Shtëpia e Bardhë ngul këmbë se ka përparim në bisedimet për armëpushim në Gaza

shtepia e bardhe ngul kembe se ka perparim ne bisedimet per armepushim ne gaza
shtepia e bardhe ngul kembe se ka perparim ne bisedimet per armepushim ne gaza

Shtëpia e Bardhë tha të premten se bisedimet në Kajro për armëpushim në Rripin e Gazës kanë qenë konstruktive dhe se ato do të vazhdojnë edhe gjatë kësaj fundjave.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në Lindjen e Mesme po u bëjnë trysni Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni dhe Brukseli – të arrijnë marrëveshje për armëpushim.

Drejtori i CIA-s, William Burns, dhe këshilltari i lartë i presidentit Joe Biden për Lindjen e Mesme, Brett McGurk, janë duke e udhëhequr palën amerikane në bisedimet që nisën të enjten. Izraeli dhe Hamasi ende kanë shumë mospajtime.

“Në bisedime është shënuar përparim. Tani kemi nevojë që të dyja palët të bashkohen dhe të punojnë për zbatim”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare amerikane, John Kirby.

Kirby nuk shpjegoi se çfarë përparimi është arritur.

Përpjekjet diplomatike për arritjen e armëpushimit në Gazë janë rritur, për shkak të frikës nga rreziku i shpërthimit të një lufte të gjerë rajonale, pas vrasjes së dy liderëve të Hamasit dhe Hezbollahut, për të cilat u fajësua Izraelit, dhe kërcënimeve për hakmarrje.

Izraeli dhe Hamasi kanë mospajtime rreth korridorit Filadelfi përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin, dhe korridorit Netzarim në mes të territorit. Hamasi kërkon tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Gaza.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ngul këmbë se Izraeli duhet ta kontrollojë korridorin Filadelfi, duke thënë se qëllimi është të parandalohet riarmatosja e Hamasit dhe përsëritja e sulmit të 7 tetorit në Izrael.

Ai gjithashtu i mohoi raportimet se Izraeli është i gatshëm të pranojë vendosjen e një force ndërkombëtare në atë korridor.

Hamasi tha të premten se Netanyahu “po e bllokon çdo mundësi për arritjen e marrëveshjes për armëpushim”.

I pyetur nëse Netanyahu po negocion në mirëbesim, Kirby tha se Bideni pati “bisedë konstruktive” me Netanyahun të mërkurën.

“Ne jemi në Kajro. Ata janë në Kajro. Kemi nevojë që edhe Hamasi të marrë pjesë”, tha Kirby.

Biden i bëri të qartë Netanyahut se edhe Izraeli dhe Hamasi duhet të bëjnë lëshime, sipas një burimi të Associated Press, i cili foli në kushte anonimiteti për bisedën telefonike mes Bidenit dhe Netanyahut.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor të vitit të kaluar, kur militantët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit dhe i vranë rreth 1.200 njerëz dhe i rrëmbyen mbi 250 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

Si pasojë e luftës izraelite, pjesë të Rripit të Gazës janë bërë rrafsh me tokën dhe së paku 40.000 njerëz janë vrarë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë./ REL

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →