Gjykatësi federal pezullon përkohësisht programin e emgracionit për bashkëshortët e shtetasve amerikanë

gjykatesi federal pezullon perkohesisht programin e emgracionit per bashkeshortet e shtetasve amerikane
gjykatesi federal pezullon perkohesisht programin e emgracionit per bashkeshortet e shtetasve amerikane

Një gjykatës federal në Teksas pezulloi të hënën përkohësisht zbatimin e një politike të administratës së Presidentit Joe Biden, që do t’u jepte bashkëshortëve të shtetasve amerikanë status ligjor pa pasur nevojë që ata të largoheshin më parë nga vendi, duke sjellë të paktën një pengesë të përkohshme për njërin nga veprimet më të mëdha presidenciale për lehtësimin e rrugës drejt marrjes së shtetësisë amerikane në shumë vite.

Vendimi i lëshuar nga gjykatësi federal J. Campbell Barker vjen vetëm disa ditë pasi 16 shtete, të udhëhequra nga prokurorët e përgjithshëm republikanë, sfiduan programin nga i cili mund të përfitojnë rreth 500,000 emigrantë në vend, plus rreth 50,000 fëmijë të tyre. Një nga shtetet që po udhëheq përpjekjet kundër këtij ligji është Teksasi, i cili në padi pretendonte se është detyruar të shpenzojë dhjetëra miliona dollarë në vit për sigurimet shëndetësore të pjesëtarëve të forcave të zbatimit të ligjit për shkak të emigrantëve pa dokumente që jetojnë në këtë shtet.

Shtetet e kontrolluara nga republikanët pretendojnë se masa do të shkaktonte dëm të pariparueshëm dhe akuzuan administratën për anashkalimin e Kongresit për “qëllime të hapura politike”. Presidenti Joe Biden njoftoi programin në qershor. Urdhri i gjykatës, që do të jetë në fuqi për dy javë, por mund të zgjatet, vjen një javë pasi Departamenti i Sigurisë Kombëtare filloi të pranonte aplikimet.

Të martën, Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha se qeveria do të vazhdojë të pranojë aplikimet dhe të mbrojë programin në gjykatë. Çdo aplikant, të cilit i është dhënë lirimi me kusht përpara urdhrit nuk do të ndikohet nga ky vendim, thuhet në njoftim të Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Departamenti i Sigurisë Kombëtare nuk iu përgjigj pyetjeve se sa aplikime janë pranuar, apo miratuar, si dhe se sa kohë duhet për shqyrtimin e rasteve në bazë të programit, të cilin qeveria e quan “Mbajtja e Familjeve së Bashku”. “Programi u mundëson qytetarëve amerikanë dhe anëtarëve të familjeve të tyre të jetojnë në vend pa frikën e ndarjes, në përputhje me vlerat themelore amerikane”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

Gregory Chen, drejtor për marrëdhëniet me qeverinë në Shoqatën Amerikane të Avokatëve të Emigracionit, tha se kishte dëgjuar nga avokatët e lidhur me këtë shoqatë se të paktën qindra njerëz kishin aplikuar që kur programi filloi më 19 gusht. Ai gjithashtu tha disa kërkesa ishin miratuar pas vetëm një dite. Avokatët po nxitojnë të kuptojnë se çfarë ndikimi do të ketë vendimi për të pezulluar përkohësisht këtë program mbi klientët e tyre. Zoti Chen tha se platforma e organizatës për avokatët e interesuar në programin “Mbajtja e Familjeve së Bashku”, “u vërshua” pas vendimit të gjykatësit të hënën vonë me pyetje mbi pasojat, që ai mund të ketë për klientët e tyre.

Prokurori i Përgjithshëm republikan i Teksasit, Ken Paxton, zyra e të cilit po ndihmon në udhëheqjen e padisë, përshëndeti vendimin e gjykatësit federal. “Ky është vetëm hapi i parë. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për Teksasin, vendin tonë dhe sundimin e ligjit”, tha ai përmes një deklarate. Për programin “Mbajtja e Familjeve të Bashkuara” kualifikohen personat që kanë jetuar për 10 vjet në Shtetet e Bashkuara dhe janë të martuar me shtetas amerikanë, të paktën që nga 17 qershori i këtij viti, dita kur hyri në fuqi urdhri ekzekutiv i Presidentit Biden. Programi nuk vlen për personat që paraqesin kërcënim për sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe kanë një të kaluar kriminale.

Aplikantët gjithashtu duhej të dorëzonin një aplikim të gjatë dhe të paguanin një tarifë prej 580 dollarësh. Nëse miratohet kërkesa e tyre, aplikantët kanë tre vjet kohë për të kërkuar qëndrim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara. Gjatë kësaj periudhe, ata mund të marrin një leje pune.

Përpara këtij programi, ishte e vështirë për njerëzit që ndodheshin ilegalisht në Shtetet e Bashkuara të merrnin një leje të përhershme qëndrimi pasi martoheshin me një shtetas amerikan. Atyre mund t’u kërkohej kthimi në vendin e tyre, shpesh për shumë vite, dhe ata gjithmonë përballeshin me rrezikun e moslejimit të kthimit në Amerikë./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →