urdhër-arrestin në mars 2023 duke akuzuar presidentin për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas në Rusi dhe territorin e kontrolluar nga Rusia.
Të premten, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se nuk kishte “asnjë shqetësim” për vizitën, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti.
Vizita po zhvillohet me ftesë të presidentit mongol Ukhnaa Khurelsukh. “Ne kemi një dialog të mrekullueshëm me miqtë tanë nga Mongolia,” tha Peskov.
Sipas Statutit të Romës, traktati themelues i gjykatës, anëtarët e ICC-së janë të detyruar të arrestojnë të dyshuarit për të cilët është lëshuar një urdhër arresti nëse shkelin në tokën e tyre. Megjithatë, gjykata nuk ka asnjë mekanizëm përmbarues.
Të premten, Ukraina i bëri thirrje Mongolisë që të arrestojë Putinin kur ai të vizitojë vendin.
“Pala ukrainase shpreson që qeveria e Mongolisë është e vetëdijshme për faktin se Vladimir Putin është një kriminel lufte”, tha Ministria e Jashtme ukrainase në një deklaratë, duke shtuar se “u bëjmë thirrje autoriteteve mongole të ekzekutojnë urdhërarrestin detyrues ndërkombëtar”.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co