Në vitin 2005 mora një ftesë nga televizoni Alsat dhe lashë RTSH, televizionin ku u formova që fëmijë për t’iu drejtuar tregut privat. Isha akoma shumë e re për të mbajtur peshën e një emisioni politik, por ky me sa duket ishte shënuar në fatin tim qëkur, akoma 19 vjeç fillova të jap lajmet e mbrëmjes në të vetmin televizion të kohës në RTSH, ku për t’u dukur më e madhe vishja rrobat e mamasë sime dhe drejtoja lajmet kryesore.
Sigurisht pas 20 vjetësh nuk përpiqem të dukem më e madhe seç jam, përkundrazi, por përpiqem sigurisht që i madh të jetë “Open”. Programi “Open” është në vigjilje të 20 vjetorit. Sezoni 2024-2025 është sezoni i 20 që nga fillimi i transmetimit. Është e kotë t’u them sa e vështirë ka qenë të zije vendin tënd në një sektor që po rishpikej pas viteve ’90 e që si në çdo sektor tjetër gjithmonë pak vend ka për gra që duan të afirmohen. Nuk dua t’u tregoj sa e vështirë, ka qenë, por sa e bukur. Aq e bukur sa kur kthej kokën pas dhe shikoj këto imazhe me duket se këto 20 vite kanë qenë 20 minuta.
Të bukur e kanë bërë arritjet, sukseset rrëzimet që më kanë dhënë mundësi të rritem, e padiskutim të bukur e kanë bërë takimet. Një nga këto takime ka qenë ai me Kadarenë. Kur pranoi ftesën për intervistën e parë frika më e madhe që kisha ishte: A do t’i pëlqenin pyetjet, a do ishin të duhurat, a do t’i ngjallnin interes? Me atë hijen e rëndë prej gjirokastriti të mençur, dhe këtë e thotë një gjirokastrite, më kishte bërë të ndjehesha vulnerabël.
Në fakt çdo gjë shkoi shumë mirë. Me pas “Në kohë e pamjaftueshme” (fq 186) Helena e citon këtë intervistë në kujtimet e saj, gjë që më gëzoi pa masë dhe më konfirmoi që kisha bëre pyetjet e duhura. Më pas bashkëpunimi ynë vijoi në momente të rëndësishme për Kadarenë dhe letërsinë shqipe, siç ishte rrëfimi që Kadare bëri pas marrjes se Çmimit Princi i Asturias dhe në okazione të tjera, pa harruar kauzën e përbashkët për faljen e një minoreneje shqiptare që u dënua me 20 vjet burg, një kauzë që bashkoi të madh e të vogël në vend, por që ndau siç ndodh rëndom politikën.
Është rasti për të falënderuar Ismail dhe Helena Kadare për këtë bashkëpunim 20 vjeçar, për miqësinë dhe mbështetjen e rrallë që vetëm njerëz si ata dinë të falin. Helena, takimi me ju i ka bërë 20 vitet e mia në profesion shumë të bukura e për këtë ju falënderoj.
Këtë festë jetëgjatësie në treg “Open” ka menduar ta festojë nëpërmjet arkivit të vet, në përpjekje që ky i fundit te jetë jo thjesht një pasuri arkivore personale apo e televizioneve ku “Open” ka patur jetë, por një pasuri me akses për të gjithë. Së pari, gjatë kësaj kohe ne do të përzgjedhim 20 emisione domethënës dhe do t’i ritransmetojmë, sigurisht me shpjegimet përkatëse, do të realizojmë një cikël intervistash, nga ato që nuk mund të mungojnë në “Open” dhe qershia mbi tortë së bashku me UET Press kemi në plan të realizojmë disa botime.
Botimi i parë është ky që kam në duar dhe është një përmbledhje e intervistave që Ismail Kadare ka dhënë në vite për programin “Open”. Siç e dini “Open” ka startuar me emrin “Studio e hapur” për të evoluar më pas me “Open”. Është transmetuar gjithmonë në prime time, si emisioni politik protgonist i çdo mediumi ku ka patur privilegjin të komunikojë me publikun.
*Fjala e gazetares Eni Vasilit mbajtur në promovimin e librit të saj, botim i UET Press
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co